Politike

Raporti i DASH: Shqipëria, burim e portë kryesore e drogës për BE

Shqipëria vazhdon të mbetet një burim kryesor i kanabisit që trafikohet kryesisht në vendet e Bashkimit Europian dhe gjithnjë e më shumë vend tranzit i lëndëve narkotike më të forta, kryesisht heroinës dhe kokainës me origjinë afgane, që trafikohen në të njëjtin treg.

Departamenti Amerikan i Shtetit dorëzoi në Kongres raportin vjetor mbi strategjinë kundër lëndëve narkotike. Në pjesën për Shqipërinë, problematik përmendet kultivimi i hashashit, tranziti i heroinës dhe kokainës afgane dhe shndërrimi i vendit në bazë për grupet e krimit të organizuar.

“Shqipëria prodhon dhe eksporton në sasi domethënëse marijuanë, kryesisht për tregun europian dhe është një vend tranzit i heroinës dhe kokainës afgane, duke shërbyer si portë kyçe në shpërndarjen e tyre në Europë”, thuhet në raport.

Raporti thekson se në vendin tonë kanë gjetur një mjedis të përshtatshëm krimi i organizuar, që shfrytëzon shkallën e lartë të papunësisë, korrupsionin shtetëror dhe institucionet e dobta qeveritare e të drejtësisë për të drejtuar nga këtu operacionet e tyre të jashtëligjshme.

“Shqipëria shërben si bazë e grupeve rajonale të krimit të organizuar, aktiviteti i të cilëve shtrihet në Europë, e deri në SHBA, Amerikën e Jugut dhe Azi”, shkruhet aty.

DASH njeh përpjekjet e institucioneve shqiptare në luftën kundër këtyre grupeve, por thekson se përgjithësisht këto përpjekje janë ndërmarrë me indiciet e presionin e partnerëve ndërkombëtarë të vendit tonë.

Një faktor që ka ndikuar në marrjen e statusit si bazë e krimit të organizuar, sipas DASH, është lehtësia me të cilën pastrohen paratë e drogës dhe aktiviteteve të tjera kriminale në Shqipëri.

“Shqipëria nuk është një parajsë fiskale, por vendi mbetet nën kërcënimin e vazhdueshëm të pastrimit të parave për shkak të korrupsionit galopant dhe pafuqisë së institucioneve të vendit. Ekonomia shqiptare ka një sektor të madh informal, me shumë para që qarkullojnë jashtë sistemit bankar”, thuhet aty.

Ndërtimi citohet në raport si sektori kryesor që po përdoret për të pastruar milionat e siguruara nga aktivitetet kriminale, ndërkohë që shtohet se autoritetet nuk ndërmorën thuajse asnjë përpjekje për ta luftuar këtë fenomen përgjatë 2018.

“Ndërtimi, sidomos në zonat bregdetare, projektet zhvillimore të bizneseve dhe sektori i lojërave janë metodat më popullore të fshehjes dhe pastrimit të parave. Forcat ligjvënëse e njohin nevojën për të luftuar pastrimin e parave, por përgjithësisht kanë qenë joefektive në këtë luftë”, shton DASH.

Aktiviteti kryesor i organizatave të krimit konsiderohet trafiku i drogës, ndjekur më pas nga evazioni fiskal, kontrabanda dhe trafiku i qënieve njerëzore.

Në raport theksohet nevoja e reformës në drejtësi për të ngritur një sistem drejtësie në gjendje që të përballet e godasë jo vetëm krimin e organizuar, por edhe korrupsionin në nivelet e larta.

“Në 2016-2017, Parlamenti shqiptar ndryshoi thelbësisht Kushtetutën dhe nisi reformën në drejtësi, me synim luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndryshimet përfshinë rregullime thelbësore në sistemin e drejtësisë, vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe skanimin e tyre për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Reforma, nëse zbatohet siç duhet, do të garantojë edhe një përpjekje më të shëndetshme në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimeve të tjera financiare”, vëren raporti.

DASH qorton vendimet e disa gjyqtarëve në çështjet që lidhen me akuzat e pastrimit të parave. Në raport thuhet se kjo akuzë është nënvlerësuar.

“Në disa procese gjyqësore, gjyqtarët kërkojnë një tjetër akuzë më të rëndë, para se të dënojnë për pastrim parash, megjithëse ligji e specifikon se nuk është e nevojshme një akuzë më e rëndë për të gjykuar e dënuar mbi akuzën e pastrimit të parave”, thotë DASH.

Raporti vëren se mungon një praktikë e unifikuar nga Gjykata e Lartë mbi këtë çështje.

Nevojën e luftës kundër pastrimit të parave e theksoi në fund të vitit të kaluar edhe Këshilli i Europës, përmes një raportit të publikuar nga agjencia Moneyval, pjesë e strukturës së këtij Këshilli.

Moneyval pranon se autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme ndaj rreziqeve të pastrimit të parave në vend dhe kanë mekanizma kombëtare të koordinimit për hartimin e politikave për të adresuar këto rreziqe, por këto mekanizma nuk janë treguar plotësisht efektive dhe ka disa fusha që do të përfitonin nga një analizë më e detajuar e kërcënimeve të paraqitura.

Edhe në këtë raport, korrupsioni paraqitet si leva që aktivizon në një masë të madhe pastrimin e parave në Shqipëri, duke gjeneruar shuma të konsiderueshme të të ardhurave kriminale dhe dëmton seriozisht funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë. Moneyval thotë gjithashtu se autoritetet janë të vetëdijshme për rreziqet nga korrupsioni, por deri më tani zbatimi i ligjit ka munguar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë