Analize

Liberalizimi i vizave me Amerikën Latine, për bananet apo…?

Në një raport të publikuar në vitin 2013, autoritetet amerikane flisnin me shqetësim për një rritje të kultivimit të kokainës në vendet e Amerikës Latine. Rritja më e madhe po regjistrohej në Kolumbi, e cila vetëm një vit më parë kishte humbur primatin e prodhuesit kryesor të kokainës ndaj Perusë.

Nga të dhënat e publikuara në vitet që pasuan, u tha se vetëm në Kolumbi pati një rritje me 95 për qind të prodhimit të kokainës në këtë vend. Pjesa më e madhe e drogës kultivohej dhe vazhdon të kultivohet në rajonin Antioquia, e kontrolluar nga rebelët marksistë.

Pikërisht në këtë rajon çdo vit mbillen mbi 11 mijë hektarë me bimën që prodhon kokainën. Çfarë ndodhi në 2013? Shumë ekspertë ja faturuan uljen e prodhimit në vitin 2012 rritjes së vlerës së arit. Rajoni Antioquia është i pasur me ar dhe sipas ekspertëve, krahu i punës hoqi dorë nga kokaina dhe u përqendrua tek minierat e palicencuara që janë hapur aty në mënyrë artizanale për të nxjerrë mineralin e kushtueshëm.

Por, në 2013 ari pësoi sërish një rënie dhe në të tilla kushte, ata që punonin në minierat e paligjshme u rikthyen në fusha për të mbjellë sërish kokainën, çmimi i së cilës kishte pësuar një rritje të ndjeshme, edhe për shkak të prodhimit më të vogël, por edhe për shkak të fushatës së autoriteteve meksikane ndaj karteleve, që e blejnë drogën në Kolumbi e më pas e transportojnë dhe shesin atë në tregun amerikan.

Edhe në vitin 2014 kultivimi i kokainës u zgjerua, këtë herë me 39 për qind, po sipas raporteve të autoriteteve amerikane, të cilat këtë herë flisnin edhe për një shtim të plantacioneve në Peru dhe Bolivi. Në fakt, Peruja mbjell afërsisht 50 mijë hektarë me kokainë, por për shkak të klimës prodhimi është më i dobët se në Kolumbi. Po ashtu, e klasifikuar si prodhuesja e tretë në botë Bolivia mbjell rreth 20 mijë hektarë.

Që të trija këto vende prodhojnë rreth 99 për qind të kokainës që më pas eksportohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europë. Në fakt, SHBA është tregu kryesor i kokainës amerikano-latine, por vitet e fundit janë rritur dërgesat edhe për tregun europian. Sasitë e sekuestruara në Spanjë, Holandë, Britani, Itali, Shqipëri, Mal të Zi e Gjermani vitet e fundit shkojnë në disa tonë.

Për agjencitë ligjzbatuese të Bashkimit Europian ky është një tregues i pastër që droga kolumbiane, peruane dhe boliviane po gjen gjithnjë e më shumë hapësirë në tregjet europiane. Lidhjet mes grupeve të kokainës në Kolumbi me grupet mafioze europiane janë vënë që herët, por asnjëherë, sipas një raporti të antidrogës spanjolle të 2016, bashkëpunimi mes tyre nuk ka qenë kaq intensiv.

Çfarë ndryshoi?

Lufta mes karteleve në veri të Meksikës pati një kosto të madhe për trafikantët kolumbianë, të cilët janë ata që sipas DEA-s amerikane grumbullojnë mallin edhe në Peru e Bolivi dhe më pas e shesin tek të tretët, së bashku me mallin e prodhuar vetë.

“Të tretët”, që pas rënies së Pablo Escobar përgjithësisht ishin kartelet meksikane që rivalizonin e rivalizojnë përgjakshëm me njëra-tjetrën se kush dërgon më shumë kokainë në Shtetet e Bashkuara. Por, gradualisht grupet meksikane veç rivalitetit me njëri-tjetrin nisën të ndjejnë rivalitetin e grupeve kriminale kryesisht të Europës Lindore dhe Ballkanit.

A ka një linjë direkte trafiku të kokainës për në Shqipëri?

Shqipëria nuk bën pjesë tek rrugët kryesore të transportit të kokainës amerikano-latine për në Europë, por konsiderohet si një nyje strategjike dhe territor tranzit “i rehatshëm” nga grupet mafioze. Sipas Qendrës Europiane të Studimeve Kundër Drogës që prej vitit 2012 ka patur një rritje të përshkallëzuar të kokainës të sekuestruar në Shqipëri, por edhe të asaj ta kapur në vendet fqinje dhe ato të BE-së që ka kaluar përmes territorit shqiptar në rrugë ajrore, ujore dhe tokësore.

Aktiviteti kryesor i grupeve shqiptare të trafikut të drogërave në Bashkimin Europian ishte shpërndarja e hashashit. Por, me infrastrukturën dhe burimet njerëzore të ngritura, siç edhe thekson një raport i vitit 2017 i Agjencisë Kombëtare Britanike Kundër Krimit, grupet kriminale shqiptare nisën të shohin më shumë nga një biznes tjetër, akoma më fitimprurës.

Bëhej fjalë për kokainën dhe në raportin e vet, agjencia britanike thotë se grupet shqiptare kanë vënë kontakte të drejtpërdrejta me ato amerikano-latine, duke e blerë mallin që në “burim”, për ta shpërndarë më pas në BE. Për të përforcuar këtë ide, raporti përmend laboratorin e Xibrrakës, i sekuestruar në vitin 2015 pas një sinjalizimi të autoriteteve gjermane.

Me mbylljen e 2018 agjencitë ligjzbatuese europiane do të bëjnë sërish raportin tradicional me bilancet e operacioneve dhe dyshimeve të tyre. E sigurtë është që për Shqipërinë do të kenë një tjetër shembull për t’u përforcuar idenë e një linje të drejtpërdrejtë kokaine me Kolumbinë.

Bëhet fjalë për aksionin e shkurtit të këtij viti, kur në kontenierin e mbushur me banane mbërritën 613 kilogramë kokainë. Policia dhe prokuroria shqiptare ishin vënë në dijeni të dërgesës nga autoritetet gjermane, holandeze dhe spanjolle dhe ndërhyu në momentin që droga u zhvendos në një magazinë të kompanisë Arbi Garden. Pronari i kompanisë, Arbër Çela u arrestua disa javë më vonë në Gjermani.

Më vonë u mësua se kontenieri me banane e kokainë ishte nisur drejtpërdrejtë nga Kolumbia dhe pas disa ndalesave në Mesdhe kishte ndaluar në Shqipëri. Destinacioni përfundimtar mbetej sërish tregu europian.

Pyetja që ngrihet natyrshëm është se si arritën shqiptarët që të rivalizojnë me grupet mafioze më të sofistikuara dhe të bëhen dorë e parë e kokainës në Europë? Veç guximit, për t’i hyrë një sipërmarrjeje të tillë duhen plotësuar disa kushte, të paktën sipas Qendrës Europiane për Trafikun dhe Përdorimin e Drogës.

Kjo qendër thotë se strukturat e dobta shtetërore, korrupsioni dhe afërsia me tregun e madh të BE-së, ku përllogariten rreth 4 milionë përdorues të rregullt të kokainës, favorizonin grupet shqiptare, që deri disa vite më parë ishin shfrytëzuar nga grupet e tjera mafioze, kryesisht italiane, si “krahu i punës dhe i dhunës”.

Mes elementëve, jo të domosdoshëm por të nevojshëm, kjo qendër rendit edhe regjimin e vizave. Qendra thotë në një raport të sajin të marsit të 2017, se nuk është e vështirë për të përfituar vizë në Kolumbi, Peru, apo Bolivi, por lëvizja e lirë e bën akoma më të lehtë misionin e trafikut të drogës.

Në fakt, Shqiptarët nuk shkojnë dot pa viza as në Kolumbi dhe as në Bolivi, por mund të udhëtojnë vetëm me pasaportë në drejtim të Perusë për një afat kohor prej 28 ditësh. Ata që duan të qëndrojnë më shumë, pas këtij afati duhet të pajisen me një leje nga autoritetet vendase.

Për në Bolivi viza lëshohet në momentin që zbret atje, ndërsa për Kolumbinë, aplikimi për të duhet të bëhet në konsullatën kolumbiane të Romës.

Por, janë disa vende të tjera ku lëvizja e shqiptarëve është e lirë, megjithëse për qëndrime të përhershme kërkohet leje më vete. Pjesë e këtyre vendeve është edhe Brazili, që prej vitit 2014, falë një marrëveshjeje dypalëshe.

Por, ka edhe vendime të njëanshme të Shqipërisë, siç ishte ai i 8 dhjetorit të vitit të kaluar, kur Këshilli i Ministrave të Shqipërisë ndryshoi vendimin nr.513 të datës 13 qershor 2013, duke shtuar në listën e vendeve shtetasit e të cilëve hyjnë në territorin tonë për afate kohore të caktuara pa viza Kolumbinë dhe Perunë.

Peruja ka zbatuar “reciprocitetin” dhe ka hequr vizat për shtetasit shqiptarë, ndërsa Kolumbia ruan ende regjimin e vizave me ne.

Veç këtyre dy grupeve ekziston një grup i tretë më i zgjeruar, ai i atyre vendeve të Amerikës Latine që shtetasit e të cilave hyjnë e dalin lirisht pa viza për 90 ditë. Në këtë grup bëjnë pjesë vendet që përfitojnë lëvizjen e lirë në zonën Shengen, e që automatikisht përfitojnë edhe hyrje-daljen në Shqipëri me kushtet e Shengenit. Mes tyrre janë Guatemala, Hondurasi, Kosta Rika, Meksika, Nikaragua, Panamaja, Paraguaji, Venezuela dhe Salvadori.

Pikërisht me këtë të fundit është nënshkruar marrëveshja në Organizatën e Kombeve të Bashkuara nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe homologu i tij i Salvadorit. Marrëveshja, thotë Bushati, do të ndihmojë në fuqizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat, përfshirë tregtinë.

Tregtia e çuditshme e bananeve me Kolumbinë

Kolumbia nuk është prodhuesi kryesor i bananeve në botë, por në Shqipëri është vendi i parë nga ku importohet ky frut ekzotik.

Në fund të 2017, qeveria vendosi të përfshijë kolumbianët në listën e qytetarëve që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në vendin tonë.

Megjithatë, vizat nuk ishin bërë pengesë për rritjen e importit të bananeve, që në 2017 rrit me 10 milionë kilogramë më shumë në krahasim me 2013, duke shkuar në 25.3 milionë kilogramë, ose 2 miliardë lekë vlerë në treg.

Rekordi i 2017 pritet të thyhet këtë vit, pasi vetëm për 6-mujorin e parë të 2018, doganat thonë se janë importuar 1.5 mld lekë banane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë