Politike

Raporti i DASH: Shqipëria dhe Kosova në vijën e parë të strategjisë amerikane në Ballkan

Nga Gazeta ‘Si’– Një dokument i ri i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) e paraqet Ballkanin Perëndimor si rajon me rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe interesat ekonomike amerikane.

Në raportin e dorëzuar Kongresit Amerikan mbi politikën e SHBA-ve për promovimin e stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor, administrata amerikane thekson se epoka e “nation-building” ka përfunduar.

“Politika amerikane në Ballkanin Perëndimor nuk ka të bëjë më me shpëtimin apo rindërtimin, por me stabilitetin dhe partneritete reciprokisht të dobishme”, thuhet në dokument, ndërsa theksohet se Washingtoni synon të fuqizojë aktorët lokalë për të zgjidhur vetë sfidat e tyre.

Në këtë arkitekturë të re, Shqipëria dhe Kosova renditen në shtyllën e sigurisë.

Raporti vlerëson integrimin e Shqipërisë në NATO si një element që “e ka bërë Aleancën më të fortë”, ndërsa SHBA riafirmon angazhimin e saj përmes pjesëmarrjes së vazhdueshme në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, të cilin e konsideron “komponent kyç për garantimin e një ambienti të sigurt dhe lirisë së lëvizjes në Kosovë”.

Në të njëjtën linjë, diplomacia amerikane konfirmon mbështetjen për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Administrata vazhdon të mbështesë tranzicionin e Forcës shumë-etnike të Sigurisë së Kosovës në një forcë profesionale të mbrojtjes territoriale”, thuhet në raport.

Një tjetër sinjal politik me peshë për Tiranën dhe Prishtinën është mënyra sesi SHBA i përshkruan tashmë si kontribuues të sigurisë globale dhe jo më vetëm si vende që marrin mbështetje ndërkombëtare.

Sipas dokumentit, Shqipëria dhe Kosova – së bashku me Bosnjë dhe Hercegovinën – do t’i bashkohen Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën, një zhvillim që, sipas administratës amerikane, “thekson tranzicionin e rajonit nga konsumues sigurie në ofrues sigurie”.

Përtej dimensionit ushtarak, raporti evidenton edhe interesin ekonomik amerikan në rajon, ku Shqipëria përmendet ndër vendet prioritare për projekte energjetike, veçanërisht në hidroenergji dhe ndërlidhje infrastrukturore me tregjet evropiane.

SHBA sinjalizon gatishmëri për të nxitur investime strategjike përmes kompanive amerikane, sidomos në sektorët e energjisë dhe transportit.

Në sfond qëndron një objektiv më i gjerë gjeopolitik: frenimi i ndikimit rus dhe kinez në Ballkan. Dokumenti paralajmëron se Moska dhe Pekini vazhdojnë të shfrytëzojnë korrupsionin, institucionet e dobëta dhe tensionet politike për të zgjeruar ndikimin e tyre në rajon.

Për Shqipërinë dhe Kosovën, leximi politik i raportit duket i qartë: në strategjinë e re amerikane për Ballkanin, dy vendet nuk trajtohen më thjesht si përfitues të sigurisë perëndimore, por si pjesë aktive e arkitekturës së saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë