Politike

Raporti, BE në alarm: Rreziku që buron nga 5G kinez

Mentor Kasa - Shqipëria është paralajmëruar nga Ambasada Amerikane në Tiranë mbi rreziqet që i kanosen sigurisë së vendit në të ardhmen nëse vendos që të mbështesë gjeneratën e pestë të transmetimit të të dhënave, njohur si 5G, tek pajisjet e kompanisë kineze, Huawei.

Vetë kompania kineze doli me një deklaratë duke thënë se nuk ka asnjë investim dhe asnjë projekt për rrjetin 5G në Shqipëri, ndërsa shqetësimin e amerikanëve e lidh kryekëput me luftën tregtare mes SHBA dhe Kinës.

Të njëjtin paralajmërim si ndaj Shqipërisë, SHBA e ka përsëritur edhe për vendet anëtare të Bashkimit Europian. Deri më tani, asnjë vend i BE-së nuk ka bojkotuar produktet Huawei, përveç Britanisë së Madhe. Londra ka kufizuar pajisjet e kompanisë kineze vetëm tek antenat dhe aksesorët e tjerë 5G përcjellës që nuk mund të lexojnë të dhënat.

Por cili është rreziku që kanoset nga teknologjia kineze 5G? Vendet anëtare të Bashkimit Europian publikuan në tetor të këtij viti një raport të përbashkët mbi domosdoshmërinë zhvillimore të teknologjisë 5G, që para 2025 parashikohet që të jetë një industri 225 miliardë euro.

Raporti vë në dukje nevojën që BE të zhvillojë infrastrukturën e kësaj teknologjie për të ruajtur konkurrueshmërinë ekonomike në rang global të unionit si një i tërë, por pa lënë mënjanë anën tjetër të medaljes; rreziqet. Këto të fundit, raporti i Bashkimit Europian i ndan në dy grupe. Në grupin e parë klasifikohen llojet e rreziqeve që kanosen dhe në grupin e dytë aktorët që mund të kërcënojnë infrastrukturën 5G.

Tek llojet e rreziqeve, raporti i përbashkët i vendeve anëtare të Bashkimit Europian radhit mundësinë e nxjerrjes jashtë funksionit të rrjetit 5G për shkaqe teknike, që kanë të bëjnë me infrastrukturën e decentralizuar që ky rrjet ka në krahasim me rrjetet pararendëse.

Rreziku numër dy renditet spiunimi i trafikut dhe i të dhënave të përdoruesve, apo institucioneve dhe agjencive të ndryshme shtetërore, nisur nga pika e dobët e këtij rrjeti, që raporti thotë se është pikërisht decentralizimi i tij.

Së treti, BE thotë se ekziston rreziku i modifikimit dhe keqdrejtimit të trafikut dhe të dhënave nëpër servera, apo infrastruktura paralele të paautorizuara, të cilat mund të keqpërdorin më vonë të dhënat e grumbulluara.

Në fund, tek llojet e rrezikut raporti i Bashkimit Europian radhit mundësinë që për shkak të fuqisë dhe përparësisë që rrjeti 5G ka në krahasim me rrjetet e tjera, ai të përdoret për të çorientuar, apo nxjerrë jashtë funksionit sisteme të ndryshme kontrolli, që nga sistemet e mbyllura të komunikimit që përdoren nëpër institucione të ndryshme, si agjencitë inteligjente, bankat e deri tek përdorimi i infrastrukturës 5G për të ndërhyrë në rrjetet e transmetimit të energjisë elektrike.

“Diferenca e madhe e rrezikut që buron nga rrjeti 5G në krahasim me rrjetet pararendëse (2G, 3G dhe 4G) lidhet pikërisht me arkitekturën e këtij rrjeti. Mënyra sesi është konceptuar kjo arkitekturë në vetvete sugjeron një përmirësim të sigurisë, nisur nga fakti që funksionimi dhe diferencimi nuk do të bazohet më tek një hardware dhe software i posaçëm, por vetëm tek një software. Nga pikëpamja e sigurisë, kjo mund të sjellë dobishmëri duke mundësuar përditësimin dhe korrigjimin e pikave të dobta të software-t më shpejt. Por, në të njëjtën kohë, kjo varësi e madhe vetëm në softëare dhe nevojës për përditësim të vazhdueshëm të këtij software ekspozon rolin e pazëvendësueshëm sa i përket sigurisë të palëve të treta që administrojnë këtë teknologji”, thuhet raporti.

Me palë të treta nënkuptohen kompanitë si Huawei, që ngrenë infrastrukturën 5G për kompanitë e ofrimit të shërbimit celular për klientët e tyre. Kjo do të thotë se në këtë rast, Huawei do të ketë mundësinë që të ketë akses tek të gjitha të dhënat, duke filluar që nga bisedat, mesazhet e deri tek fotot, imazhet apo dosjet që transmetohen përmes rrjetit 5G të ngritur prej tij.

Sa u takon aktorëve që kërcënojnë teknologjinë 5G, raporti i Bashkimit Europian nuk përmend asnjë emër, por në klasifikim qartazi përshkruan kompaninë kineze, që akuzohet edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se përmes pajisjeve të saj grumbullon informacione për llogari të qeverisë së Pekinit.

Aktorët kërcënues, raporti i ndan në disa kategori. Në të parën renditet gabimet njerëzore, aksidentale, që mund të burojnë nga keqfunksionimi i sistemit, apo edhe mosnjohja në themel e këtij sistemi.

Së dyti renditen hakerat individualë. Këtu BE fut kriminelë kibernetikë që nuk janë të lidhur me ndonjë shtet, qeveri, apo organizatë kriminale, por operojnë të pavarur herë për të mbështetur një kauzë dhe herë për të përfituar financiarisht duke grumbulluar të dhëna të ndjeshme dhe më pas duke i shitur në tregun e zi të botës së internetit.

Aktorët e tretë kërcënues renditen grupet e njohura si “Hacktivistë”. Këto grupe kanë një agjendë politike dhe objektivi i tyre është të shpërndajnë propagandë, apo të dëmtojnë organizata që janë kundër tyre.

Krimi i organizuar renditet si aktori i katërt kërcënues. Raporti i BE-së thotë se ashtu si në çdo fushë tjetër, edhe rrjeti 5G mund të përdoret nga ky aktor për të përfituar financiarisht në mënyrë të paligjshme.

Aktorët e pestë kërcënues raporti radhit kompanitë shtetërore, apo të mbështetura nga një shtet i caktuar, që mund të shfrytëzojnë infrastrukturën 5G për qëllime politike. Raporti nuk përmend as Huawei dhe as qeverinë kineze, por akuzat se pas Huawei qëndron qeveria kineze nuk kanë munguar.

Në fund renditen aktorët e tjerë, që nga grupe terroriste me prapaskena politike, e deri tek kompani dhe korporata që mund të keqpërdorin rrjetin 5G për të përfituar avantazhe teknologjike.

E vetëdijshme për këto risqe, Gjermania e ka lënë të hapur derën që në të ardhmen të përjashtojë kompaninë kineze, Huawei nga ndërtimi i infrastrukturës 5G.

“Qeveria gjermane aktualisht është duke u përpjekur që të farkëtojë infrastrukturën 5G në një mënyrë të tillë që të bllokojë të gjitha mundësitë që shtete të tjera të kenë akses në këtë infrastrukturë. Nëse kjo nuk është e mundur, atëherë dikush duhet të përjashtojë Huawei-n nga projekti i ndërtimit të kësaj infrastrukture, ashtu sicc kanë bërë disa vende të tjera”, deklaroi ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer.

Rreziku “Huawei”, SHBA shpall gjendjen e emergjencës kombëtare

Në maj, Donald Trump deklaroi gjendjen e emergjencës kombëtare për të mbrojtur rrjetin kompjuterik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga armiqtë e jashtëm. Presidenti amerikan firmosi urdhrin ekzekutiv që ua ndalon kompanive vendase të teknologjisë që të përdorin pjesë të cilat besohet se janë kërcënim ndaj sigurisë kombëtare.

Urdhri nuk përcakton se cilat pjesë prodhimi të huaja ndalohen, por gjerësisht ai shënjestron produktet e kompanisë kineze, “Huawei”.

Vetë kompania kineze ka deklaruar se kufizimi i shitjes së produkteve të saj në SHBA nuk do të bëjë gjë tjetër përveçse dëmtimit të klientëve të saj amerikanë, përfshirë qytetarë dhe kompani. Disa vende të udhëhequra nga SHBA kanë ngritur shqetësimet se produktet e kompanisë “Huawei” përdoren nga qeveria kineze për të përgjuar.

Uashingtoni po ushtron presion ndaj aleatëve të vet për t’iu shmangur rrjeteve të teknologjisë 5G të Huawei-t, ndërkohë që në me një vendim të dytë, Departamenti i Tregtisë e radhiti kompaninë kineze në listën e kompanive, që u ndalohet blerja e produkteve teknologjike amerikane, pa patur më parë miratimin e autoriteteve.

Ekspertët paralajmërojnë se lëvizja do të përshkallëzojë tensionet mes SHBA dhe Kinës, që këto javë ka marrë përmasa edhe më dramatike me rritjen e tarifave të tregtisë në kuadër të luftës tregtare, ende të pashpallur.

Çfarë parashikon urdhri i Donald Trump?

Sipas deklaratës së Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Trump synon që të mbrojë Amerikën nga kundërshtarjët e jashtëm, që po krijojnë dhe shfrytëzojnë në masë dobësitë në infrastrukturën teknologjike për interesat e tyre. Urdhri i jep Sekretarit të Tregtisë fuqinë për të ndaluar transaksione që vlerësohen si të papranueshme dhe që përbëjnë një kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA.

Kreu i Komisionit Federal të Komunikimeve, Ajit Pai mirëpriti urdhrin e Presidentit duke thënë përmes një deklarate se ky është një hap i madh në garantimin e sigurisë së rrjetit amerikan të komunikimeve.

Deri më tani, SHBA ua kisht ndaluar disa kompanive private përdorimin e produkteve të kompanisë kineze Huawei, ndërkohë që po lobon tek aleatët që t’i qëndrojnë larg tundimit për përdorimin e teknologjisë 5G të kësaj kompanie. Australia dhe Zelanda e Re ishin dy vendet e para që iu përgjigjën pozitivisht kërkesës së Uashingtonit.

Si u përgjigj Huawei?

Kompania thotë se produktet e saj nuk përbëjnë asnjë rrezik dhe se është krejtësisht e pavarur në aktivitetin e saj nga qeveria kineze. “Kufizimi i aktivitetit të Huawei-t nuk e bën SHBA as më të sigurtë dhe as më të fortë”, deklaroi kompania.

Kompania kineze nënkupton se arsyeja e vërtetë e këtij vendimi është se ajo ndodhet një hap para konkurenteve amerikane, si Apple apo Google në përdorimin e teknologjisë 5G. “Ky ndalim do t’u kufizojë qytetarëve amerikanë përdorimin e teknologjisë së fundit të komunikimit, 5G. Kjo do të dëmtojë si qytetarët, ashtu edhe kompanitë amerikane me të cilat ne bashkëpunojmë deri më tani”, vijon deklarata.

Të martën, kreu ekzekutiv i kompanisë kineze, Liang Hua u shpreh i gatshëm që të firmoste një marrëveshje jospiunimi me të gjithë shtetet ku bashkëpunohet për teknologjinë 5G. Deklaarata u bë gjatë një takimi në Londër, pas ngritjes së shqetësimeve se kompania kineze po përdor infrastrukturën 5G si karrem për spiunazh në favor të qeverisë së Pekinit.

Huawei mohon këto akuza, ndërkohë që sa u takon pretendimeve se nga ndalimi i produkteve të saj në tregun amerikan, ata që humbasin janë vetë amerikanët dhe jo kompania, ka një të vërtetë të madhe.

Edhe pa tregun e SHBA, Huawei do të vazhdojë të zotërojë nga 40 deri në 60 për qind të rrjetit të komunikimeve në botë. Por, ajo që pritet ta dëmtojë më fort kompaninë është vendimi i Departamentit të Tregtisë që e vendos në listën e zezë, duke u ndaluar kompanive amerikane që t’i shesin produkte kompanisë kineze.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë