Lajme

Huawei zgjatim i spiunazhit kinez?

Prej kohësh qarkullojnë akuza ndaj kompanisë kineze të teknologjisë, Huawei se është një zgjatim i shërbimeve sekrete të Pekinit. Kompania cilësohet si e përkëdhelura e regjimit komunist dhe në raportet e inteligjencës perëndimore është përfolur shpesh për grumbullimin e të dhënave të klientëve të kësaj kompanie në servera ku kanë akses spiunët kinezë.

Tashmë, me zhvillimet e fundit, të paktën për ekspertët e sigurisë kibernetike e nuk ka më asnjë dyshim: Huawei është një shtojcë e shërbimeve inteligjente kineze, që operon e maskuar si një kompani hi-tech.

Ajo që ka bindur ekspertin Steven W.Mosher është reagimi i Kinës pas arrestimit nga autoritetet kanadeze të Meng Wanzhou. Wanzhou është një prej drejtueseve më të larta të Huaëei-t. E cilësuar si “princesha e teknologjisë”, ajo u ndalua në Kanada për llogari të drejtësisë amerikane, që e akuzon për mashtrime në transaksione bankare dhe shkelje të sanksioneve.

Wanzhou u ndalua më 1 dhjetor. Kina reagoi fort ndaj Kanadasë duke kërkuar lirimin e saj. Kur thirrja e Pekinit ra në vesh të shurdhër, regjimi komunist u hakmor duke ndaluar tre shtetas kanadezë.

Presidenti kinez, Xi Jinping

“Pekini ka sinjalizuar se nëse Meng Wanzhou nuk lirohet shumë shpejt, do të vazhdojë me valën e arrestimeve të shtetasve kanadezë, madje nuk përjashton se kjo valë arrestimesh të shtrihet edhe tek shtetas amerikanë”, deklaroi Mosher.

Mosher është gjithashtu edhe njohës i mirë i Kinës, aktiviteteve dhe ambicieve të saj në rajon dhe botë.

“Për mua, Huawei nuk është një kompani private. Por, nën maskën e kompanisë private është pjesë e strategjisë kineze për të dominuar në shekullin 21. Si dominohet ky shekull? Është e thjeshtë; përmes teknologjisë dhe informacionit. E para sjell të dytën dhe e dyta më pas shfrytëzohet për interesat e Partisë Komuniste”, deklaron ai për New York Post.

Huawei është themeluar që në vitin 1998. Deri në vitin 2011 kjo kompani ishte e panjohur në arenën ndërkombëtare, madje e padëgjuar edhe për vetë kinezët. Në 2011 kompania nxorri produktet e para tërësisht prodhim të sajin dhe brenda pak vitesh u shndërrua në prodhuesin e dytë më të madh të telefonave dhe pajisjeve inteligjente, fill pas Samsung.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë