Nga Gazeta ‘Si’- Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar raportin e ri të sigurisë për Shqipërinë, ku vendi vlerësohet si një destinacion ku udhëtarët duhet të tregojnë kujdes të shtuar për shkak të kriminalitetit.
Raporti është hartuar nga OSAC (Overseas Security Advisory Council), organi këshillimor i sigurisë pranë Departamentit amerikan të Shtetit, i cili përgatit vlerësime periodike mbi situatën e sigurisë në vende të ndryshme të botës për qytetarët amerikanë dhe bizneset që operojnë jashtë Shteteve të Bashkuara.
Në raport thuhet se Tirana vazhdon të konsiderohet një zonë me nivel mesatar kërcënimi nga kriminaliteti, ndërsa Shqipëria mban indikatorin “C” në këshillën amerikane të udhëtimit, që sinjalizon praninë e krimit të organizuar dhe kufizime të autoriteteve vendase për t’iu përgjigjur disa krimeve të rënda.
Sipas dokumentit, kriminaliteti në Shqipëri u rrit me rreth 17 për qind nga viti 2024 në vitin 2025, kryesisht si pasojë e shtimit të veprave të lidhura me drogën, mashtrimin dhe armët. Nga ana tjetër, grabitjet u ulën me 21 për qind, ndërsa vrasjet dhe krimet e dhunshme shënuan vitin e pestë radhazi në rënie.
Raporti nënvizon se krimi i organizuar vijon të ketë ndikim të konsiderueshëm në Shqipëri, duke përmendur aktivitetet që lidhen me trafikun e drogës, zhvatjen, pastrimin e parave, prostitucionin dhe trafikimin e qenieve njerëzore.
Po ashtu, theksohet se një pjesë e armëve dhe eksplozivëve që qarkullojnë në Evropë kanë origjinë ose kalojnë tranzit përmes Shqipërisë.
Në kapitullin për terrorizmin, OSAC vlerëson Tiranën si një zonë me rrezik të mesëm, megjithëse thekson se Shqipëria nuk ka regjistruar asnjë sulm terrorist të suksesshëm gjatë dekadës së fundit.
Dokumenti përmend si shqetësim aktivitetet e Iranit kundër organizatës opozitare iraniane MEK, e vendosur në Shqipëri, si dhe sulmet kibernetike të atribuuara Teheranit.
Raporti ndalet edhe te zhvillimet politike. Ai vlerëson se zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 ishin përgjithësisht të qeta, por kujton se misionet ndërkombëtare të vëzhgimit kërkuan reformë të thellë zgjedhore, duke ngritur shqetësime për përdorimin e burimeve shtetërore, transparencën e financimit të fushatave dhe mbulimin mediatik.
Dokumenti përmend gjithashtu protestat e opozitës pas zgjedhjeve të vitit 2025 dhe demonstratat e vitit 2026 kundër projektit turistik në ishullin e Sazanit, të cilat në disa raste u shoqëruan me incidente të dhunshme.
Për sa i përket zbatimit të ligjit, raporti vlerëson punën e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), por thekson se korrupsioni, mungesa e burimeve dhe koordinimi i pamjaftueshëm mes institucioneve vijojnë të pengojnë efektivitetin e autoriteteve ligjzbatuese.
Gjithashtu, investitorët e huaj vazhdojnë të identifikojnë korrupsionin, mungesën e transparencës dhe zbatimin e dobët të kontratave si disa nga problemet kryesore të klimës së biznesit në Shqipëri.
Në fund, raporti paralajmëron se Shqipëria mbetet objektiv i sulmeve kibernetike nga aktorë shtetërorë, përfshirë Iranin dhe Rusinë, ndërsa rikujton se gjatë vitit 2026 janë regjistruar sulme ndaj sistemeve dhe faqeve zyrtare shqiptare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje