Futboll

Ramos nuk rinovon me Realin, Juventusi hidhet në sulm për mbrojtësin

Sipas "El Chiringuito Tv", që në Spanjë është shumë popullor, bisedimet mes Realit dhe Serxho Ramosit për rinovimin janë ngadalësuar shumë ditët e fundit. Kontrata e “kapitenit të madh” skadon më 30 qershor të 2021-shit dhe në këtë moment duhej të vinte rinovimi, por palët kanë ngecur.

Drejtuesit e Real Madridit nuk i kanë bërë ende një ofertë konkrete mbrojtësit 34-vjeçar dhe në këtë situatë është e natyrshme të mendohet që Ramos po sheh rrotull për të gjetur një skuadër të re. Dhe zërat në Spanjë flasin për interesimin e dy klubeve të mëdha europiane, Juventusi dhe PSG-ja. Drejtuesit e këtyre klubeve kanë nisur kontaktet me njerëzit afër mbrojtësit spanjoll.

Serxho Ramos tregon muskujt. Gazeta Si, 13 tetor 2020

Juventusi është i pari që i ka bërë një ofertë futbollistit që ka fituar gjithçka me Real Madridin dhe Spanjën. Megjithatë, duket theksuar se Serxho Ramos ka një rrogë prej rreth 12 milionë eurosh në vit. Një shifër që është vështirë të arrihet nga një klub që ka në organikë shumë lojtarë me rroga të larta. Anën financiare mund ta përballojë PSG-ja, klubi që përvoja e Ramosit do ta ndihmonte për suksesin edhe në Ligën e Kampionëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë