Editorial

Ramën e braktisën, mbeti vetëm me Mid’hatin

Kur në ditët e fundit të muajit korrik qeveria mori vendimin për riatdhesimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit brenda mazhorancës nuk u shfaq kurrëfarë entuziazmi, por as kundërshtime për këtë vendim nuk dolën në pah.

E kështu vendimi kaloi pa shumë bujë dhe në të parashikohej që eshtrat të riatdhesoheshin në mes të muajit nëntor në kuadër të aktiviteteve kushtuar 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, ku rol themeltar pati edhe pinjolli i frashërllinjëve. Kështu ndodhi. Më 14 nëntor arkëmorti me eshtrat e Midhat Frashërit u përcoll në një ceremoni, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama. Ai ndoshta e dinte se po dilte nga linja tradicionale e Partisë Socialiste.

“Kush e sheh si provokim, bën mirë të ulë kokën e të kujtohet se sa krime bënë ata që shkruan historinë e gjysmës tjetër të Lumo Skëndos. Kush e sheh këtë arkmort dhe praninë time si Kryeministër si revansh ndaj fitimarëve, ndërsa përcjellim një figurë shumëdiemensionale, bën mirë të ulë kokën dhe të kujtohet se u rreshtuan edhe vetë kundër atij, të cilit i shkruante se nuk mund të kemi njerëz që kanë lyer duart me gjak duke bashkëpunuar me pushtuesit”, tha Rama.

Nëse në publik askush nga figurat kryesore socialiste nuk iu kundërvu haptazi, njëfarë “rebelimi” pati dhe ai u shfaq përmes pamjeve filmike gjatë ceremonisë, ku mungonin themeluesit e PS-së dhe figurat e tjera drejtuese të shtetit.

Presidenti Ilir Meta nuk ndodhej në Shqipëri dhe i shmangu vetes “sikletin” e shfaqjes në ceremoninë e njërit prej emrave që për shumë nga baza e socialistëve shikohet ende si “kolaboracionist”. Por, aty nuk u pa as Gramoz Ruçi. Kryetari i Kuvendit ndodhej në Tiranë, por edhe ai nuk u pa në asnjë cep të ceremonisë, por as e komentoi përmbushjen e amanetit të Mid’hat Frashërit.

Sigurisht që këto mungesa u vunë re edhe nga shefi i Qeverisë. Ai duhet ta ketë ditur gjithashtu se ceremonia do të ngjallte debat dhe në fjalimin e mbajtur paralajmeroi që të t’u rrihej larg paragjykimeve.

“Mjaft kemi gjykuar në mungesë. Këtu janë eshtrat e një burri të dënuar në mungesë jo nga një gjykatë por nga gjyqi i historisë së shkruar nga fitimtarët për të poshtëruar të mundurit. Mjaft kemi shpifur, mjaft me shpërdorimin e atyre që nuk janë më. Kthimi i eshtrave nuk i merr askujt historinë, apo aftësinë e arsyetimit. Një varr nuk e mbulon një njeri të vdekur, nëse ideja rron e ngjall shpresa te të tjerët. Gjithë fatkeqësia jonë ka ardhur nga shpërndarja e këtyre fuqive.” -tha Rama ndërsa theksoi se Mid’Hat Frashëri ishte e mbetet një shembull, ndërsa koha pastroftë baltën që nisëm t’ja pastrojmë sot”, tha Rama.

Vërtet balta e hedhur kundër Mid’hat Frashërit mund të kërkojë kohë që të pastrohet, por tri ditë nga ceremonia e rivarrosjes së tij ishte dita e çlirimit të Tiranës. Ceremonitë për këtë 17 nëntor munguan. Çlirimi i kryeqyteti u kujtua nga një pjesë e ish-themeluesve të PS-së përmes rrjeteve sociale, por aty mungoi reagimi i Edi Ramës.

Kryeministri që është në krye të partisë që në tre dekada ka promovuar luftën nacional-çlirimtare dhe sidomos betejën për çlirimin e Tiranës, që zgjati më shumë se tre javë, një betejë e luftuar derë më derë e dritare më dritare, heshti.

Pasi “lëvdoi” Mid’hat Frashërin dhe “harroi” 17 nëntorin, pyetet që ngrihen nuk lidhen më drejtpërdrejtë me Edi Ramën, por me filozofinë e Partisë Socialiste. A po shkëputet kjo parti nga trashëgimia e saj? A po përpiqet Edi Rama që të largojë socialistët nga idealet e tyre? Mbi të gjitha, a po shkëputet Partia Socialiste nga trashëgimia e saj e majtë?

Edhe këtyre pyetjeve vetëm koha do t’u japë përgjigje, ashtu siç Rama tha për Mid’hat Frashërin.

Shënim i Bordit Editorial


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë