Politike

Rama vlerëson turizmin. Berisha: Për të, viktimat janë vetëm statistika

Që një ditë më parë, kryeministri Edi Rama nisi nëpërmjet postimeve në Facebook një seri postimesh për arritjet në turizëm dhe numrin në rritje të turistëve që – sipas tij – kanë qenë këtë sezon në Shqipëri. Sot në faqen e tij ai ka folur për sezonin turistik në Gjirin e Lalëzit, në Shëngjin dhe zona të tjera. Ndërsa dje, duke folur për shifrat e turizmit në Vlorë, ai ka përmendur edhe viktimat e masakrës së Selenicës.

“Kemi sezonin turistik me shifrat më pozitive. Në rast se nuk do të kishim atë tragjedinë e Vlorës, ku patëm 8 të vrarë, në një masakër haluçinante, do të kishim numrin më të ulët me diferencë të vrasjeve në këtë periudhë. Pa llogaritur faktin që kemi qenë efektivë me këto krimet e vogla”, tha kryeministri Rama.

Por pas deklaratës së kryeministrit Rama, ka reaguar ashpër ish-kryeministri Sali Berisha. Duke iu përgjigjur përsëri me një postim në Facebook, Berisha akuzoi Ramën se përdhosi shpirtrat e tetë viktimave dhe i shpalli fajtorë për së vdekuri se rritën statistikën e të vrarëve në vend.

“Në një rast absolutisht të pashembull në botën e qyteteruar, Edvin Kristaq Rama nuk shqipëroi një fjalë të vetme ngushëlluese për tetë viktimat e masakrës të fshatit Resulaj të Selenicës, e cila përbëri lajm për mbarë mediat e botës, por jo për Edvinin… Për Ramën nuk ka rëndëi se humbën tetë jetë të qytetarëe, fëmijë, gra, burra tënjë familjeje të vendit të tij por se ata janë armiq, fajtorë, se rritën statistikën e vrasjeve në vend”, shkruan ndër të tjera Berisha në postimin e tij.

Nga ana tjetër, kreu i qeverisë Rama ka vazhduar të flasë për një sezon turistik të suksesshëm këtë vit. “Sezoni turistik 2018 më i pastër, më i sigurtë, më i larmishëm dhe me të hyrat më të larta në ekonomi, por edhe me plot mësime për të thelluar ndryshimin në sezonin e ardhshëm”, shkruan ndër të tjera Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë