Lajme

Rama vetëm 6 minuta me Metën, betohet si ministër i Jashtëm

Pasi ka mbyllur takimin në Elbasan me studentët, ka shkuar menjëherë drejt Presidencësm aty ku dhe ka marrë zyrtarisht detyrën e ministrit të Jashtëm, duke u betuar para kreut të shtetit.

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Ilir Meta shtrënguan duart pas një krisjeje institucionale, e cila do të zgjasë deri në plotësimin e vendeve vakante të Gjykatës Kushtetuese.

Takimi në Presidencë ka zgjatur vetëm 6 minuta, me kamerat e mediave që nuk janë lejuar ta përcjellin live ceremoninë e betimit.

Në ceremoni ishte i pranishëm edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës.

Kreu i shtetit refuzoi propozimin e parë të Ramës, duke mos dekretuar Gent Cakajn si ministër të Jashtëm, teksa renditi edhe arsyet që e çuan drejt këtij vendimi. Kjo lloj përplasjeje, mes dy prej institucioneve më të rëndësishme në vend, është e para në llojin e saj.

Më herët, edhe në rastin e ministrit Sandër Lleshaj, Presidenti refuzoi ta dekretojë me herën e parë.

Rama ka thënë se ishte i detyruar të merrte përsipër postin e ministrit të Jashtëm, në kushtet kur, sipas tij, Presidenti Meta ka shkelur Kushtetutën.

Në një prononcim për mediat jashtë sallës së Kuvendit, Rama sqaroi dje se “lufta” me Metën sapo ka nisur, pasi çështja e refuzimit të dekreteve nga Kreu i Shtetit ka shtyrë PS që t’i adresohet Gjykatës Kushtetuese dhe për këtë janë përgatitur një sërë padish që pritet të dorëzohen së shpejti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë