Politike

Rama ultimatum policisë: Kapni Balilin. Basha: Po mbron Xhafajn si Tahirin

Në ditën kur gjykata dha vendimin për shtyrjen e hetimeve edhe me tre muaj ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i akuzuar për favorizim të grupit kriminal “Habilaj”, kryeministri Edi Rama mblodhi në Ministrinë e Brendshme drejtuesit e Policisë së Shtetit, për të paraqitur shifrat në luftën kundër krimit, si dhe për t’u kundërpërgjigjur ndaj asaj që ai e cilëson "gjyle të baltës së opozitës" mbi uniformat blu dhe drejtuesit e saj.

Me lajmet e rreme apo “fake news”, Rama e ka nisur fjalimin e tij, duke theksuar se ndaj "gjyleve të baltës të lëshuara nga ana e opozitës duhet të reagohet me statistika dhe fakte".

“Po kalojmë një moment ku mbi publikun, për fat të keq edhe mbi Policinë e Shtetit, është ndërmarrë një ofensivë shpifjesh dhe fabrikimesh sa të neveritshme dhe aq dhe të rrezikshme. Bota demokratike i njeh me “fake news”, lajme të rreme, që hap si virus epidemik falë kanaleve dhe llagameve dixhitale. Për botën është diçka e re, e ardhur bashkë me epokën dixhitale dhe fuqitë e mëdha po japin e marrin për t’u përballur me këtë mortje. Për ne e re është vetëm përmasa, sepse lajmi i rremë, që në shqip është shpifja, ka qenë mes nesh dembabaden në faqet e para të gazetave dhe në edicionet informative të medieve tradicionale.

S’kam ardhur këtu mbaj një fjalim mbi fenomenin e shpifjes dhe shkaqet e tij. Kam ardhur këtu se dalldia e shpifjes nuk duhet të ndikojë në asnjë mënyrë në punën tuaj. Kam ardhur këtu sepse intensifikimi i gjyleve të baltës, në drejtim të kësaj godine dhe fëlliqësitë e hedhura mbi uniformat tuaja, si narkopolicia e të tjerë me radhë, nuk duhet t’ju shpërqendrojnë në asnjë moment nga misioni dhe qëllimi i kësaj pune”, tha Rama përpara zyrtarëve të lartë të policisë.

Kryeministri në fjalimin afro njëorësh i kërkoi nga policia që përballë këtyre sulmeve të përgjigjet me rritje të goditjes së strukturave kriminaleve, duke e cilësuar këtë si kundërpërgjigjen më të mirë.

“Jam këtu sepse ofensiva politike dhe mediatike për të krijuar te njerëzit perceptimin e pasigurisë dhe të kriminalitetit të dalë jashtë kontrollit, meriton një kundërpërgjigje dhe si kundërpërgjigje shumëfishimin imediat të goditjes ndaj krimit dhe ndaj çdo shkelësi ndaj ligjit, që nga të fortët e llojit të atyre që sollën përgjakjen në mes të Bllokut në Tiranë deri tek kundravajtësit që shkelin rregullat e qarkullojnë, dëmtojnë mjedisin. Kriza ulëritëse e politikës që synon të helmojë gjakun dhe të errësojë sytë e publikut  është mundësi që duhet shfrytëzuar për të dhënë gjithçka, një shtysë për t’ mbledhur të gjitha energjitë e brendshme duke e ngjitur në një shkallë tjetër Policinë e Shtetit”, u shpreh Rama.

Përballë sulmeve të opozitës, kryeministri ka vënë statistikat e krimeve të ndodhura përgjatë dy qeverive, demokratike dhe socialiste, por duke i cilësuar si dhe më të mira në disa raste me shtete si BE, si Italia, Greqia dhe Britania e Madhe për numrin e krimeve.

Grafiku i publikuar nga kryeministri Rama, ku krahasohet numri i vrasjeve ndër vite

“40 vrasje sivjet për periudhën janar-shtator, 43 vitin që shkloi. 54 parvjet. 84 në janar-shtator 2013-ës. Më keq akoma në 2012, 92 vrasje. Pra më shumë sesa dyfishi në krahasim me sot. Por sot ka nisur një kujë e zezë, kanal më kanal, portal më portal, foltore më foltore, banak më banak, që rreket të ushqejë popullin se krimi po bën kërdinë, se po vritet si kurrë më parë, se policia nuk po lufton krimin, por është bërë njësh me të. Krahasimet janë nga burimet zyrtarë të statistikave në Europë. Bëhet fjalë nga burimet zyrtare që i referohet edhe KE. Roma, Athina e plot qytete të tjera, e kanë më të lartë se Tirana indeksin e krimit. Tirana ka një indeks më të lartë sigurie se Roma apo Athina. Këto dy qendra janë shumë të afërta me ne dhe nuk ka shqiptarë që mund të dëshmojë se në Romë apo Athinë ka parë ndonjëherë ndonjë gërdi zifti dhe helmi, ekran më ekran, për krimin”, theksoi Rama, duke kërkuar llogari se pse këto shifra zyrtare nuk publikohen nga ministria e Brendshme.

Lufta e egër politike e mediatike vetëm do të përshkallëzohet, e sipas kryeministrit ka vetëm një arsye atë marrjes së pushtetit nga opozita jo me votë.

“Vetëm do të përshkallëzohet, më shumë shpifje, në fjalime, e postime... Pse kështu vallë? Është e thjeshtë, quhet luftë e dëshpëruar për pushtet, e të mbyturit që kërkon të përmbysë me çdo kusht dhe me çdo mjet të pushtetit që nuk u merrka me votë. Por kjo pjesë nuk është puna juaj, është e imja dhe qeverisë, puna juaj është që t’ju kundërpërgjigjeni me punë dhe me shumë rezultate se deri më sot”, theksoi Rama.

Kapni Balilin, para se të vijë ambasadorja e SHBA

Kryeministri pas ekspozesë për mbrojtjen e policisë nga “gjylet e baltosjeve” nga opozita, u fokusua në pjesën e dytë fjalimit te kritikat ndaj policisë së shtetit. E një ndër to është moskapja e shumë të kërkuarit Klemend Balili.

Klemend Balili, i superkërkuari nga DEA amerikane dhe policia e shtetit

“Nuk dua i dashur drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, të na përmendë ambasadorja e re amerikane se kemi ende pa arrestuar Klemend Balilin, ashtu si nuk dua të jenë në detyrë drejtorë e shefa, në zona, apo pika ku uniforma dhe dinjiteti vihet në diskutim nga persona të tillë, dhe makinat e pordhës së tyre, po as nga kundërvajtësit që gërryejnë lumenj, presin pemë, hedhim inerte. Unë e di që po përpiqeni për të kapur Klement Balilin apo për çdo zvarranik tjetër të botës së krimit, por ne nuk kemi më luksin të pritet qoftë edhe një pemë, nuk kemi luksin që Llogaraja të mbushet me inerte. Ju dhe policia e shtetit s’duhet të lini gur pa luajtur që kriminelët të shkojnë përpara drejtësisë, dhe jo të bëni replika”- tha Rama.

Ndërsa nuk la pa përmendur edhe rastin që trazoi politikën shqiptare, çështjen Xhisiela, e denoncuar nga ana e një ish-oficeri të policisë, Emiljano Nuhu, duke “fajësuar” strukturat se pse nuk u bënë publike kamerat e komisariatit të Krujës për ngjarjen.

“Djali i deputeti është sot aty ku e ka çuar aty ku e ka çuar drejtësia, dhe jo aty ku do ta kishte lenë dje partia. Dua një reflektim të plotë, një reagim i drejtë dhe një fakt që pavarësisht se Policia e Shtetit u godit nga brenda radhëve të saj prej një shpifësi të provuar katërçipërisht, u desh që shpifja të merrte dhenë. Kjo është e pajustifikueshme. Ku ishte drejtori i SHÇBA kur shpifësi me uniformee e solli me shkrim shpifjen e tij? Pse nuk reagoi kur u bë letra. Pse u la një shpifësi brenda radhëve të policisë, siç u krijua dhe hodhi shpifjen në kazanët e duhura dhe në pas kërkoi azil. Kujt ia kishte borxh për atë shpifje aq të rëndë. Pse iu mohua publikut shqiptar kamera e komisariatit, ndërkohë që në kamera është parë e gjithë e vërteta. Kjo që ngriti atë dallgë? Kjo është njëra anë, por nuk e justifikon dot gjithë atë baltë që mori Policia e Shtetit. U la gjithë Shqipëria të përpëlitej nga fantazitë me deputetë të armatosur që futen në komisariat. E vërteta në krahun e Policisë së Shtetit, dhe Policia e Shtetit që rri dhe pret të reagojë. Po unë s’mund ta pranoj dot që një jashtënxjerrje kaq e fëlliqur mbi policinë të marrë dhenë, nuk u jepet publikut po thjesht çohet në Prokurori. Kamerat iu dërguan prokurorisë, se kjo është njëra anë, por nuk e justifikon gjithë atë baltë që mori policia e shtetit, u la gjithë Shqipëria të përpëlitej në vorbullën e një fantazie me deputetë të armatosur që futen në komisariat dhe i vënë pushkën në ballë një punonjësi policie, që kamerat thonë se as ishte, e as kishte asgjë të kësaj natyre.

Kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botës e vërteta akoma s’ka veshur pantallonat, unë nuk e pranoj dot këtë që një provë aq vrastare për gjithë mizërinë e llafeve, nuk i jepet publikut dhe çohet në prokurori dhe aty mbyllet e papërdorshme se është provë hetimore. Një film me krim për vëllanë, një video me krim për djalin, për krushkun, krimi këtu, Taulanti nuk diskutohet, Fatmiri po, unë as diskutohet”, tha Rama.

Reagimi Bashës

Për këtë takim ka reaguar kryedemokrati Lulzim Basha, duke e cilësuar fjalimin e Ramës, të ngjashëm me atë që bëri një vit më parë me ish-ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri.

Ai e shoqëron reagimin e tij dhe me një video të një takimi të Ramës me drejtuesit e policisë së shtetit kur Tahiri ishte ministër, ku kryeministri mbronte “baltosjen e policisë nga sulmet e opozitës”.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/243878462967956/

“Siç mbronte dje Tahirin dhe kupolën e trafikut të drogës në polici, mbron sot Xhafën dhe Veliun. Rama, Xhafa, Balla, Prela duhet të ishin sot nën hetim, dhe Ard Veliu në arrest, për fabrikimin e provave dhe pengimin e drejtësisë për të mbrojtur narkotrafikantin Agron Xhafaj!”, shkruan Basha.

Ndërsa në videon e postuar nga Basha, kryeministri deklaronte se “puna e tij meriton çdo lëvdatë, meriton edhe gjylet e përditshme të baltës së SHQUPIT, që janë në fakt komplimenti më i mirë për punën e ministrit edhe të gjithë ekipit të ministrisë së Brendshme dhe të drejtuesve të Policisë së Shtetit”.

Më pas kryedemokrati doli në një deklaratë për median ku kërkoi marrjen në hetim të Taulant Ballës dhe arrestimin e drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu për audiopërgjimin “Babale” dhe videon e nxjerrë nga PD të Fredi Alizotit.

“Ju bëj thirrje prokurorëve të ndershëm që t’i rezistojnë urdhrave të paligjshëm dhe arbitrarë të Arta Markut dhe Donika Prelës  që janë vënë në shërbim të Edi Ramës dhe krimit për të shkatërruar hetimet dhe provat. Besnikëria juaj duhet të jetë ndaj Kushtetutës, ligjit, ndaj drejtësisë, ndaj popullit, jo ndaj politikanëve të inkriminuar dhe drejtuesve tuaj shërbëtorë të krimit. Ju bëj thirrje burrave dhe grave me kurajë në Prokurori, që në zbatim të ligjit dhe në kundërshtim të urdhrave kriminalë e të paligjshëm, të nxjerrin menjëherë fletarrestet për Ardi Veliun dhe Drejtorin e Policisë së Fierit, të nisin menjëherë pa humbur kohë procedurën e heqjes së imunitetit dhe marrjes së pandehur të Taulant Ballës, dhe të nisin hetimin për pengim të drejtësisë ndaj Edi Ramës, Fatmir Xhafës dhe Donika Prelës.

Provat janë të qarta dhe ulëritëse, dhe nga vetë fashikujt zyrtarë të përgjimit të Prokurorisë del zbuluar se si kupola e Policisë dhe e Prokurorisë, me përfshirjen e Taulant Ballës dhe nën mbrojtjen e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës ka gjetur, manipuluar dhe paguar një dëshmitar të rremë për të shpëtuar narkotrafikantin Agron Geron Xhafaj, vëllain e Ministrit të Brendshëm.

Veproni sa nuk është vonë. Veproni jo vetëm sepse kështu jua kërkon ligji dhe Kushtetuta, por vetëdijesohuni se nga veprimi dhe mosveprimi juaj sot varet jo thjesht dhe vetëm zbatimi i ligjit, por stabiliteti i vendit dhe paqja sociale. U bëj thirrje policëve të ndershëm që të mos rreshtohen përpara kryeministrit, me kokën e ulur duke gëlltitur se si ai shan, fyen, kërcënon ata mes jush që denoncojnë krimin në qeveri. Mos pranoni që të trajtoheni si shërbëtorë të kryeministrit, mos lejoni që të trajtoheni shërbëtorë të krimit. Bashkojuni kolegëve tuaj kurajozë që përballen njësoj me krimin dhe kriminelët me kostum që ju drejtojnë”, deklaroi Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë