Futboll

Rama u përgjigjet Ligës dhe FSHF-së: Nuk ka më futboll në të zezë

Pak orë pasi Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së miratoi kërkesën e Ligës Profesioniste për shtyrjen e kampionatit të Superiores, pasi qeveria nuk po plotëson kushtet e kërkuara prej saj, ka reaguar Kryeministri i vendit, Edi Rama. Ai u është përgjigjur “flakë për flakë” klubeve, duke theksuar se ka ardhur koha që futbolli të mos jetë më në të zezë, ndërkohë që mohoi të ketë pasur një kërkesë zyrtare nga Liga. Mes të tjerash, Rama theksoi:

“Nuk kam pasur asnjë kërkesë zyrtare për të diskutuar. Kemi bërë një sërë ndryshimesh për sportin dhe futbollin në veçanti. Nëse ka dialog, ka mundësi për të parë më tutje, nëse mund të bëjmë diçka më shumë, jemi gati ta bëjmë. Por, që futbollistët të vazhdojnë të trajtohen si skllevër, në informalitet të plotë, të marrin rroga më të mëdha se gjithë të tjerët në këtë vend dhe të jenë të pasiguruar, nuk bëhet. Nuk mund të deklarohen si punonjës fasonesh, me rrogë minimale.

Kemi krijuar hapësirën që të mund të deklarojnë për një periudhë të caktuar pa paguar tatim fitimi, por duke qene të detyruar të deklarojnë një pagë mbi një nivel të caktuar, siç është vërtet. Këtë teatër me klube dhe futbollistë skllevër që nuk i paguajnë shtetit asgjë dhe janë në të zezë, duhet ta përfundojmë. Duhet një qasje mirëkuptuese. Nëse bëhet fjalë për përmirësim, nuk ka problem. E mira s’ka fund, le të vijnë të flasin. Kanë bojkotuar kampionatin, është vendimi i tyre, nuk marrin urdhra nga ne dhe nuk i detyrojmë që të mos e bojkotojnë kampionatin.

Ata duhet të mendojnë pse kanë kaq pak spektatorë, pse ka kaq shumë dhunë. Çfarë është ky shembull banal që i jepet shoqërisë? Një ligë Superiore që jeton në informalitet të plotë dhe vepron në të zezë. Kur vjen puna për të marrë lekët, i merr edhe nga UEFA, edhe nga rrugët e tjera. Tavolina ime është gjithmonë e hapur për të gjithë. Nuk më duket e drejtë t’i kërkohet qeverisë dhe shoqërisë ta suportojë më tutje këtë situatë.

Këtu është diçka e bërë me bindje që të formalizohet futbolli. Po të marrim dhe të shikojmë shifrat sa ka bërë kjo qeveri, duhet të ketë një konsensus dhe angazhim për të biseduar. Nuk jam unë që po shqetësohem se ata po bojkotojnë vetveten. Duan të bojkotojnë vetveten, malet e tyre më të larta…”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë