Politike

Rama për Xhisielën: Dhuna e pafalshme! Basha: Mbron krimin dhe përdhunuesit

Në një postim në Twitter, kryeministri i vendit Edi Rama ka reaguar mbi çështjen e Xhisiela Malokut, e cila ka deklaruar se është përdhunuar dhe kanosur  nga shtetasi Rexhep Rrahja, që rezulton të jetë edhe i biri i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rrahja.

“Dhuna ndaj vajzës është e pafalshme” ka shkruar Rama, ndërsa ka shtuar se po aq të pafalshëm gjykon edhe atë që ai e quan abuzim politik me vajzën. “Policia ka bërë detyrën pa i bërë asnjë favor djalit të deputetit” shkruan më tej kryeministri.

“Ata që hungërijnë si derra në llucën e gërrgërreve politike e mediatike po ridhunojnë vajzën”, vijon më tej në postimin e tij kryeministri, duke përfunduar se askush nuk është mbi ligjin.

Postimi i plotë në Twitter i Kryeministrit:

“Dhuna ndaj vajzës është e pafalshme! Po aq i pafalshëm është abuzimi politik me vajzën. Policia ka bërë detyrën pa i bërë asnjë favor djalit të deputetit. Ata që hungërijnë si derra në llucën e gërrgërreve politike e mediatike po ridhunojnë vajzën. Për ne askush nuk është mbi ligjin.”

Më vonë gjatë ditës, duke folur nga Korça për rastin e Fushë-Krujës dhe oficerin Nuhu, Rama tha: “Një horr i kthyer në hero, ka braktisur detyrën dhe ka përdorur rastin për të fituar azil. Nuk do t’i ndahemi atij horri”.

Më pas, ai foli për vajzën e dhunuar, duke u shprehur se ajo meriton vetëm drejtësi. Më tej, ai tha se PD, mediat dhe analistët, e kanë kthyer në “mish për topat” e tyre politike dhe mediate.

“Për mua askush nuk është mbi ligjin. Ne këtë qëndrim e kemi jo vetëm me fjalë, por e kemi materializuar sa herë jemi ballafaquar me faktet, ndryshe nga të tjerët. Së pari, jetojmë në një kohë dhe fatkeqësisht në një mjedis ku kjo kohë e mbrapsht e shpifjes së kthyer në terror informativ për qytetarin mishërohet te partia kryesore e opozitës, si zëdhënëse kryesore e kësaj. Unë nuk jam këtu për t’u përgjigjur akuzave haluçinante, të pabazuar si për mua ashtu edhe për kolegët. Sa i përket vajzës, së pari Policia ka bërë detyrën në përputhje me ligjin dhe djali i deputetit nuk ka pasur asnjë trajtim preferencial. Për shkelje të procedurës, një oficer është pushuar nga puna. Vajza e dhunuar meriton vetëm një gjë, drejtësi. Unë mbështes organet e drejtësisë që ta çojnë çështjen deri në fund. Së treti, abuzimi publik me vajzën e dhunuar dhe transformim i dramës së saj në një motiv dhune politike është një ridhunim i vajzës, nga PD, mediat dhe analistët, të cilët e kanë kthyer në mish për topat e tyre politike dhe mediate”, tha Rama.

Ndërkohë, Kryeministri foli edhe për akuzat ndaj Taulant Ballës, si i përfshirë në lirimin e djalit të deputetit, duke i cilësuar ato si qenëri e neveritshme. “Sulmi ndaj Taulant Ballës dhe përfshirjen e mediave qoftë edhe me indiferencë ndaj tij, e cilësoi si një qenëri e neveritshme. Sa i përket të atit të djalit, nëse nga hetimi do të ketë një provë të përfshirjes së tij, atëherë më pyesni mua çfarë qëndrimi kam unë”, tha Rama.

Edhe Basha kundërpërgjigjet në Twitter : Rama mbron përdhunuesit

Edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zgjedhur platformën e Twitter-it për t’iu përgjigjur statusit të Edi Ramës, i cili dënonte dhunën ndaj Xhisiela Malokut, po aq sa edhe abuzimin politik që po i bëhej asaj. Basha ka shkruar se kryeministri Rama vijojnë të mbrojë përdhunuesit dhe në vend të dalë në mbrojtje të vajzës së dhunuar, vijon planin kriminal duke amnistuar kriminelët e grupit të tij parlamentar.

“Edi Rama është i zhytur aq thellë në kalbësirën e krimit dhe drogës të pushtetit, sa nuk ka më asnjë gram ndjeshmërie prindërore për një vajzë të përdhunuar dhe të torturuar nga banda e tij. TURP! Në vend që të mbrojë vajzën jetime, amniston përdhunuesin dhe kriminelët e grupit të tij parlamentar Taulant Balla dhe Rrahman Rraja, njësoj siç bëri me përdhunuesin Elvis Roshi dhe trafikantin e vajzave Arben Ndoka. Krimi shtetëror është projekti personal i Ramës. Ne do ta çmontojmë nga rrënjët! Politika do të pastrohet nga krimi”, shkruan Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë