Kryeministri Edi Rama thumboi edhe njëherë Bashkimin Europian për çështjen e vaksinës antiCovid, një temë kjo që ka sjellë dhe reagimet e disa prej selive diplomatike të unionit në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Rama tha se BE nuk pa përtej vetvetes në këtë proces të rëndësishëm, në këtë moment të pandemisë, dhe i la vendet e Ballkanit vetëm në mundësinë e arritjes së marrëveshjeve dypalëshe me kompanitë që kanë krijuar vaksinën.
“Besoj se e keni ndjekur deklarimin e OBSH që foli me shqetësim për katastrofën morale në nivel global për shkak të mosgarantimit të barazisë së aksesit në vaksinim. Kjo është një temë që për ne që jetojmë në mes të Evropës në një rajon që nuk janë pjesë e BE nuk është e panjohur. Për fat të keq në konceptin e planifikimit të marrjes së aksesit në vaksinim përmes Pfizer, BE nuk pa përtej kufijve të vetvetes dhe e la fatin e vaksinimit të njerëzve në rajonin tonë në atë që u quajt për mundësi për marrëveshje bilaterale gjë që ka bërë që sot që përveç Shqipërisë dhe Serbisë, asnjë vend nuk ka nisur me vaksinimin”, u shpreh Rama.
Lidhur me këto deklarata i menjëhershëm është edhe reagimi i kryedemokratit Basha.
Numri një i demokratëve shprehet se BE ka qenë pranë Shqipërisë në ditët më të vështira dhe shtoi se Rama ka zgjedhur të sulmojë të tjerët për keqqeverisjen e tij.
"Shqipëria ka numrin më të lartë të bizneseve të mbyllura në rajon, ka numrin më të lartë të qytetarëve që humbën vendin e punës, ka ndihmën më të vogël ekonomike që një qeveri ka dhënë për qytetarët e saj, ka hajdutërinë më të lartë në Europë ndërsa Tirja në krye të qeverisë si asnjë kryeministër tjetër vazhdon të sulmojë BE-në. Për 8 vjet mashtrime, dështime, vjedhje, varfëri fajin nuk e ka BE-ja, fajin e ka Tirja i qeverisë që i vjedh shqiptarët dhe u mohon edhe bukën e fëmijëve. Edhe një herë Rama fajëson të tjerët për qeverinë më të keqe në historinë e Shqipërisë. BE ka qenë dhe është pranë nesh në ditë të mira e të vështira. Mirënjohja e shqiptarëve nuk do të mungojë kurrë. Pas 25 prillit ne do ta rikthejmë Shqipërinë në rrugën e duhur drejt destinacionit tonë të vetëm që është integrimi në BE”, shkruan Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.