Politike

Rama: Valdrini gënjeu! Ndryshojmë dekriminalizimin. Basha: Të largojmë Ramën

Rasti i Valdrin Pjetrit e ka bindur Kryeministrin Edi Rama për nevojën e ndryshimit të ligjit të dekriminalizimit. Përmes një serie postimesh në Twitter, kreu i Qeverisë thotë se është koha për të vendosur në ligj afate verifikimi shtetëror para regjistrimit të kandidatëve në zgjedhje.

“Partitë nuk verifikojnë dot të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit. Ato merren vetëm me kërkesë nga policia ose prokuroria. Koha të fusim në ligj afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje! Një kandidat që gënjen në mirëbesim dhe në formularin e vetëdeklarimit s’mund të lerë në baltë zgjedhësit dhe partinë që e ka besuar. Ai duhet të përjashtohet nga gara pa mundur të regjistrohet në zgjedhje dhe ta marrë të plotë gjithë përgjegjësinë e vetëdeklarimit të rremë”, shkruan Kryeministri.

https://twitter.com/ediramaal/status/1162279511485845504

Rama propozon që të nisë verifikimi i të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve e punonjësve shtetëror që kanë firmosur formularin e dekriminalizimit.

“Është koha të nisë verifikimi shtetëror i të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit që kanë firmosur.Çdo vetëdeklarim i rremë duhet të sjellë përjashtim dhe dënim penal.Përgjegjësia individuale s’mund të ketë më asnjë fije kosto kolektive”, thotë ai.

Rama thotë se Valdrin Pjetri nuk mund të quhet kriminel për një ngjarje që ka ndodhur kur ishte 19 vjeç, por fshehjen e kësaj ngjarjeje e cilëson të patolerueshme.

Lulzim Basha ndan një tjetër qëndrim. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i Partisë Demokratike thotë se jo vetëm Valdrin Pjetri është kriminel, por edhe vetë Kryeministri.

“Krahasuar me Edi Ramën, Valdrin Pjetri është një kriminel i rangut të tretë, një trafikant i dënuar droge që ka fshehur të kaluarën e tij. Është Edi Rama ai që futi në politikë dhe zyrat e shtetit dhe i bëri deputetë, kryebashkiakë e zyrtarë të lartë dhjetëra kriminelë me rekorde të tmerrshme kriminale, trafikantë, përdhunues e deri vrasës”, shkruan Basha.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/391432661726436/

Basha thotë se Rama është kërcënim për jetën dhe sigurinë e çdo familjeje shqiptare.

“Gjatë regjimit të tij, Shqipëria u kthye në parajsën e krimit të organizuar dhe të pastrimit të parave të pista nga trafiku i drogës dhe korrupsionit. Krimi dhe Edi Rama janë të pandashëm. Që të largojmë krimin duhet të largojmë Edi Ramën”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë