Politike

“Pjetri”, Prokuroria letër PD: Provat nga Italia, afat deri në 3 muaj

Prokuroria e Përgjithshme ka nisur procedurën e “skanimit” të figurës së Valdrin Pjetri kandidatit fitues për zgjedhjet lokale në bashkinë e Shkodrës. Prokuroria e Përgjithshme me anë të një letre i ka kthyer përgjigje zyrtare pretendimeve të PD-së se po vonohet qëllimisht procedura e verifikimit të të dhënave për Pjetrin, personi që pas akuzave të forta të opozitës dha dorëheqjen, duke refuzuar marrjen e detyrës.

Me datën 6 gusht, Prokuroria në letrën drejtuar për numrin dy të PD-së, Gazment Bardhi, e cila disponohet nga Gazeta SI, ka marrë në dorëzim formularin e deklarimit të Pjetrit të depozituar në KQZ-së, si provë, si dhe më pas i ka dërguar shkresa për verifikim Zyrës së Gjendjes Gjyqësore, Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, Drejtorisë së Policisë së Shtetit, organeve të prokurorisë (prokurorive pranë gjykatës së shkallës së parë, prokurorive pranë gjykatës së apelit, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda).

Gjithashtu me anë të kësaj letre bëhet e ditur se më 9 gusht, Prokuroria i ka kërkuar “shtetasit Valdrin Pjetri të depozitojë gjurmët e tij daktiloskopike (shenjat e gishtërinjëve) pranë Institutit të Policisë Shkencore”.

Letra e Prokurorisë drejtuar sekretarit të Përgjithshëm të PD-së

Ndërsa mësohet sipas burimeve, se Pjetri akoma nuk ka shkuar në Prokurori për të kryer procedurën e marrjes së shenjave të gjurmës së dorës. Kjo procedurë pritet të realizohet në ditët në vijim.

Për Pjetrin, organi i akuzës kërkon të realizojë verifikime edhe në Itali në shtetin ku PD-ja e akuzon se ka kryer veprën penale dhe është dënuar. Për sa i përket procedurës së verifikimit jashtë territorit të Shqipërisë, më 6 gusht, Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar pranë Drejtorisë së Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit, si dhe pranë Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për verifikim të mëtejshëm nga autoritetet e drejtësisë italiane, duke iu kërkuar këtyre të fundit vënia në dispozicion e çdo lloji vendimi penal të dhënë nga gjykata, vendim për masa sigurimi personale apo vendime dëbimi, në emër të shtetasit Valdrin Pjetri.

“Në vijim të kësaj procedure, më datë 14.08.2019, Prokuroria e Përgjithshme ka përcjellë pranë Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për ndihmë juridike për subjektin Valdrin Pjetri, duke bashkëngjitur të dhënat kriminale të dënimit penal në shtetin italian, të vëna në dispozicion me shkresën tuaj nr. 121/2 prot., datë 13 gusht 2019”, thuhet në letrën e firmosur nga Adnan Xholi, Drejtor i Drejtorisësë Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë dhe e Verifikimit të Integritetit të Personave që Zgjidhen Emërohen ose Ushtrojnë Funksione Publike.

Më tej sqarohet se për procedurën e nisur, do të veprohet sipas afateve të përcaktuara në kreun 5, pika 9, të vendimit nr.17 të Kuvendit “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Në këtë dispozitë për procedurën e verifikimit të Pjetrit ka tre muaj afat, por ajo mund të kërkojë edhe më tepër kohë.

“Verifikimi përmbyllet brenda një afati 3-mujor nga momenti i ardhjes së kërkesës për verifikim, me përjashtim të rasteve kur Prokurori i Përgjithshëm vendos zgjatjen e këtij afati, kur është e nevojshme që të pritet përgjigje ndaj kërkesave për verifikime të hollësishme pranë organeve të juridiksioneve të huaja, kur ka informacione dhe është e nevojshme që verifikimi të kryhet edhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në pikën 9 të kreut V të këtij vendimi.

Më 13 gusht, PD-ja, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi, i drejtoi një letër Prokurorisë së Përgjithshme, ku i vihet në dukje se 13 ditë pas kërkesës për verifikimin e të dhënave për Pjetrin nuk ka pasur një reagim institucional të shpejtë, duke mos vepruar sipas ligjit “Për Dekriminalizimin”.

Shkresa e Bardhit drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme


“Për fat të keq, ky reagim nuk ka ardhur ende, duke zhbërë qëllimin primar që ka ligji i dekriminalizimit.” – thuhet në komunikimin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD me Prokurorinë e Përgjithshme.

Sipas këtyre të dhënave të opozitës rezulton se Valdrin Pjetri është i dënuar nga Gjykata e Firences, me vendimin e formës së prerë të datës 12 Qershor 2003, me 18 muaj burg dhe 1000 Euro gjobë, për veprën penale “shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope”, të kryer në bashkëpunim.

Për shkak të vonesës gati dyjavore të prokurorisë, PD i kërkoi organit të Akuzës që ta informojë atë dhe opinionin publik mbi procedurat e verifikimit që ka nisur dhe rezultatet e deritanishme të këtij verifikimi. “Çdo vonesë e pajustifikuar për rezultatin e këtij verifikimi është rreshtim në anën e krimit të organizuar dhe promovimit të tij në funksione të larta publike.”-thuhet në letrën e Bardhit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë