Kryeministri Edi Rama komentoi programin ekonomik të Partisë Demokratike dhe sidomos shtyllën e këtij programi që është taksa e sheshtë në nivelin 9 për qind.
Rama tha se me këtë taksë, të vetmit që përfitojnë janë ata që opozita i quan “oligarkë”.
"Dihet botërisht që taksa e sheshtë është për të pasurit. Vetëm nga taksa e sheshtë oligarkët do të marrin në vit nga buxheti i shtetit mbi 50 milion euro, para të cilat sot i fusin në buxhet si taksë", u shpreh Rama.
Kryeministri thotë se sot në Shqipëri nuk ka oligarkë dhe shprehet se Qeveria e tij ka zgjeruar hapësirën e aksesit për kompanitë private që përfshihen në realizimin e punëve publike, duke rritur konkurrencën.
Rama mbrojti edhe partneritetin publik-privat. Ai përmendi si modele suksesi koncesionet e dhëna sipas kësaj skeme në shëndetësi, duke u ndalur tek “Check Up”, i akuzuar si korruptiv nga opozita dhe i paditur në SPAK nga Nisma Thurje. Tjetër model suksesi që mori Rama ishte koncesioni për ndërtimin e Rrugës së Arbrit.
Basha nga ana tjetër reagoi duke i cilësuar tallje me qytetarët akuzat se programi ekonomik i Partisë Demokratike favorizon të pasurit. Ai thotë se në 8 vite qeverisjeje, Edi Rama i ka shërbyer vetes dhe ortakëve të tij dhe jo shqiptarëve.
“Shqiptarët duan ndryshim. Ndaj me 25 prill Shqipëria fiton dhe Rama humb”, shkruan Basha.
Me kë tallet akoma ky? Për 8 vjet Rama i ka shërbyer vetëm vetes, miqve të tij, ortakëve të tij, por jo shqiptarëve. Për 8 vjet shqiptarët kanë humbur, Rama dhe miqtë e tij kanë fituar. Shqiptarët duan ndryshim. Ndaj me 25 prill Shqipëria fiton dhe Rama humb.
— Lulzim Basha (@lulzimbasha_al) January 30, 2021
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.