Politike

Rama përplaset me Mitsotakis në Bruksel. Greqia e prerë për veton e Belerit

Nga Gazeta 'Si'-Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij grek Kyriakos Mitsotakis biseduan për pak çaste këtë të mërkurë në Bruksel, teksa zhvillohej samiti BE-Ballkani Perëndimor.

Bëhet fjalë për një takim jo formal që palët patën teksa afroheshin për të realizuar foton familjare.

Ky takim vjen në një kohë kur Greqia kërcënon me veto Shqipërinë, për çeljen e kapitujve të negociatave dhe mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE për çështjen ‘Beleri’.

Nuk dihet nëse në këtë takim të shkurtër është prekur kjo temë.Pas këtij momenti u vijua me foton tradicionale familjare, në të cilën kryeministri Edi Rama u shfaq krah kryeministres italiane, Giorgia Meloni.

Ndërkohë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, të pyetur për pikërisht për veton e Greqisë ndaj Shqipërisë, Ursula Von Der Leyen dhe Charles Michel nuk dhanë një përgjigje specifike për këtë çështje.

Megjithatë ata deklaruan se janë optimistë dhe se vendet duhet të vlerësohen në bazë të ecurisë dhe të meritokracisë së tyre.

Pavarësisht kësaj, sipas mediave greke nuk ka premisa për çtensionim të marrëdhënieve dypalëshe, pasi Mitsotakis e ka bërë të qartë para Ramës dhe liderëve të BE-së se Greqia do të vendosë veton për të bllokuar fazat e ardhshme të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë nëse nuk ka një lëvizje të qartë që lejon Belerin të betohet si kryebashkiak.

Protothema dhe Kathimerini duke cituar burimet qeveritare në Athinë raportojnë se Mitsotakis është shprehur se çështja e marrjes së detyrës nga Beleri dhe e drejta e tij për një gjykim të drejtë nuk është një çështje dypalëshe midis Greqisë e Shqipërisë, por një çështje respekti për shtetin e së drejtës, që përbën në vetvete kurorën e procesit të anëtarësimit.

“Greqia pranoi dërgimin e raportit të BE-së në Tiranë për hapin e parë të fillimit të negociatave, por me kusht që në fazën tjetër të procesit të ketë një lëvizje të qartë që Fredi Beleri të marrë përsipër detyrat dhe të respektojë të drejtën e tij për një gjykim të drejtë, si dhe prezumimin e pafajësisë. Përndryshe, Greqia nuk do të pranojë fazat e ardhshme të procesit të anëtarësimit. Një parakusht themelor është respektimi i vlerave themelore evropiane dhe reformat në lidhje me shtetin e së drejtës dhe veçanërisht mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e minoriteteve”, thonë burimet nga Kryeministria në Athinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë