Politike

Rama, studentëve: Në janar do të paguani 50% më pak të tarifës

Përballë protestës së studentëve refuzues, në ditën e 14 të saj, kryeministri Edi Rama duket se ka ndërmarrë vetë iniciativën për të krijuar takime publike e jo publike, duke i transmetuar në ERTV në Facebook. Pas përballjes së fshehtë te Fakulteti i Gjeologji-Minierave mbrëmjen e së hënës (ku më shumë kishte pedagogë se studentë), kryeministri u shfaq sot papritur në një takim të organizuar në Universitetin Bujqësor me studentë dhe pedagogë.
Rama duket se këtë takim e kishte organizuar "në fshehtësi të plotë", pasi një nga studentet e pranishme u shpreh se ishin njoftuar se do të ballafaqoheshin me rektorin për plotësimin e tetë pikave dhe jo se do të ishte i pranishëm edhe shefi i qeverisë. “Tarifat janë rritur. Unë jam studente e Financë-Kontabilitet dhe paguaj 320 mijë për tarifën. Ndërkohë dy kurset e tjera paguajnë 300-350. Pres përgjigje. Ose nga ju kryeministër, ose nga Rektori. Janë rritur apo jo tarifat? Nuk më pëlqeu fakti që Rektori na gënjeu pasi nuk na tha për këtë takim. Madje nuk na tha asgjë që do të vinit këtu. Ndaj unë jam e para që po braktis mbledhjen. Rektori po na gënjen dhe po na rrit tarifat. Unë po braktis mbledhjen se ju po na përçani”, tha ajo. Kjo u shoqërua me duartrokitje nga studentët, çka solli edhe irritimin e vetë shefit të qeverisë. Kryeministri Rama iu kundërpërgjigj duke thënë se nuk zgjidhej kjo çështje duke duartrokitur dhe pa marrë përgjigje dhe duke braktisur sallën.

Studentja që kontestoi praninë e kryeministrit, pasi nuk ishin lajmëruar, e më pas braktisi mbledhjen


“Megafonin e kam përdorur edhe unë. Këtu kam qenë edhe unë, por megafoni është shumë i nevojshëm kur nuk të dëgjon njeri, por në momentin ku pala ku i bërtet megafoni dhe i thotë hajde ulemi, refuzimi, pesha bie mbi ty, refuzimi nuk është argument.
E folura me folës pa argument nuk është vlerë e shtuar. Por mua më duket se jemi shumë larg nga ato studentët e dhjetorit të parë, sepse ata studentët e dhjetorit tjetër u ngritën kundër një regjimi, që edhe mund të nxirrte edhe tanket në rrugë, pavarësisht se mbrapa thanë se ishte i dobët. Ata kërkuan që regjimi të ulet në tavolinë, dhe i vajtën përballën me përfaqësuesit më të lartë të diktaturës. Me cilët mendoni se do të t’i zgjidhni kërkesat? Me atë variantin plotëso këto dhe flasim, asnjëherë! Rrezikoni të humbni këto që krijuat këto vetë. Kam tetë pika, doni t’i trajtoni si çdo universitet ka specifikat e veta. Doni t’i trajtoni këto apo doni të duartrokisni kur një thotë po largohem”, u drejtua Rama, studentëve. Por studentja që ngriti shqetësimin braktisi sallën ku po organizohej takimi.

Studenti që i kërkoi Ramës, besim për nga Qeveria se do t'ua plotësojë kushtet

I gjendur përballë këtyre akuzave, rektori i universitetit Bujqësor, Bahri Musabelliu, tha se organizoi këtë takim, pasi nuk kishte “këllqe” për të diskutuar mbi plotësimin e të gjitha kërkesave që kanë ngritur studentët prej 14 ditësh, apo për uljen e tarifave. Ndërsa hodhi poshtë diskutimet se janë rritur tarifat. Pas shtensionimit të situatës, kryeministri e kthyeu këtë përballje në një pyetje-përgjigje. Për sa i përket pikë për vendosjen 5% të PBB-së së buxhetit për arsimin, Rama bëri të ditur se kjo kërkesë nuk plotësohet, jo sot, por as pas tre vitesh. Sa i përket tarifave kryeministri gjithashtu bëri të ditur se shteti do të ndërhyjë në rimbursimin e tyre, pasi nuk preket ligji “Për Arsimin e Lartë”, me argumentimin se Univeristetet kanë autonomi.

“Tarifa nuk është çështje se hiqen, tarifat janë pjesë e kostos, qeveria paguan për gjithë studentët 75% të tarifës tuaj, e 25% që e paguani ju. Asnjë student nuk paguan më shumë se 50%. Ne do t’i përgjysmojmë ato dhe për ata që marrin 4 apo 5 në shkollë, por kjo me afat. Po ju them unë lërini protestën e flasim? Qeveritë zakonisht kështu bëjnë, unë nuk e them fare. Unë them që për çështjet që kemi ngrit hajde flasim, kemi humbur 14 ditë. Unë nuk thashë se do të ulim tarifat vetëm për ekselentët, për të gjithë, por me shkallë, 50% është minimumi që do t’i paguajë shteti, jo i uljes, por i pagesës. Me notat 8-9 do të kenë 70%. Ata me notën 10, 100% të tarifës. Ata studentë me ndihmë ekonomike të paguar nga ne dhe me bursë në fazën e parë, të gjithë 50%, të përmirësohen dhe po të marrin rezultate do të rishikohen, do t’i paguajë shteti”, theksoi Rama

Për të realizuar këto, shefi i qeverisë theksoi se “do të bëjmë një pakt që do të jetë i shkruar, nëse nuk e miratojmë mund ta tundni dokumentin”.

“Unë kam lexuar dhe dëgjuar vetëm thirrjet plotëso kërkesat. Ju jeni bashkuar në këtë thirrje dhe çështja është pezull. Duhet ta kuptoni se qeveria nuk është një dyqan, Amazon.com, dhe bën kërkesën dhe vjen malli, nuk funksionon një gjë e tillë. Duhet që të kuptoni se në këtë rast, qeveria dhe unë personalisht nuk kemi asnjë refuzim, se mund themi se nuk jemi dakord. Mund të thoshim se s’jemi dakord me këto pika, nuk i plotësojmë dot, se nuk përputhen me mundësitë dhe planin tonë. S’kemi thënë dhe kemi deklaruar dhe kemi thënë “Po” jemi dakord dhe janë shumë pika të arsyeshme, madje në këtë moment ka edhe shumë gjëra të tjera që duhen adresuar. Ndërkohë me aq sa kam dëgjuar, me aq sa kam mundur të kap në valën e zërave prapa barrikadës, janë gjëra të tjera që nuk janë shkruar aty dhe janë të rëndësishme, plus çdo universitet ka të vetat që janë specifike, që nuk janë çështje të tjera. Dhe këto duhen diskutuar, sepse ky është momenti më i mirë për të pasur një sens për t’i bërë. Unë kam lexuar dhe dëgjuar vetëm thirrjet plotëso kërkesat. Ju jeni bashkuar në këtë thirrje dhe çështja është pezull”, deklaroi Rama.

Por, studentët kanë këmbëngulur që ata duan nga qeveria një besim se do t’i plotësojë këto kërkesa dhe pas gati tre orë debatesh kryeministri duket se ka dhënë tërheqjen e parë.

“Në janar nuk do ta paguani tarifën 50% më pak, për studentët bachelor, do ta shikoni, deklarata zyrtare nuk bëj unë, sepse nuk më ke marrë peng ti mua. Fjala është këtu dhe janari vjen tani, nëse ju do të thonë se qeveria se nuk do ta paguajë keni të drejtë. Tarifa për gjithë studentët do të jetë 50% më pak, ndërkohë që ne punojmë për ato me nota me 9 apo 10. Nëse nuk është kështu atëherë dilni e protestoni me megafon. Në janar keni provën. Deri në 20 janar është zgjidhur kjo, por deklaratë me shkrim ta harrosh ti, se mos e do edhe të noterizuam”, theksoi Rama.
Ndërsa të gjithë ministritë do të kenë në patronazh universiteteve, sipas specifikave që kanë, për investuar në kërkimet shkencore, por mbi të gjitha ata janë caktuar për të punësuar studentët ekselentë.
Ndërsa kryeministri bëri të ditur se ka gati vendimin për të shkarkuar të gjithë anëtarët e Bordit të Administrimit, duke ndryshuar mënyrën e pranimit të anëtarëve të këtij bordi, ku përfaqësues janë të propozuar nga qeveria.

Ndërsa pas takimit mbi tre orësh, kryeministri Edi Rama duken shpallur dialogun me studentët për zgjidhjen e 8 pikave që kanë parashtruar studentët, ka falenderuar studentët pjesëmarrës. Nëpërmjet një postimi në “Twitter”, kreu i qeverisë e vlerësoi dialogun me pedagogë dhe studentë të Universitetit Bujqësor. Ai shprehet se të gjithë “dolëm më të informuar lidhur me Pse-në e Dialogut, pra ka rezultuar i dobishëm dhe askush nuk tradhtoi askënd”.
Gjithashtu Rama në një postim të dytë bën thirrje dy liderëve të opozitës, Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit të mos përzihen me protestën. Ai ka marrë një postim nga Universiteti Info, ku shkruan “Mos guxoni të afroheni nesër në protestë”. “Komplimente autorëve. A e votoni dhe ju si Meme of the Month?”, shkruan Rama në Instastory.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë