Politike

Rama: Sot mbërrijnë vaksinat, por më pak. Për listat përgjegjësia individuale, s’do e kthej PS në sallë torture

Ashtu siç kishte paralajmëruar, kryeministri Edi Rama njoftoi se sot mbërrijnë dozat nga Pfizer. Ai nuk dha një shifër, por siguroi se do të jenë në sasi më të vogël nga sa ishte parashikuar. E rëndësishme, sipas tij, është që muaji shkurt do të  qartësojë çdo gjë lidhur me këtë proces.

“Do vazhdojmë me mjekët dhe infermierët sepse janë ata që janë radhët të parët dhe paralelisht do fillojmë edhe me të moshuarit. Nuk e kam tani në këtë moment, sepse dua të jap shifër të saktë,  sa do të jenë dozat që mbërrijnë sot, por e rëndësishme është që ne do mund të vaksinojmë dhe muaji shkurt do jetë një muaj me qartësi mbi gjithë procesin kështu që sot do të vijnë doza më pak sesa ato që ishin angazhuar për paktin e parë. Por sidoqoftë e rëndësishme është që fillon vaksinimi i dytë dhe vazhdojmë me të tjerët”, tha kreu i qeverisë.

 Rama tha po ashtu se qeveria është afër një marrëveshje për sigurimin e vaksinës AstraZeneca.

“Jemi shumë afër një marrëveshje përfundimtare me Astrazencën, po vazhdojmë kontaktet me disa vende. Janë 3 shtete që vazhdojmë kontaktet dhe jemi në rrugë të mbarë. Për momentin mund ta them pa optimizëm të ekzagjeruar se skenari i parë i vaksinimit brenda 14 muajsh, nuk ka rënë akoma. Pavarësisht se disa vonesa nuk janë të lidhura me ne"

Kryeministri Rama u pyet edhe për zgjedhjet dhe zonën ku do të kandidojë. Do të jetë Vlora apo Durrësi?  

“Ky është problemi më i vogël, por është e sigurt që unë Vlorën nuk e lë dhe Durrësit i kam një borxh”, u shpreh ai

Rama komentoi edhe qëndrimet e njëpasnjëshme të ambasadores amerikane, për të mos përfshirë në lista për deputet persona që janë subjekt i dekriminalizimit.

“Ne kemi ligjin, zbatojmë ligjin, përgjegjësia e kujtdo që gënjen në vetëdeklarim është përgjegjësi individuale jo partie. Partitë s’janë drejtori policie, por verifikojnë në bazë të ligjit e në bazë të ligjit ne i kemi bërë gjithmonë verifikimet.

Nëse dikush merr përsipër të shkojë para drejtësisë duke bërë vetëdeklarime të rreme është krejtësisht individuale.

S’kemi asnjë mundësi të ngremë salla torturash nëpër selitë e partive për të nxjerrë deri në fund nëse dikush fsheh diçka që nuk figuron nëpër letrat që janë në dispozicion.

Ne shohim letrat që janë në dispozicion dhe bëjmë atë që bëjmë ne”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë