Lajme

Rama: S’jam negociator mes Turqisë dhe Greqisë

Kryeministri Edi Rama nuk pranon që të quhet negociator në konfliktin mes Turqisë dhe Greqisë, por s’e përjashton se mund të ketë ndërtuar ura në rinisjen e dialogut mes Ankarasë dhe Athinës me vizitat e fundit në këto dy vende.

“Nuk pranoj të komentoj nëse bëra negociatorin apo jo. Nuk dua të flas për këtë çështje, sepse nuk është etike. Unë nuk jam negociator! “Bild” thotë se ndërton ura. Unë ndërtoj, por nuk jam negociator. Ishte një privilegj që mes dy miqve të them fjalën time në një diskutim të gjatë mes tyre”, deklaroi Rama në një intervistë për Top Channel.

Kreu i Qeverisë kujton se vetë Shqipëria ka çështje të hapura me Greqinë, ndërsa shprehu kënaqësinë që Greqia dhe Turqia rinisin bisedimet negociuese.

“Me këtë rast dua t’ju them se pas 5 vjetësh, që prej 2016-ës, kur ishin ndërprerë, bisedimet mes Greqisë dhe Turqisë do të rinisin në 25 janar në Stamboll. Grekët do të shkojnë në Stamboll që të rinisin dialogun aty ku e kishin lënë”, tha ai.

Mes të çështjeve që ka të hapura Shqipëria me Greqinë është edhe ajo e detit. Rama tregoi disa harta duke thënë se Shqipëria në vitin 2008 ka humbur territor dhe kjo falë një ligji të bërë nga Berisha me Nishanin. Përmes këtyre hartave Rama pretendoi se Berisha dhe Bujar Nishani hartuan dhe miratuan një ligj, i cili solli humbje territori të Shqipërisë.

“Në vitin 2008 me një marrëveshje të Sali Berishës dhe toger, kapiten, President Bujar Nishanit në bazë të ligjit 9861, Shqipëria ka humbur 1200 kilometër katror territor. Kjo sepse Berisha ndryshoi vijën për ujërat e brendshme”, tha Rama.

Rama rrëzoi akuzat se Presidenti turk, Recep Taip Erdogan po e ndihmon para zgjedhjeve të 25 prillit, edhe përmes ndërtimit të spitalit të Fierit brenda tre muajve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë