Politike

Rama: Financat, më mirë se çdo vit. Bonusi për pensionistët nis këto ditë

Nga Gazeta ‘Si’- Nga Asambleja e PS në Vlorë kryeministri Edi Rama, foli për një ekonomi më të stabilizuar se vitin e kaluar. Nisur nga kjo Rama tha se bonusi për pensionistët ndryshe nga vitet e tjera do të shpërndahet më herët.

“Në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi vendosur 250 milion euro të tjera për pensionistët. Natyrisht që do donim që kjo shumë të ishte dhe më e madhe por ne ndërkohë kemi më shumë se asnjëherë më parë. Asnjëherë nuk duhet harruar se numri i pensionistëve krahasuar me të gjithë të tjerët është shumë i lartë.

E dyta, gropa e krijuar nga mospagimi i sigurimeve shoqërore është e vetmja gropë e pambyllur në të gjitha gropat që trashëguam nga qeveria e mëparshme kur morëm detyrën dhe kjo e bën më të vështirë realizimin e ambicies dhe dëshirës tonë për të pasur një rritje më të ndjeshme të pensioneve.

Në buxhetin e vitit 2024, 33% e të gjithës shkon për përkujdesin social, përfshirë edhe pensionistët. Bonusin e pensionistëve do e japim tani në prag të festave ndryshe nga vitet e tjera pikërisht për shkak se kemi një situatë financiare më të mirë se çdo vit tjetër. Ndaj do të fillojmë ta japim menjëherë”, deklaroi Rama i cili gjithashtu shtoi se për herë të parë, vitin e ardhshëm 2% e buxhetit do të shkojë për mbrojtjen.

Ndërsa foli për një ekonomi më të qëndrueshme se ajo e vendeve të rajonit, Rama tha se Shqipëria këtë vit po shkon drejt shifrës së 10 mln turistëve brenda vitit. 

Rama gjithashtu tha se nëse puna vijon me këto ritme, punimet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës do të përfundojnë brenda vitit të ardhshëm. 

“Është punë mbresëlënëse e bërë deri tani dhe padyshim që nëse gjithçka shkon sipas parashikimit dhe nëse ky ritëm i punimeve mbahet si tani ne do kemi punimet të përfunduara brenda vitit të ardhshëm dhe menjëherë do jemi  të gatshëm të hyjmë në fazën e certifikimit për të filluar testimet dhe për të filluar fluturimet në aeroportin ndërkombëtar të Vlorës. Do të jetë një aeroport që do operohet nga aeroporti ndërkombëtar i Mynihut. Përveç planit të punës të bërë përpara nisjes së punimeve tanimë kemi edhe dy mundësi të reja shumë të mira që do të jenë një vlerë e shtuar për aeroportin e ri ndërkombëtar.

 Nga njëra anë kompania është në prag të firmosjes së marrëveshjes për mirëmbajtjen e avionëve me një kompani ndërkombëtare. Kështu do krijojmë një sektor krejt të ri të aviacionit civil në Shqipëri për mirëmbajtjen e avionëve”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë