Politike

Rama shmang Metën, Lleshi zv.ministër i Brendshëm

Kryeministri Edi Rama ndoqi skenarin që prej mbrëmjes të së shtunës përflitej më fort; emërimin me anë të një Vendimi të Këshillit të Ministrave të Sandër Lleshit si zv.ministër i Brendshëm dhe delegimit të kompetencave të plota për të ushtruar funksionin e ministrit.

Përmes kësaj lëvizjeje, Edi Rama anashkalon Presidencën, pasi emërimi në këtë pozicion nuk ka nevojë për dekret nga Presidenti Ilir Meta.

Vendimi është marrë këtë të hënë. Rama u takua fillimisht me Gramoz Ruçin, më pas me ministrat e tij dhe pastaj mblodhi grupin parlamentar.

Në përfundim të këtyre takimeve është vendosur thirrja e një seance të jashtëzakonshme parlamentare ditën e martë, ku do të votohet dekreti i Ilir Metës për shkarkimin e Fatmir Xhafajt, ndërsa me VKM është emëruar i Sandër Lleshit zv.ministër i Brendshëm.

Në fund të takimit Rama-Meta ditën e dielë, që nisi rreth orës 11:30 dhe përfundoi rreth orës 13:00, Presidenca heshti, ndërsa Kryeministria shpërndau një deklaratë të shkurtër. Në të konfirmohej se temë e diskutimit kishte qenë kandidatura e Sandër Lleshit për ministër të Brendshëm, ndërsa takimi vlerësohej si “konstruktiv” e premtohej se Kryeministri do të vazhdonte komunikimin me Presidentin.

Por, kjo lëvizje e Ramës nënkupton se takimi me Presidentin nuk ka qenë edhe aq “konstruktiv” dhe nuk premton as vazhdimin e komunikimit për këtë temë.

Takimi ishte në vazhdën e lojës së “shahut” që ka nisur në aksin Kryeministri-Presidencë, të paktën sipas mesazhit që Edi Rama u shpërndau deputetëve të tij ku u kërkonte që të mos komentonin askund dhe për askënd vendimin e Ilir Metës për të mos dekretuar Sandër Lleshin.

“Lutem asnjë lloj komenti askujt për vendimin e Presidentit! Ne jemi shumica dhe ne kemi detyrën t’u dalim Zot njerëzve, vendit, Kushtetutës me maturi dhe vendosmëri. Politika është shah, mos e harroni!”, shkruan Rama.

Shahu vetë është një lojë me radhë në lëvizje dhe nëse politika është shah, atëherë Ilir Meta e bëri lëvizjen e tij duke mos e dekretuar Sandër Lleshin, ndërsa Rama lëvizi duke e emëruar kandidaturën e tij si zv.ministër.

Kjo zgjidhje, që shmang dekretin presidencial nuk është një shpikje ekskluzive e Edi Ramës. I pari që e ka bërë këtë për disa muaj ka qenë Fatos Nano në 2003, atëherë jo për faj të Presidentit të Republikës, por për shkak të përplasjeve të brendshme të socialistëve dhe mungesës së shumicës në Parlament që të kalonte dekretin e Presidentit Alfred Moisiu.

Nga përfundimi i kësaj përplasjeje Rama-Meta, ajo që duket (edhe pse jo fort e qartë) është një lojë më e madhe politike. Në “fushën e shahut” tani është emri i ri i kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Presidenca njoftoi pak ditë më parë mbylljen e afateve të aplikimit dhe publikoi listën me 34 emra që kanë shprehur interes, ku mes tyre janë edhe deputeti i PS-së, Anastas Angjeli dhe ish-kreu i SHISH-it, Bahri Shaqiri.

Presidenti do të zgjedhë një emër nga lista me 34 kandidatura dhe emrin do t’ja propozojë Kuvendit për miratim. Këtu ai mund të përballet me refuzimin e mazhorancës dhe detyrimin që të propozojë një tjetër kandidaturë.

Po ashtu, prej kohësh qëndron bosh edhe pozicioni i kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror. Pas dorëheqjes së Visho Ajazi-Likës. Kryeministri Edi Rama propozoi zëvendësin e tij, Helidon Bendon, por ky propozim nuk u dekretua nga ana e Presidentit.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë