Lajme

Rama shkarkon Live drejtorin e Hipotekës në Durrës

Kryeministri Edi Rama si çdo të mërkurë ka zhvilluar takimin me koordinatorët e bashkëqeverisjes. Kreu i qeverisë u ka bërë apel qytetarëve që t'i drejtohen platformës dixhitale shqiperiaqeduam.al për çdo shqetësim të tyre.
"Mjaftojnë pak minuta për të adresuar problemin dhe menjëherë angazhimi i institucioneve respektive do jetë maksimal. Mijëra qytetarë kanë marrë përgjigje si dhe kanë përfituar përmes platformës në një kohë kur disa vite më parë u duhej të endeshin nëpër zyrat e institucioneve, duke larguar gjithnjë e më shumë zgjidhjen. Platforma online është ilaçi i një sëmundje jonormale, siç është burokracia", u shpreh kryeministri Rama.
Ashtu si në çdo takim të përjavshëm, qytetarët kanë prezantuar zgjidhjet që ata kanë marrë nga platforma shqiperiaqeduam.al.
Në këtë takim, në sallën e Hartave në Kryeministri, Edi Rama ka konfirmuar se është i shkarkuar drejtori i Hipotekës së Durrësit, që e ka cilësuar edhe “Halabak”. Vendimi do të komunikohet ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
"Po trajtojmë hallet tona me njerëz të padenjë, siç ishte rasti i djeshëm, i drejtorit që ka vetëm një përcaktim, halabak. Për të është marrë menjëherë vendimi i shkarkimit. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, do ta komunikojë këtë vendim", u shpreh Rama.
Rasti i tij u denoncua mbrëmjen e djeshme në emisioni investigativ “Fiks Fare”, ku u tregua me zë dhe figurë veprimet e drejtorit të Hipotekës së Durrësit që sorollati një qytetar për më shumë se 6 vjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë