Politike

Rama sfidon opozitën: Në zgjedhje të parakohshme, por me një kusht

Bledar Hoti- Ka vetë një rrugë se si mund të shkohet në zgjedhjet e parakohshme dhe për këtë zgjidhjen si për çudi e ka ofruar vetë kryeministri Edi Rama, si alternativë për të bindur opozitën për të mos bojkotuar lokalet e 30 qershorit.
Gjatë fjalës së tij për rreth një orë përpara mijëra simpatizantëve dhe anëtarëve të PS-së në sheshin “Nënë Tereza”, kryeministri Edi Rama ka lëshuar mesazhe të forta në adresë të opozitës dhe kryedemokratit Lulzim Basha, duke e sulmuar për qëndrimet që po mbajnë.
“Ka vetëm një rrugë dhe nuk ka tjetër në fund të ditës e vendos populli, zgjedhjet dhe vetëm zgjedhjet. Janë zgjedhjet e 30 qershorit që do të vendosin se jo vetëm çfarë bashkish duam, por edhe Shqipërinë që duam nesër. Është radha ti them nga ky Kuvend, Lulzim Bashës dhe atyre që e ndjekin pas, se ne na vjen turp dhe keq për për të gjithë ata që i braktisët që ju votuan për ti përfaqësuar në Kuvend, duke e refuzuar, por në fund të fundit është e drejta juaj. Turpin karshi Shqipërisë dhe historisë së parlamentarizmit shqiptar do ta mbani vetë. Vetë e zgjodhët të rrinit rrugëve, rrugëve do rrini. Ne s’kemi mandat për t’ju dhënë pushtet juve në tavolinë dhe as pushtet për të lënë rrugëve për hesapin tuaj”, deklaroi Rama gjatë fjalës së tij.


Ndërsa i ftoi që të votojnë reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të ndërkombëtarëve, duke i shpallur sfidën e radhës.
“ Unë e kam një ftesë për ju, jeni ju që ja keni rrokanisur kokën shqiptareve dhe miqve ndërkombëtarë për reformën zgjedhore, sipas rekomandimeve të ODIHR. Hajdeni ulemi ta miratojmë së bashku atë reformë, të biem dakord t’i eksperimentojmë në disa zona edhe votimin dhe numërimin elektronik që në qershor. Me që e keni me shumë qejf ju temën e shitblerjes së votës, jemi gati të miratojmë çdo masë të re ndëshkimore në Kodin Penal që do propozojë në Parlament viktima e mirënjohur e shitblerjes së votës në Shqipëri doktoresha e shkencave horoskopike, zonja Monika Kryemadhi. Ne i votojmë vetë në Parlament me deputetë e rinj që ju i keni zgjedhur. Nëse ju në zgjedhjet e 30 qershorit, nëse ju do fitoni një bashki të vetme më shumë se ne, jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentar që në vjeshtë. E di që Lulzimi dhe mbas Lulzimit s’do e pranoni këtë sfidë. Ju se mundni dot aleancën e PS me njerëzit e zakonshëm ju nuk e mundi dot as në Kukës dhe as në Skrapar, dhe lerë pastaj në të gjithë Shqipërinë”, tha Rama, teksa i ka quajtur anëtarët e opozitës një “shportë karavidhesh në krahët e së shkuarës”.


Sulmet pa doreza: Luli pa hallate
Pas kësaj ftesë për t’u përballur në zgjedhjet e 30 qershorit, Rama ka sulmuar opozitën duke deklaruar se ka humbur rrugës së arratisjes për ëndrrat për dhunë. Por ai theksoi se Basha nuk hyn në zgjedhje sepse ka frikë se i humb i ato.
“Keni nisur avazin, nuk futemi në zgjedhje me këtë kryeministër me këtë qeveri, po punë e madhe fort. E bëtë 2 vjet më parë, si sot atje, e falë nesh nuk dolët fishek nga zgjedhjet siç e meritonit se morët gjysmën e qeverisë me kushtin që të pranonit rezultatin e të mos e shani vendin në gjuhë të huaj, i humbët zgjedhjet, me qeverinë tuaj i humbët zgjedhjet dhe prapë e hëngrën llafin si e keni zakon e ju kthyet kontestimit të rezultatit. Tani ka ardhur koha ta mësoni njëherë e mirë, pushteti nuk është qoftë te daja, ky vend nuk është plaçkë për ju, sistemi demokratik nuk është cirk për Arushën Lul që bërtet për karamelen e radhës, as dyqan për shoqen Mona që ulërin për trastat e radhës, askush nuk futet me zor në zgjedhje, por askujt në këtë sistem nuk u ndalohet”, theksoi Rama.

Ministrat duke ndjekur fjalimin e Ramës

Ndërsa ka ironizuar se Basha po luan valle me maska, pasi nuk ka hallate që të përballet në zgjedhje. “Vallja me maska e Lulit, të mbarojë njëherë e mirë. Lulzim Basha i ka tmerr zgjedhjet se nuk i fton zgjedhjet, as në partinë e tij ku i vjedh, lërë më në mexhelisn e madh të sistemit që kemi zgjedhur. Unë kam dyshim, por nuk e provoj, sikur Luli të futet vetëm prapë në zgjedhje pa PS, nuk i fiton se njerëzit nuk e pranojë jo më ta votojnë një njeri që e ka humbjen të shkruar në ballë, lider pa hallate që djeg mandatin e përfaqësimit të popullit për t’u fshehur pas turmës dhe ju thotë: ikni digjni parlamentin për mua”, theksoi Rama. Ai tha se në këto zgjedhje PS do të fitojnë më thellë e më thellë.


Mesazhi për Metën për vetëvrasjen: Mos na bëj çudira
Rama i ka dhënë dhe një mesazh, presidentit Ilir Meta duke thënë se ai nuk duhet të frikësohet për sulmet e juntave ushtarake ndaj pallatit Presidencial dhe vendi nuk mund të krahasohet me Salvador Alienden.
“LSI sot jo vetëm nuk përfaqëson askënd, por ta besojnë Monikën, LSi nuk përfaqëson as Ilir Metën. Ilir Meta ndjehet kaq i papërfaqësuar sa i duket se një juntë ushtarake do të sulmojë pallatin Presidencial. Zoti President, rri i qetë jemi e do të mbetemi vend i NATO, nëse s’më beson mua ti i beson Pandin. Të garantoj se sa të kemi Pandin ky vend nuk del nga NATO e në fund të ditës, fundi politik i Lulit dhe Monikës nuk duhet të jetë problemi im, i yti dhe i yni, dhe kërcënimit demokratik të tyre, zoti Presidenti ne si vend i NATO-s, ne do t’i përgjigjemi si ushtarë në mbrojtje të demokracisë. Tërhiqe e mos i shko më në mend ato çudira se na hutove”, theksoi Rama.


Ndërsa ka bërë të qartë se nuk është koha për të heshtur ndaj akteve të dhunës që ushtrojnë ish-deputetët e opozitës, duke theksuar se do t’i përgjigjet ashpër ndaj çdo sulmi. “Kohët e fundit e kemi kafshuar shumë shpesh gjuhën, e kemi lënë të kalojë valën e sulmeve të atyre që e duan vendin shesh për përsheshin e tyre. Kanë sulmuar parlamentin, duke gjymtuar fizikisht me aktin e tradhtisë ndaj zgjedhësve dhe sistemit demokratik, që e ka zanafillën te ajo parti që e ka humbur përfundimisht fillin, kur kanë sulmuar qeverinë duke eksportuar nëpër botë dhunën e vulgut, kur kanë sulmuar policinë, prokurorët e gjykatëset që kalojnë vettingun dhe reformën në drejtësi. Sa herë vettingu nxjerr jashtë shërbëtorët e tyre të korruptuar me damkë, miqtë e partnerët e vendit kanë sulmuar vendin, në çdo instancë e kanal të huaj kur kanë pasur mundësi të fusin hundën, nuk ua kam kthyer sy për sy e as dhëmbë për dhëmbë, kemi duruar pa fund. U kemi ofruar bashkëpunim. U kemi duruar baltën, vezën dhe bojën e dëshpërimit tyre mbi fytyrat tona, në vend se të na sfidonin me ide, kanë zgjedhur të na gjuajnë me gur, në vend të mendjes për të na mbytur kanë vendosur të mbyten për të na marrë me vete si i mbytur që të mbyt. Në vend se të vinin mend kanë dalë mendsh fare deri në pikën që duan ta kthejnë disfatën e tyre në disfatë të vendit, ashtu të mjerë në dëshpërimin e tyre mendojnë se duke e kthyer vendin në rrumpallën e sherrit do ti detyrojnë ndërkombëtarët të ndërhyjnë për pushtet në tavolinë, ta harrojnë”, theksoi Rama.


Sumon mediat dhe shpall ndërtimet e reja
Gjatë fjalës së tij, kryeministri nuk ka ngurruar që të sulmojnë mediat, duke i cilësuar si fajtore të paraqitjes së situatës gri, duke anatamuar drejtuesit dhe analistët e emisioneve, duke i cilësuar si kadrinj që po nxijnë Shqipërinë. Madje ka ftuar socialistët që të marrin një ofensivë ndaj këtyre sulmeve, duke përdorur teknologjinë në shpërndarjen e sa më shumë lajmeve pozitive për Shqipërinë nëpërmjet rrjeteve sociale.
Por në prezantimin e fjalës së tij nuk ka munguar që t’i kthehet Tiranës, duke veshur “petkun e kryebashkiakut” dhe shpallur ndërtimet e reja që pritet ndodhin si pjesë e transformimit. Ai u shpreh se Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet se s’bën. Ndërsa paralajmëroi prishjen e Teatrit të Kukullave dhe ndërtimit e Bibliotekës Kombëtare. “Teatrin e ri kombëtar, që do të ndërtojmë me se s’bën e për turpin e atyre që e kanë baltosur pa lindur projektin tonë, ne do ta bëjmë një tjetër kryevepër të konfirmuar ndërkombëtarisht. Teatrit të Kukullave, i kërkojmë falje për atë ndërtesë karantinë 100-vjeçare, por edhe Bibiliotekën Kombëtare do ta ndërtojmë këtu te Garda. Do të hedhim themelet dhe do të përfundojnë në mandatin e dytë të Veliajt si kryetar bashkie”, theksoi Rama. Në fund të fjalës së tij, kryeministri i kërkoi të pranishmëve që të nxirrnin të gjithë telefonat nga xhepi dhe të bënin foto nga vendi ku po mbahej aktiviteti. Ai me batutë iu drejtua dhe ministrit të Diasporës. “Pandeli nxirre telefonin, se më pas do të thojnë mediat se bëmë sherr pastaj”, tha kryesocialisti.

Pamje nga sheshi “Nënë Tereza” ku u mbajt eventi i PS-së

Veliaj: Me Ramën më i bashkuar se kurrë
Kryebashkiaku Erjon Veliaj i rikonfirmuar si kandidat i PS-së për bashkinë e Tiranës u shpreh se u munduan të na shfaqnin si të përçarë me kryeministrin, por sot ne jemi më të bashkuar se kurrë. “Të gjithë miqve demokratë u them keni bërë gjënë më të mirë. E ndjej zhgënjimin tuaj, Mirëserdhët në familjen tonë. Ndihuni si në shtëpi. Kjo është Tirana jonë. Kush na ka inat kështu na paftë për not!. U përpoq të bëhet diversion, dëshpërimi duhet të jetë aq i madh sa dhe e vetmja shpresë është që të zihemi ne. Më vjen keq tiu them, por unë dhe Edi Rama jemi më bashkë se kurrë dhe më të fortë se kurrë për të çuar përpara Tiranën dhe ai Shqipërinë në familjen europiane” tha Erion Veliaj. Ndërsa u shpreh se do të fitojë në zonën e Astirit, si dhe mbajti premtimin e unaza e re do të ndërtohet.


Kongresi, mungon Nano, deklarata: Jo pushtet në tavolinë
Në këtë Kongres Elektoral të PS-së ra në sy mungesa e ish-kryesocialistit Fatos Nano. Edhe pse u deklarua se do të merrte pjesë, lideri historik i PS-së ka qenë i munguari i madh. Kongresi kishte moton “Bashkia që duam, Shqipëria që duam”. Rama dhe Veliaj u shfaqën të veshur “casual” me atlete, duke treguar një mesazh për kryebashkiakun e Tiranës.
Por në këtë Kongres u shpallën vetëm 6 kandidatë për kryetar bashkie: Erion Veliaj për Tiranën, Armando Subashi për Fierin, Sotiraq Filo për Korçën dhe Majlinda Bufi për Roskovecin. Ndërsa folën deputeti i PS-së, Pjerin Ndreu si i shpallur për kandidat për Lezhën dhe prefekti Gledian Llatja për bashkinë e Elbasanit.


Gjithashtu folën edhe zv.kryeministri Erion Braçe, ministrat Etilda Gjonaj, Blendi Klosi, Gent Cakaj, Elisa Spiropali, Bledi Çuçi, Belinda Balluku, Ogerta Manastirliu, Besa Shahini dhe Elva Margariti. Reforma në drejtësi, arritjet e qeverisë, mbrojtja e Edi Ramës dhe sulmet ndaj bojkotit dhe dhunës së opozitës në protestë ishte fokusi kryesor i diskutimeve.
Pas sesionit të parë të Kongresit të PS-së është miratuar një deklaratë në mënyrë unanime, e cila në thelb i jep përgjigje opozitës mbi kërkesat e saj për ndryshimin e qeverisë dhe çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme, duke dënuar dorëzimin e mandateve të deputetëve të opozitës.
Në tekst theksohet se “të vetëdijshëm se opozita në papërgjegjshmëri të plotë politike, ka krijuar një ngërç artificial duke braktisur institucionet kushtetuese të vendit, na lind detyra të përfaqësojmë pa asnjë dallim, masën e të gjithë shqiptarëve që duan një të ardhme më të mirë në vendin e tyre, një vend europian, me shumë oportunitete për gjeneratat që do të vijnë”.
“Partia Socialiste nuk mund të jetë indiferente ndaj veprimeve të dhunshme dhe antidemokratike të partive opozitare dhe as nuk mund t’i nënshtrohet shantazheve publike jashtë kornizës kushtetuese. Djegia e mandateve nga një grup i deputetëve opozitarë është një akt i pashembullt kundër parimeve të demokracisë dhe parlamentarizmit, por edhe braktisje e përgjegjshmërisë politike, kushtetuese dhe institucionale ndaj vendit dhe qytetarëve. Braktisja e Kuvendit dhe dhuna sistematike ndaj rendit institucional në Shqipëri është një goditje ndaj interesave afatgjatë të Shqipërisë, impaktojnë negativisht imazhin e vendit, minojnë procesin e reformave dhe procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE”, thuhet në deklaratën e miratuar.
Partia Socialiste gjithashtu me anë të kësaj deklarate i bën thirrje Qeverisë dhe Kuvendit të vijojnë të mbeten të angazhuar e përkushtuar në garantimin dhe ruajtjen e rendit demokratik dhe avancimin e agjendës europiane të Shqipërisë.

Rama, Ruçi, Balla në Kongres

“Partia Socialiste është legjitimuar si forcë qeverisëse përmes votës së qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet e vitit 2017. Vullneti i qytetarëve i shprehur përmes votës, legjitimiteti i qeverisë dhe afatet kushtetuese elektorale, nuk mund të deformohen me instrumente antikushtetues dhe akte antidemokratike të pakicës jashtë parlamentit. Dialogu parlamentar, politik e shoqëror mbetet e vetmja zgjidhje dhe duhet të jetë i vetmi instrument i promovuar nga të gjithë forcat politike, në favor të vendit dhe qytetarëve shqiptarë. Ky Kongres vendos piketat për përgatitjen e Partisë Socialiste për zgjedhjet lokale të Qershorit 2019 dhe zgjedhjet e përgjithshme të Qershorit 2021”, thuhet më tej në deklaratën e miratuar në Kongres. Seanca e Tretë e Kongresit u nda në tre panele. “Bashkitë që Duam për Shqipërinë që Duam”, “Edukim Cilësor dhe Punësim për të Rinjtë” dhe Reforma Zgjedhore dhe Vota e Emigrantëve.

 

Më Shumë