Lajme

Rama: Rifreskim trupës policore

Kryeministri Edi Rama ka folur sot para shumë studentëve që do të jenë pjesë e Policisë së Shtetit në Akademinë e Sigurisë dhe ka paraqitur objektivat e qeverisë për Policinë.
Në ceremoninë e hapjes së kursit të oficerit të policisë kriminale, Rama u shpreh se këta studentë të fakulteteve të ndryshme, u përzgjodhën mes më të mirëve në një proces seleksionimi të 589 aplikantëve pa parë mbiemrin, xhepin apo partinë.
Kreu i qeverisë theksoi se synohet rifreskimi i trupës policore.
“Është një ditë e bukur për Policinë e Shtetit sepse hyn për herë të parë në fuqi një praktikë e re, hapja e dyerve të Akademisë së Sigurisë për studentë të ekselencës. Studentë të fakulteteve të ndryshme, të cilët i bashkohen trupës së Policisë së Shtetit duke sjellë dije të reja, energji të reja dhe mbi të gjitha një kulturë të re.
U përzgjodhën mes më të mirëve në një proces seleksionimi të 589 aplikantëve dhe mbi të gjitha u rikonfirmua edhe njëherë vullneti ynë për të garantuar meritën pa parë mbiemrin, pa parë xhepin apo partinë”, u shpreh kryeministri.
Po kështu, kryeministri vlerësoi edhe vendosjen e kriterit për njohjen e gjuhës angleze.
“Më vjen shumë mirë që në këtë proces është vendosur dhe një standard tjetër, standard i ri, ai i njohurive mbi gjuhën angleze. Besoj se nuk mund të ketë një polici kriminale të standardeve bashkëkohore nëse nuk ekzistojnë edhe instrumentet për të jetuar në të përditshmen e zhvillimeve rreth e rrotull nesh dhe me informacionin e standardeve më të mira”, deklaroi kreu i qeverisë.
Rama ndër të tjera theksoi se ruajtja fizike e objekteve të ndryshme që sot mbulohet kryesisht nga policitë private, do të kryhet nga një strukturë e posaçme e Policisë së Shtetit.
“Besoj që me një reformë që ministri i Brendshëm po udhëheq dhe me krijimin e një strukture të re që do të jetë strukturë shërbimi e Policisë së Shtetit në formën e një ndërmarrje që do ofrojë shërbim për ruajtjen e objekteve, do të krijohet mundësia për tranzicion të butë për oficerët më të moshuar dhe për të marrë më shumë të rinj, duke iu krijuar më të moshuarve që të vazhdojnë të kenë një pagë dhe duke dhënë kontribut të rëndësishëm në pastrimin e një xhungle të policisë private, që shpeshherë janë thithëse të mëdha të nevojave publike dhe shpeshherë nuk e ofrojnë kurrsesi atë shërbim që mund të ofrojë Policia e Shtetit. Një ndërmarrje moderne që do të sigurojë ata që shkojnë në një moshë të caktuar të vazhdojnë të shërbejnë”, tha Rama.
Sipas kryeministrit Rama, pas 1 dekade të tërë mbyllje dhe braktisje, kjo akademi sot është rikthyer në jetë dhe ka nevojë për shumë më tepër akoma, prandaj në kuadrin e “Paktit për Universitetin”, edhe kjo akademi do përfshihet në programin e madh të rindërtimit në bazë të një projekti që si të gjitha pjesët e tjera të rrjetit të universiteteve, ne do të financojmë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë