Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar tonet ndaj Iranit, duke deklaruar se regjimi i Teheranit sipas tij i është bashkuar tashmë zyrtarisht protestave që po zhvillohen kundër projektit në Zvërnec.
Në një reagim të publikuar në platformën X, Rama komentoi deklaratat e fundit të zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, i cili e akuzoi kreun e qeverisë shqiptare se po përdor Iranin si justifikim për të shmangur kritikat e brendshme.
“Ja edhe qeveria e ajatollahëve të Teheranit i bashkohet zyrtarisht protestës, madje edhe me parullat në shqip njësoj si ata që e kthyen nga protestë mjedisore në protestë për rrëzimin e qeverisë”, shkroi Rama.
Kryeministri argumentoi se një pjesë e debatit rreth projektit në Zvërnec është shndërruar në një fushatë të gjerë dezinformimi, ku sipas tij janë përfshirë aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë.
Ai u shpreh se protestuesit që kundërshtojnë projektin për arsye mjedisore nuk duhet të identifikohen me ato që i quajti përpjekje për të instrumentalizuar protestën për qëllime politike.
Në përgjigjen e tij në anglisht drejtuar zyrtarit iranian, Rama akuzoi regjimin e Teheranit për censurë, shtypje të kundërshtarëve politikë dhe sulme kibernetike ndaj Shqipërisë.
“Kjo quhet demokraci. Në Shqipëri njerëzit janë të lirë të protestojnë kundër qeverisë së tyre, të kritikojnë kryeministrin, të kërkojnë drejtësi dhe zgjedhje pa frikën e burgosjes”, shkroi ai.
Rama rikujtoi gjithashtu vendimin e Shqipërisë për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin pas sulmeve kibernetike ndaj institucioneve shqiptare në vitin 2022, për të cilat Tirana ka akuzuar aktorë të lidhur me regjimin iranian.
Në fund të reagimit, kryeministri e cilësoi Iranin si një “shtet terrorist” dhe deklaroi se propaganda, profilet e rreme dhe videot e manipuluara nuk do të ndikojnë në qëndrimet e shqiptarëve.
Përplasja mes Tiranës dhe Teheranit është përshkallëzuar ditët e fundit pas deklaratave të Ramës se Irani po ushqen narrativa të rreme lidhur me debatin për projektin në Zvërnec dhe po zhvillon një “luftë hibride” kundër Shqipërisë.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, i kërkoi Ramës të “qetësohet” dhe e akuzoi se po përdor Iranin si “kokë turku” për të shmangur llogaridhënien ndaj protestave që po zhvillohen në vend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje