Politike

Rama reagon ndaj ambasadës franceze: Më nxori nga konteksti, për vaksinën s’ndryshoj qëndrim

Ambasada franceze në Tiranë reagoi zyrtarisht një ditë më parë pasi kryeministri Edi Rama e përmendi me emër Francën, në vazhdën e pakënaqësisë që ai ka ndaj BE-së për mënyrën se si vepruan ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor lidhur me procesin e vaksinimit.

Ndër radhë, ambasada franceze konsideronte se nuk ishte e përshtatshme të sulmoje një vend mik dhe aleat, me një informacion të pavërtetë.

LEXO EDHE:
Rama kritikoi BE-në e Francën, Ambasada e Parisit: Nuk sulmohet një vend mik e aleat

Ka reaguar kryeministri Edi Rama,  jo përmes një njoftimi zyrtar, por duke shfrytëzuar një pyetje drejtuar tij nga një qytetar në faqen e Facebook-ut.

“Unë nuk kam sulmuar asnjë aleat dhe aq më pak Francën ne rastin konkret! As nuk e kam harruar dhe nuk e harroj që Bashkimi Europian e ka ndihmuar Shqipërinë, qyshse vendi ynë doli nga burgu i diktaturës e deri më sot. Përkundrazi, e kam çmuar dhe e çmoj pa lëkundje Bashkimin Europian, për njëmijë e një arsye, përfshirë pa dyshim edhe ndihmën e paçmuar që i jep Shqipërisë tash 30 vjet.

Unë kam folur për një çështje konkrete në një situatë konkrete, lidhur me vaksinën dhe nuk i heq asnjë presje atyre që kam thënë! Lënia jashtë e vendeve të rajonit tonë në shpërndarjen e vaksinës kundër Covidit nga ana e BE, nuk ka asnjë justifikim në asnjë plan dhe këtë e kupton çdokush që bën sikur s’kupton!”, përgjigjet Rama.

“Ndërsa ankesa e ambasadës franceze, – vijon ai, – meqë unë e ilustrova opinionin tim duke sjellë shembullin e Francës (siç mund të sillja edhe shembuj të tjerë) është pa lidhje me qëndrimin tim dhe konkretisht edhe me sjelljen e shembullit të Francës, për të ilustruar idenë se nuk kishte pse te mos i jepeshin edhe vendeve tona disa doza për mjekët të paktën, kur ato s’mund të përdoren të tera menjëherë në asnjë vend të BE!”.

Rama thotë gjithashtu se ambasada franceze e nxori qëndrimin e tij jashtë konteksti.

“Por ty të them miqësisht se duke e nxjerrë nga konteksti ankesën e ambasadës franceze, gabon njësoj siç gaboi ambasada franceze duke nxjerrë nga konteksti ato që thashë!

…Një fjalë e bukur popullore thotë se miqësia e vërtetë nuk i ka të gjitha fjalët prej mjalti, kështu që as ti mos u mërzit, as ambasada s’ka pse mërzitet, se unë jo e jo, cfarë nuk dëgjoj po nuk mërzitem”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë