Politike

Rama publikon foton e sistemit të ri të Kadastrës në punë: Po zhbëhet përditë rrjeti i sekserëve

Nga Gazeta 'Si' - Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish sistemin e ri të Kadastrës, duke hedhur poshtë të gjitha reagimet negative lidhur me të.

Me anë të një statusi në Facebook, Rama ka publikuar një foto të fluksit të punës së sistemit digjital, ku sipas tij mund të shihen qartë datat hyrëse e dalëse të aplikimeve, pa sportel dhe pa kontakt fizik me punonjësit.

Rama thekson në postim se "ky sistem nuk ka miq dhe funksionon shumë mirë në marrjen e shërbimit, duke lënë pas sekserët dhe influencat e llojllojshme."

"Dhe thonë e thonë s’funksionon sistemi i ri i Kadastrës…

Kjo është vetëm një fotografi e fluksit të punës së sistemit digjital, ku mund të shihen qartë datat hyrëse e dalëse të aplikimeve, pa sportel, pa kontakt fizik me punonjësit, pa mundësi ndërhyrjeje nga lart, poshtë, anash për të marrë e dhënë favore, pa shans për rryshfet sepse sistemi nuk ha mik dhe pa të gjitha sekëllditë e tmerret e të kaluarës në marrjen e shërbimit

Ndërkohë që po, e vërtetë, s’funksionon më sistemi i vjetër, zhbëhet përditë rrjeti i sekserëve, influencave të llojllojshme, buburrecave e minjve brenda kadastrës, të cilët vazhdojnë të dorëhiqen prej tharjes së burimeve të pista, vazhdon papushim puna për përmirësimin dhe rritjen e efiçencës së sistemit të ri, i cili ka ende problemet e veta, por edhe kështu siç është ka dhënë dy prova të mëdha, si një sistem ARMIQËSOR ME KORRUPSIONIN dhe MIQËSOR ME QYTETARIN", ka shkruar ai.

Prej disa javësh, qytetarët, noterët, agjentët imobiliarë dhe bankat janë ankuar dhe kanë treguar se po përballen me vonesa dhe dëme financiare pasi ASHK nuk jep përgjigje dhe dokumentacionin e kërkuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë