Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama në një reagim pas protestave të zhvilluara në Tiranë, shkran se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, pavarësisht se, sipas tij, protestat mund të drejtohen apo të përdoren nga aktorë të ndryshëm politikë.
Përmes një postimi në Facebook, Rama bëri një ndarje mes protestuesve dhe organizatorëve të tubimeve.
“Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë pavarësisht se kush i drejton, manipulon, përdor dhe abuzon me hallet e tyre”, shkroi ai.
Sipas tij, shqetësimet reale të qytetarëve duhet të dëgjohen dhe të shërbejnë si nxitje për reflektim.
“Ai ujë që buron nga halle, shqetësime, probleme reale të jetës së çdo protestuesi apo simpatizanti të protestës, duhet kthyer dhe do ta kthejmë në energji për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian, duke ndarë me ta reflektimin tonë nga kjo protestë, sapo ta kemi lexuar me vëmendje e përulësi krejt mesazhin e zemërimit të tyre të sinqertë”, u shpreh Rama.
Në të njëjtën kohë, kreu i qeverisë përdori tone të ashpra ndaj organizatorëve të protestës dhe personave që, sipas tij, po e shfrytëzojnë pakënaqësinë qytetare.
“Korja e shpifur që ka bërë bashkë plot dështakë të zemëruar të Shqipërisë, turlilloj personazhesh që japin mend që s’i kanë dhe shfryjnë dufe e mllefe për të cilat s’ua ka fajin askush veç vetes, duhet parë e treguar pa asnjë ngurrim mu siç është: Shëmbëlltyra më e zezë e alternativave politike të këtyre 35 vjetëve”, shkroi ai.
Rama u shpreh gjithashtu se protesta do të shërbejë si një moment reflektimi për shumicën qeverisëse.
“E mira më e madhe e kësaj proteste është se në fund nga e gjithë kjo vorbull shumica qeverisëse do të dalë me vullnetin e ripërtërirë për të qenë shumë më afër me popullin”, deklaroi kryeministri.
Në përfundim të reagimit të tij, Rama tha se protestuesit “do të fitojnë bashkë me Shqipërinë”, ndërsa shtoi se ata që, sipas tij, i kanë keqpërdorur protestat, “do të dështojnë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje