Politike

Rama përsërit kritikat ndaj BE: Francën e dashuroj, por gabuan

Kryeministri Edi Rama u qëndron kritikave të adresuara ndaj Bashkimit Europian për lënien jashtë skemës së vaksinave vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai thotë se kritikat e tij mbështeten edhe nga alarmi i dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë që foli për një “katastrofë morale të njerëzimit”.

“Përplasjen” me Ambasadën Franceze e vijoi, duke këmbëngulur se Ambasada e ka nxjerrë nga konteksti dhe se BE gaboi.

“Për dashurinë time për Francën dhe respektin për Francën, unë mund të garoj me një francez dhe me ambasadoren. Kur kam sjellë në shembull Francën mund të kisha marrë dhe një vend tjetër. Vendimi është i gabuar i BE. Ne kemi të drejtë të themi kur gabojnë në raport me ne. Këtu është fjala për të mbrojtur njerëzit, dinjitetin”, u shpreh Rama.

Kryeministri shigjetoi edhe opozitën, ndërsa tha se fakti që Shqipëria nuk është anëtare e BE-së nuk mund t’i mbyllë gojën.

“Çfarë thashë unë që u mërzitën këta?! Është çështje karakteri, opozita ka karakterin e vet, karakter i dobët. Kur kanë qenë në pushtet i janë përulur me servilizëm kujtdo që flet gjuhë të huaj”, deklaroi ai.

Megjithatë, Rama nuk i sheh këto qëndrime si mungesë respekti ndaj BE-së dhe as kjo përplasje nuk e ka lëkundur nga bindja se integrimi në këtë union është e vetmja rrugë për Shqipërinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë