Politike

Rama përballë presionit për rikandidimin e Erjon Veliajt

Socialistët po përfshihen në një "luftë" mes tyre në rikandidimin ose jo të Erion Veliajt nën siglën e PS-së për bashkinë e Tiranës. Kur ende nuk janë vendosur kandidaturat, drejt Ramës po lëshohen sinjale për ta rikandiduar kryebashkiakun aktual të Tiranës.

Rikandidimi i tij po shihet nga brenda korridoreve të PS-së edhe si një mundësi e marrjes së drejtimit të Partisë Socialiste në të ardhmen, sigurisht nëse Veliaj e fiton bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme të 30 qershorit 2019.

Pikërisht ky skenar, ai i marrjes së drejtimit të partisë, duke qenë kryebashkiak i Tiranës, i ndodhur edhe më parë, që ka zanafillën me Edi Ramën, i cili mori partitë vetëm pasi drejtoi qytetin numër një të Shqipërisë, dhe i pasuar ky skenar nga kryebashkiaku Lulzim Basha, i cili mori drejtimin e PD-së, duket se po tremb një pjesë të socialistëve që janë kundër Veliajt.

I pari që shfaqi guximin të dilte pro rikandidimit të Veliajt do të ishte ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Katër ditë pas largimit si ministër të Brendshëm, Xhafaj do të shfaqej dhe do të kërkonte besimin për një mandat të dytë.

Veliaj dhe Xhafaj ne takimin ne Njesine 10 te Tiranes

“Ka njerëz që ulen në një karrige dhe janë të kënaqur se kanë kapur një karrige; ka njerëz që marrin pushtet dhe janë të lumtur që janë të pushtetshëm; ka njerëz që vijnë për të shërbyer, që kanë një mision që duan të lenë një gjurmë përmes mundësisë që u jep pushteti dhe ky është Erion Veliaj! Katër vjet më parë na është dashur të flisnim se kush është Erion Veliaj, kurse sot nuk na duhet fare të flasim sepse ai dhe ekipi i tij duhet të tregojnë çfarë punësh kanë bërë dhe janë duke bërë. Puna dhe rezultatet janë treguesi më i mirë, CV-ja më e mirë për cilindo. Erion Veliaj hyri për një mision dhe me punë, me rezultate, me atë çfarë ka bërë, është duke kërkuar një mandat të dytë, jo për të vazhduar të qendrojë në atë karrige, por për të shërbyer dhe për ta çuar përpara këtë mision. Gjëja më e mirë e tij është puna”, deklaroi Xhafaj në dëgjesën e zhvilluar në Njësinë numër 10 të Tiranës.    


Në fakt këto dëgjesa shërbyen më tepër për të shfaqur para elektoratit Veliajn si njeriu që tashmë ishte i pëzgjedhur për të rikandiduar sërish për bashkinë e Tiranës.

Një tjetër zë potent pro kandidimit të Veliaj u shfaq edhe mbrëmë edhe ish-kryeministri Pandeli Majko. Gjatë një interviste televizive, Majko u shpreh qartë pro, madje duke theksuar se mos caktimi i Veliajt do të kishte pasoja për Ramën, duke nënkuptuar PS-në.
"Nuk kam informacion. Por mendoj se Rama do dëmtonte veten se sa Erionin, duke mos e rikandiduar", theksoi Majko në intervistën e dhënë në emisionin e Adi Krastës.

Veliaj, Majko dhe kryesocialisti Rama gjate fushates elektorale te fundit

Ish-kryeministri që njihet si një mbështetës i kryebashkiakut aktual shkoi edhe më tej, duke hedhur poshtë çdo mundësi që Veliaj mund të merrte drejtimin e PS-së, duke rrëzuar Edi Ramën, i cili mban postin e kryeministrit. Sipas tij, këtë skenar e shihte të pamundur për sa kohë, Rama është në krye të Ekzekutivit shqiptar.

Ndër emrat me peshë brenda PS-së, pro rikandimit të Veliaj është edhe sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla. Ditët e fundit ai do të deklaronte se “ka justifikuar maksimalisht besimin e dhënë nga PS dhe qytetarët e Tiranës më 23 qershor 2015”, duke lënë të kuptohet se ai mund të konfirmohet nga strukturat e Partisë Socialiste në momentin e duhur. Deputetët e PS-së të qarkut të Tiranës janë përgjithsisht pro rikandidimit të Veliajt, një pjesë e tyre janë përfshirë në lista edhe me "bekimin" e tij.

Por përballë këtij "presioni" Rama duket se është në pritje edhe të ndonjë grupimi tjetër që është kundër rikandidimit të Veliajt, që siç duket i tremben faktit të fuqizimit dhe të rrëmbimit të PS-së, me ushtrimin e një mandatit të dytë.

Ndërkohë në skenë ka dalë emri i ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu si një kandidate për bashkinë e Tiranës. Edhe pse deputete e PS-së në qarkun e Tiranës, Manastirliu është shfaqur rrallë në takimet që Veliaj ka zhvilluar nëpër njësitë administrative të kryeqytetit.

Ministrja Manastirliu dhe kryebashkiaku Erion Veliaj

Pas këtyre zërave, ministrja së Shëndetësisë u akuzua direkt për plagjiaturë të punimit të diplomës së doktoraturës së saj, të titulluar “Krahasimi i monitorimeve të mjedisit në landfill-in e Sharrës, para dhe pas ndërhyrjes si dhe ndikimet në mjedis”.

Ky shigjetim ndaj ministres u publikua pikërisht në momentin kur emri i Manastirliut po lakohet gjithnjë e më shumë si rivale e Veliajt brenda garës së PS-së për garuar për metropolin shqiptar. Këtyre akuzave ministrja iu kundërpërgjigj si shpifje, duke rrëzuar pretendimet e ngritura në Facebook nga Lëvizja për Univeristetin.

Ndërkaq vetë kryesocialisti Edi Rama nuk e ka thënë fjalën e fundit. Veliaj njihej si njeriu më i afërt politik, pasi ngjitja në majën e skenës politike u arrit falë mbështetjes së Ramës. Kryeministri gjatë një interviste televizive të kohëve të fundit iu shmang përgjigjes së pyetjes nëse do të rikandidonte Veliajn, Dakon dhe Sejdinin, duke preferuar të fliste mirë vetëm për drejtuesit e bashkive Fier dhe Vlorë.

"Kemi një numër kryetarësh bashkie që meritojnë respekt. Ka një numër prej tyre që e kanë merituar me punë respektin tonë. Unë mendoj që shumë njerëz që na kanë votuar nuk mendonin që do të ndodhnin këto ndryshime në shumë qytete të Shqipërisë. Për shembull në Fier. Është komplet një tjetër gjë sot… Unë mendoj që të gjitha qytetet janë transformuar, por Fieri, Vlora…ki parasysh, nuk e kanë menduar. Më tha njëri aty te Lungomarja, “ta kisha ditur kështu nuk ta jepja votën. Tani na nxore gratë nga shtëpia, rrinë te Lungomarja", tha Rama në "Java NEWS" në RTSH.

Në këtë betejë për zgjedhjen e kandidatëve, socialistët nuk do të kenë përplasjet e aleatëve, por mbi të gjitha konfliktet brenda tyre. Rama duhet të vendosë përballë zërave publikë pro Veliajt ndaj atyre kundër që janë të heshtur. Gjithsesi në traditën e partive politike në Shqipëri eksperienca ka treguar se janë kryetarët e partive që vendosin kryesisht dhe jo forumet e partive në caktimin e kandidatëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë