Politike

Rama për vendimin e Strasburgut: Drejtësia e re do të zbardhë ’21 janarin’. Nuk do të ketë komisione hetimore!

Nga Gazeta 'SI' - Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat, foli për vendimin e gjykatës së Strasburgut, vendim që e cilësoi ngjarjen e 21 janarit një krim shtetëror.

Rama u shpreh se deri më tani autoritetet më të larta të vendit kanë penguar në mënyrën më brutale drejtësinë që të reagojë dhe të veprojë në kohë reale për të nisur zbardhjen e këtij krimi.

“Leximi i vendimit të gjykatës është si të lexosh një rrëfim të stërpërsëritur prej nesh ndër vite. Vendosja e gishtit drejtpërdrejtë te autoritetet ekzekutive të kohës është e shkruar e zeza mbi të bardhë. Jo vetëm për krimin e vrasjes që ka mbetur pa autor, sepse vrasja nuk ka nisur nga tërheqja e këmbës së armës, por nga urdhri që ka ardhur nga maja, por nga ana tjetër, gjykata nënvizon vë gishtin edhe te krimi i pengimit të drejtësisë. Është e qartë në vendim se autoritetet më të larta të vendit kanë penguar në mënyrën më brutale (kriminale) drejtësinë që të reagojë dhe të veprojë në kohë reale për të nisur zbardhjen e këtij krimi.

Unë e kam bindje edhe sot, që nuk ka asnjë forcë që mund ta pengojë zbardhjen përfundimtare të krimit shtetëror të 21 janarit. Por mund të vijojë të vonohet. Jam këtu duke i shprehur këto konsiderata sepse është e rëndësishme për moralin e sistemit të drejtësisë, institucioneve që të mos vijojë kalvari i familjeve të viktimave të mos vijojë të rrijë pezull e gjithë shoqëria  për shkak të këtij krimi dhe mos vijojë tërheqja e moskëputja e vonesës së qëllimshme dhe cinike përballë domosdoshmërisë së drejtësisë mb 21 janarin.

Përballë 21 janarit dhe krimit shtetëror të 21 janarit të gjitha të tjerat kanë rëndësinë e tyre, por janë shumë më pak në mundësinë për të peshuar në vendosjen e plotë të të gjithë themelit të ri të drejtësisë që sapo ka nisur të ndërtohet. Nëse 21 janari mbetet në ajër edhe themeli i ri i drejtësisë, nuk e mban dot të gjithë peshën e jashtëzakonshme të misionit që ka drejtësia në një vend demokratik, ku askush nuk është mbi ligjin dhe ku askush nuk mund ta ushtrojë pushtetin e përkohshëm për të marrë jetë njerëzish të pafajshëm”, u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se nuk do të ketë negocioata me opozitën për ngritjen e komisioneve hetimore.

“Nuk negociojmë me non gratat. Kaosi në kuvend për hallin e Berishës me drejtësinë e re. Presim që drejtësia të veprojë me drejtësi mbi ata që pengojnë forcërisht ushtrimin e detyrës të tjetrit. Nuk ka asgjë për të negociuar", tha Rama. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë