Futboll

Rama për trajnerët italianë: Arrogantë, ikën nga frika e humbjes në derbi

Frika nga Covid-19 ishte një alibi, një mënyrë fine e stafit italian për t’u tërhequr para derbit me Tiranën. Kështu e ka argumentuar largimin e Sormanit dhe stafit të tij Olsi Rama, drejtori sportiv i Partizanit. Gjatë emisionit “Procesi Sportiv” ai ka folur për tema të ndryshme që kanë të bëjnë me Partizanin aktualisht, duke nisur nga trajneri i ri.

“Trajneri i ri i Partizanit? Do të jetë një trajneri i lirë, që nuk ka punë me ekip tjetër. Largimi i Lerdës ishte një faturë e shtrenjtë. Derbin mund ta humbësh, ke 6 vjet që nuk mundesh, edhe goli i minutës së fundit nuk ishte rrjedhojë e lojës së mirë të Tiranës. Nuk e hoqëm prej derbit, por nga nervozizmi për rezultatet dhe lojën. Faji dhe merita fillon nga koka. Me gjithë dëshirën e mirë, italianët nuk funksionuan, nuk kanë funksionuar në ekipet të tjera, mbase vijnë me pak arrogancë nga një realitet më i mirë se Shqipëria dhe nuk përshtaten me lojtarët tanë.

Para derbit të fundit isha i qetë. Donim një mënyrë të re komunikimi dhe ishte ndeshja e parë që lojtarët luajtëm shumë lirshëm. E tha edhe Trashi pas ndeshjes. Përse nuk erdhën trajnerët italianë në derbi? Atë e dinë vetëm ata, por nuk besoj se ishte frika e Covid-19, sepse do të kisha edhe unë frikë. Ata kishin frikën e rezultatit në derbi, ishte një mënyrë fine që e zgjodhën duke u tërhequr prapa”, - deklaroi Rama për çështjen e stolit të kuq dhe largimin e italianëve.

Sormani (djathtas), një nga dy italianët që drejtuan Partizanin këtë sezon. Gazeta Si, 28 korrik 2020

Më pas ai foli për sezonin në tërësi, duke pranuar se ishte një eksperiment i dështuar: Ishte një vit i vështirë për futbollin dhe për shoqërinë. Ishte një kampionat i sëmurë, anormal. Derbi i fundit ishte ndeshja me më shumë tifozë, rreth 200 tifozë, kur protokolli lejonte 20. Jam pro tifozëve, nëse do të pranohej, do të isha dakord, sepse me ata tifozë nuk do të pësonim gol në derbi në minutën e 93-ë.

Dështimi? I ndërtuam gjërat përtej rritjes graduale, futëm duart thellë në xhepa, sepse menduam se në Europë duhen shpenzime të mëdha. U ndeshëm me ekip të fortë dhe humbëm, por me dinjitet. Kampionati ka specifikë tjetër. Një gabim e trysnon shumë trajnerin. Trajnerët nuk punuan të qetë dhe e transmetuan këtë edhe te lojtarët. Më pas shkuam deri aty sa të diskutonim me Vllazninë mbijetesën. Po të kishim qetësinë e duhur, do të kishim arritur më tepër.

Janë gabime që bëhen. Ideja ishte të kishim një staf që të rriste lojtarët profesionalisht. Menduam se me italianët kemi më shumë komunikim dhe njihen për anën e fortë taktike, por mungoi aspekti psikologjik. Ishte eksperiment i dështuar, sepse stafi teknik megjithëse u mundua, në aspektin psikologjik nuk mundi të penetronte në ekip dhe të sillte qetësi. Ishte ekip më i mirë se vjet, çaloi nga ana morale”, - theksoi mes të tjerash drejtuesit i klubit të kuq.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë