Politike

Rama për PD: Do pësoni disfatë tjetër. Bardhi: Na fol për rezultatin me aleatin tënd, Tom Doshin Non-Grata, që ti se përmend

Kur foli për rritjen e pagave në Kuvend, kryeministri Edi Rama është fokusuar edhe tek opozita kur tha se do të jetë me keq për këtë të fundit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.  

“Nëse doni të dini pse jua ktheu Kamza kurrizin, shkoni e shikoni të gjithë politikat e bashkisë, merrni me radhë familjet që ju prishën shtëpitë nga tërmeti, pyesni ata të Unazës pse 130 familje nuk bënë asnjë protestë. Ata e dinë shumë mirë që njeriu që kanë atje fle i fundit, zgjohet i pari dhe çfarë thotë e bën. Ajo çfarë bëjnë atje është fiks ajo që do bëjnë. Kamza bëri atë që keni merituar prej kohësh. Hajdeni me mua në Tropojë e shihni pse ju ktheu kurrizin

Jeni bërë aq të pashikueshëm, të padëgjueshëm, të pangrënshëm sa një pjesë na votuan ne, një pjesë qëndruan në shtëpi. Herën tjetër do jenë më pak. Më shumë se fitorja jonë ajo është disfatë e politikës e të gjithë juve që vini këtu. Po e morët vesh merreni po se morët vesh herën tjetër do të jetë edhe më keq, për ju, jo për Shqipërinë jo për shqiptarë”, tha Rama.

Ne foto: Gazment Bardhi ne Kuvend

Por menjëherë pas tij reagoi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i cili tha se Rama në vend që të merret me opozitën do i duhet të shpjegojë shqiptarëve se pse nuk flet për Tom Doshin falë të cilit mori zgjedhjet, sipas tij.

“Bëre mirë zoti kryeministër që po ikën. Fole këtu 35 minuta, shpjegove rezultatin historik, siç e quajtët ju, të Partisë Socialiste. Shpjegove rezultatin e opozitës, por nuk na shpjegove pak rezultatin e aleatit tënd non grata, Tom Doshi. Se në fakt konkluzioni më domethënës i zgjedhjeve të 14 majit, është rezultati I aleatit politik të Edi Ramës, në të gjithë Shqipërinë. Aleatit non grata të Edi Ramës, Partisë Social Demokrate të Tom Doshit. Në fakt ai është thelbi i pushtetit të Edi Ramës, një këmbë të pushtetit në Durrës ia ka garantuar Vangjush Dako, i damkosur  non grata për të cilën ai hesht dhe nuk flet. Në Shkodër, pushtetit të tij ia ka garantuar Tom Doshi non grata, për të cilin ai nuk flet.  Vjen këtu dhe në vend që të flas për masakrën që bëri në 14 maj, merret 35 minuta nga 36 që foli kryeministri me opozitën. Në fakt do të duhej të vinte këtu dhe të jepte shpjegime, pse në 10 vite nuk ka sjell në Kuvend asnjë projektligj për rritje pagash, edhe pse çmimet janë dyfishuar...” tha Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë