Politike

Rama: Opozita ka frikë nga zgjedhjet. Berisha: Protestat e tmerruan

Kryeministri Rama, gjatë një interviste për televizionin italian "TG2" ka komentuar krizën politike që ka përfshirë vendin prej disa javësh.

Sipas kreut të qeverisë, ajo që po ndodh me opozitën është një situatë e pazakontë, duke iu referuar djegies së mandateve.

“Në rrugëtimin drejt Europës kemi nevojë për stabilitet. Kjo është një situatë mjaft e panjohur. Nga ajo çka kam shfletuar nga librat e historisë, është një gjë që ka ndodhur vetëm në Italinë e viteve ‘20. Është sikur në Itali opozita të thotë se dua një qeveri ndryshe sepse nuk fitojmë dot me këtë qeveri”, tha Rama.

Duke u ndalur te korrupsioni në Shqipëri ai nënvizoi se “nëse do thosha që korrupsioni nuk është problem në Shqipëri, do të thosha një të pavërtetë. Por nëse ju them që korrupsioni po luftohet si asnjëherë më parë, kjo është vërtetuar edhe nga institucionet ndërkombëtare. Opozita po përpiqet të krijojë një krizë artificiale nga frika për tu përballur me zgjedhjet vendore të qershorit, ku sipas sondazheve të tij rezulton humbëse”.

Kreu i qeverisë e sheh si sukses ecurinë e reformës në drejtësi. “Jemi futur në një reformë gjyqësore që është një model për gjithë rajonin. Jemi duke kaluar në një filtër të pazakontë gjyqtarët që duhet të provojnë ligjshmërinë e pasurive të tyre. Më shumë se 50 janë larguar”, u shpreh Rama.

Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha, i ftuar në emisionin “360 Gradë”, e konsideroi kryeministrin Edi Rama një kufomë politike.

Berisha vijoi më tej duke thënë se kryeministri aktual, është një zhgarravitës dhe mënyrë absolute sipas tij, asgjë tjetër.

"Ai është një zhgarravitës dhe mënyrë absolute asgjë tjetër. Janë të pavdekshme cilësimet që i kanë bërë kritikët e artit italian, që thanë zhgarravinat e një adulti të droguar. Kaq janë ato. Problemi i tij është ky; ai është kufomë politike e pa kallur. A do ta kuptojë ai, kjo është gjë tjetër. Sa të jetë në fazë maniakale, ai nuk ka vesh që të dëgjojë, nuk ka sy që të dëgjojë", ka thënë Berisha gjatë intervistës

Berisha thekson se kryeministri është tmerruar nga protestat e opozitës dhe se ka dërguar video në Bruksel, ku pretendon se synohet t’i merret pushteti. “Rama u tmerrua nga protesta e datës 16 dhe më datë 17 variantin e parë që përhapi lajmin se Berisha do me më marrë pushtetin. Dhe për këtë dërgoi nëpërmjet çakallit të tij, të Baton Stanishiçit dërgoi në Bruksel një video qesharake në Bruksel si dëshmi e asaj që unë do t'i marrë pushtetin. Largimi im është një largim pa kthim. Ata e dërguan, kush e dërgoi? Pastaj nxori 100 lloj hipotezash të tjera por e vërteta është se po i tunden këmbët. Sa ka mbledhë opozita me bilbil brenda 4 orëve, nuk ka ndodhur kurrë në historinë e këtij vendi”.

Berisha më pas akuzoi eurodeputetin Knut Fleckenstein se është i lidhur me rusët: “Erdhi ky në Tiranë, Knuti në verë dhe takoi shoqërinë civile. 5 organizata, që të 5-ta të sponsorizuara nga Soros dhe u tha mos u mërzisni se Saliun e nxisin rusët. Ndërkohë që vetë i ka lidhet me rusët vetë të dokumentuara”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë