Lajme

Rama nuk tërhiqet për Teatrin: Do ndërtohet si plan e përgjegjësi qeverisëse

Lidhur me përplasjen e artistëve dhe qytetarëve për mosshembjen e Teatrit, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama.
Me anë të një postimi në “Twitter”, Rama tha se Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet si plan e përgjegjësi qeverisëse. Aktorët dhe politikanët që ishin sot në mbrojtje të godinës sipas tij janë minorancë.
“Asnjë minorancë nuk mund të marrë peng asgjë e askënd në këtë vend. Me gjithë respektin për një minorancë aktorësh teatri dhe politikanësh që s’kanë hyrë kurrë në teatër, po janë mësuar të bëjnë teatër me çdo gjë,Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet si plan e përgjegjësi qeverisëse”, shkruan kryeministri Rama në “Twitter”.
Kreu i qeverisë shtoi se askush nuk ka mandat dhe as të drejtë ta pengojë ndërtimin e teatrit të ri.
“Teatrin e ri Kombëtar e kërkon kryeqyteti, vendi, kombi e shumica e komunitetit të artistëve të skenës. Njësoj si Stadiumi i Ri kombëtar ai do të jetë një gur kilometrik në rrugën e Shqipërisë që duam. Kush s’është dakord është i respektuar, po s’ka as mandat as të drejtë të pengojë”, shkruan kreu i qeverisë.

https://twitter.com/ediramaal/status/1153975475376721922

Policia e ka rrethuar Teatrin në tentativë për ta shembur që në orët e para të mëngjesit dhe ka larguar nga hyrja kryesore mbështetësit. Por një gjë e tillë është shoqëruar me përplasje dhe konfrontime fizike, pasi artistët dhe përfaqësues të shoqërisë civile e kundërshtojnë me forcë shembjen e Teatrit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë