Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri Edi Rama, gjatë pjesëmarrjes në Samitin BE–Ballkani Perëndimor që po zhvillohet në Tivat, u ndal edhe te protestat kundër projektit të diskutuar në Zvërnec.
Ai deklaroi se nuk bëhet fjalë për një çështje mjedisore, por sipas tij për një “luftë hibride”. Sipas tij, pas protestës qëndrojnë elementë iranianë, të cilët, siç u shpreh ai, kanë qenë të përfshirë edhe herë të tjera në sulme të ngjashme.
“Atje nuk është çështje mjedisore, është lufte hibride. Pas protestës janë iranianët, që kanë qenë edhe herë të tjetra të përfshirë në sulme”, shtoi ai.
Rama hodhi poshtë pretendimet mbi projektin në Zvërnec, duke deklaruar se nuk është ai për të cilin është folur publikisht dhe se qytetarëve sipas tij u janë shfaqur video të rreme të prodhuara në Tiranë.
Ai shtoi se aktualisht nuk ka asgjë për të diskutuar në lidhje me këtë çështje, pasi, sipas tij, nuk ekziston asnjë projekt i miratuar.
“Projekti në Zvërnec nuk është ai që është folur. Keni parë video false nga Tirana. S’ka asgjë për të diskutuar, sepse s’ka asnjë projekt të miratuar. Në këtë projekt janë përfshirë disa nga arkitektët dhe artistët e peizazhit më të mirë në botë. Qëllimi nuk është të dëmtohet apo të prishet natyra, por të krijohet diçka unike, që do të jetë e jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe një dhuratë e Shqipërisë për mbarë Europën”, përfundoi Rama.
Ai iu bëri thirrje mediave perëndimore që sipas tij të jenë më të kujdesshme “sepse faktet kanë rëndësi.”
“Janë shpërndarë video të rreme me qindra mijëra shikime, ku pretendohet se shqiptarët brohorasin ‘Israel go home’. Këto janë të gjitha të rreme. Nuk ka asgjë të tillë në Shqipërinë reale. Nga ana tjetër, ka njerëz që shqetësohen me të drejtë. Atyre u them të mos shqetësohen, sepse projekti ende nuk ekziston. Ne kemi vendosur standardet që duhet të përmbushë projekti dhe tani po presim që ai të paraqitet”, tha Rama.
I pyetur lidhur me procesin e integrimit, Rama shprehu mbështetje për anëtarësimin gradual, por tha se BE duhet të gjejë guximin.
“Besoj se Europa, së pari për veten, duhet të jetë më e guximshme, të mbajë procesin e bazuar në meritë, të shkojë drejt integrimit gradual, por të gjejë guxim. Nëse BE do që t’i dërgojë një mesazh të fortë botës dhe të energjizojë veten, duhet të thotë siç jemi sot bashkë rreth tavolinës, do të jemi, por secili me statusin e vet derisa të bëhemi anëtarë me të drejta të plota”, tha Rama.
I pyetur për një parashikim lidhur me afatin e integrimit, Rama e mbylli me një batutë:
“Ka 3 gjëra që s’mund t’i parashikosh: Zoti, seksi dhe BE”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje