Politike

Rama: Nuk ka plan B për Shqipërinë, BE është vendi ku duhet të jemi patjetër!

Nga Gazeta ‘Si’- “Kemi një tutor mbi kokë që quhet Bashkimi Europian. Mund të ankohesh për BE-në ditën, por natën nuk ke makthe”.

Me këtë metaforë, kryeministri Edi Rama përshkroi rrugën e integrimit europian të Shqipërisë gjatë konferencës rajonale për transformimin digjital dhe sigurinë juridike të pronës, të mbajtur në Tiranë.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se Shqipëria nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndërsa e cilësoi procesin si një garanci stabiliteti dhe zhvillimi për vendin.

“Kemi një mallkim dhe kemi një tutor mbi kokë, që është BE. Që thotë këtu ke dalë mirë, këtu jo. Kjo ndihmon patjetër”, deklaroi Rama, duke shtuar se edhe pse vendet anëtare mund të kenë kritika ndaj Unionit, ai mbetet projekti më i sigurt politik dhe ekonomik për të ardhmen.

Kryeministri tregoi edhe një bisedë me guvernatorin e Austrisë, ku sipas tij kishte përdorur një krahasim simbolik për Bashkimin Europian.

“BE është diçka për të cilën mund të ankohesh ditën, por natën nuk ke makthe. Nëse gjen një rrugë tjetër gjatë ditës, mund të jesh më i lirë, por natën ke makthe. Ndaj BE nuk ka plan B apo C. Është vendi ku duhet të jemi patjetër”, u shpreh ai.

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe te rëndësia e teknologjisë dhe reformave digjitale në përshpejtimin e procesit të integrimit evropian. Ai tha se Shqipëria ndodhet në një moment kyç, teksa po mbyll fazën e parë të negociatave me BE-në dhe po hyn në fazën e përcaktimit të objektivave finale për kapitujt negociues.

Sipas tij, transformimi digjital ka ndihmuar Shqipërinë të ecë më shpejt në reforma, ndërsa e cilësoi teknologjinë si një “bekim” për vendet që kanë kaluar tranzicione të vështira.

Në fund të fjalës së tij, Rama u largua për të udhëtuar drejt Brukselit, duke ironizuar edhe njëherë me raportin e Shqipërisë me Bashkimin Europian.

“Tani duhet të largohem se BE po më pret. Duhet të marr avionin”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë