Politike

Rama: Nuk e mendoj dorëheqjen. Burg kush prek zgjedhjet në 30 qershor!

Kryeministri Edi Rama duke folur për situatën e krijuar në Shqipëri, ku opozita prej disa muajsh është në rrugë dhe qeveria refuzon të pranojë kërkesën e tyre për zgjedhje të parakohshme, ka deklaruar se synon t’i përmbahet Kushtetutës deri në fund.

Rama theksoi se nëse opozita vijon të ndjekë këtë rrugë “qorre” siç e cilësoi ai, është e destinuar të tretet si grupim politik.

I ftuar në emisionin “Open”, ai nënvizoi se nuk ka asnjë tundim për të ndryshuar datën e zgjedhjeve.

“Opozita ka veshur jelekun e verdhë të një lëvizjeje që është karakteristikë e grupeve që nuk janë pjesë e partive politike dhe kërcënon se s’do të ketë zgjedhje nëse s’duam ne. Ndryshimi është se jemi në kushte kur ka një vendosmëri për t’i shkuar deri në fund një rruge qorre, që është një vetëvrasje politike dhe nga ana tjetër thirrje për dialog dhe diskutim pa kushte. Kam konstatuar 2 përgjegjësi të mëdha që kemi fituar zgjedhjet në mënyrë dërrmuese për opozitën tanimë në rrugë. Frika nga zgjedhjet, paniku nga zbatimi i reformës janë shtysa të forta që kanë përcaktuar rrugën qorre të opozitës”, tha Rama.

Sipas kreut të qeverisë, ky grup forcash politike nuk kërkon përmirësimin e rregullave të lojës, por të hapin rrugën e pushtetit dhe sipas tij s’do t’ia arrijnë dot, pasi rrezikojnë të treten.

Kryeministri deklaroi se ka vetëm një ofertë për Lulzim Bashën dhe ajo është data 30 qershor, pra zhvillimi i zgjedhjeve lokale të vitit 2019 në datën e dekretuar nga Presidenti.

“Kam një ofertë shumë të qartë, që është 30 qershori, një imponim dhe detyrim i qartë. Si mund t’i thuash ti popullit që në 30 kemi zgjedhje dhe më pas t’i themi na falni se kemi pak punë. Patjetër që Kushtetuta ndryshohet dhe nuk është libër i vdekur, por nuk mund të ndryshohet me imponim, duhet folur ça do bëjmë më tej”.

I pyetur nëse pas 21 vjetësh në politikë ka ardhur koha për të dhënë dorëheqjen, Rama u përgjigj qartë:

“Është e vërtetë që kam në politikë qysh në vitin 1998. S’kam qenë në nivelet më larta, por ministër Kulture dhe falë meje ky ministër u bë i rëndësishëm. Pastaj u bëra kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe falë meje u kthye Tirana në një qendër të rëndësishme si niveli i dytë i pushtetit. Pastaj u bëra kryetar i PS, kalova opozitën dhe sot jam këtu. Nëse do kisha ndjesi se qeverisja po shkon jo mirë, nën sensin e objektivave dhe rezultateve dhe gjërat që duhen bërë. Ose nëse do kisha ndjesinë e lodhjes do e kisha menduar, por s’kam as të parën as të dytën dhe mbi të gjitha kam sensin e palëkundshëm të detyrës ndaj njerëzve dhe do ta çoj këtë punë deri në fund - deklaroi Rama. - Nuk e mendoj dot largimin për një arsye shumë të thjeshtë, se kam një detyrë që ma ka caktuar shumica e shqiptarëve dhe nuk e shkel në asnjë formë, për të tradhtuar ata që ma kanë dhënë votën”.

Ndër të tjera, shefi i qeverisë përsëriti se do t’iu ndalohet hyrja në SHBA e BE atyre që kryejnë krime zgjedhore.

“Ata mund të jenë në gjendje të marrin më qafë njerëz të caktuar, që të tërhequr prej tyre mund të shkojnë t’i bien murit me kokë dhe të bëhen subjekt i ligjit për krimin zgjedhor që është shumë i ashpër, për të vendosur një rend të fortë në zgjedhje. Dhe marrin përsipër të mos shkelin më në SHBA e BE si kriminelë zgjedhjesh”, tha Rama.

Rama shtoi se formula e PD për të protestuar me punonjës bashkish dhe të kanalizimeve në rrugë është e gabuar.

Kreu i qeverisë përmendi edhe një herë mbështetjen e BE-SHBA për të çuar përpara reformën në drejtësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë