Politike

Rama nga Shkodra: Cilat janë gabimet e kundërshtarit ku duhet të mësojë PS

Kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste në Shkodër theksoi se është momenti që PS të mësojë nga gabimet e kundërshtarit, në mënyrë që të mos përfundojnë të ndarë në copa.

Sipas tij nga kjo qasje e pësojnë gjithmonë qytetarët.

“Ajo që po ndodh me atë partinë tjetër që është ndarë në copa e në çika, e që do ndahet edhe më shumë, neve na jep një mesazh shumë të qartë, që ne duhet të kujdesemi të bashkojmë sa më shumë njerëzit e zakonshëm. Shkodra është shembulli se si ndarja nga lart poshtë dhe me kastë, me këmbëngulje dhe cinizëm ndaj njerëzve të zakonshëm, vendosja e barrikadave në çdo lagje në çdo gardh, duke i ndarë njerëzit në tanët dhe tyret, është në dëm të njerëzve. Kush përfitoi nga kjo ndarje në Shkodër? Ja ku është qyteti që e pësoi duke besuar këtë lloj qasjeje politike, ja ku është edhe partia që e ushqeu këtë qasje. Të dyja, edhe qyteti edhe partia që ushqeu këtë qasje janë pasqyra e faktit që këtë e pësojnë vetëm njerëzit”, tha Rama duke shtuar se në këtë fazë, PS ka detyrën e madhe që të jetë një parti që integron, madje të mos e shohin veten si veten dhe si një parti, por ta shohin si një hapësirë për të integruar njerëzit.

Më tej kreu i qeverisë shtoi se një nga këshillat që i dha Benet Becit në kohën kur mori detyrën si kryebashkiak i Shkodrës, ishte që të mos largonte njerëz nga puna me pretendimin se ata janë të PD-së dhe se duhet të punësoheshin njerëz të PS-së.

“Ja kam thënë Benetit që ditën e parë, mos bjer në kurthin që të heqësh njerëz se janë ata e do të sjellim njerëz nga ne, i thashë jepi kohë njerëzve që t’i njohësh. Kush është i zoti për të mbuluar detyrën, nuk ka rëndësi nëse ka votuar 30 vjet ata”, deklaroi kreu i qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë