Lajme

Rama në Vlorë: Universiteti të marrë përgjegjësi

Ndërkohë që nesër në orën 11:00 pritet të zhvillohet protesta e opozitës, kryeministri Rama po zhvillon një takim të hapur me studentët e Vlorës lidhur me “Paktin për Universitetin”. Kreu i qeverisë po diskuton me studentët mbi zbatimin e vendimeve që mori qeveria pas protestës studentore. Ai ndër të tjera tha se Ministria e Arsimit dhe qeveria është në proces njohjeje me nevojat e studentëve dhe universiteteve.
“Jemi në proces njohje me nevojat e studentëve dhe universiteteve. Do të ndërhyjmë në të gjitha konviktet e Shqipërisë , jo vetëm në Tiranë. Lidhur me paketën e ekselencës deri më tani janë identifikuar 400 kandidatë. Por, është e rëndësishme të kuptohet që projektet duan kohë”, u shpreh kryeministri Rama.
Gjatë diskutimeve nuk munguan as batutat, teksa Rama mes të tjerash tha se edhe universiteti duhet të marrë përgjegjësi, pasi qeveria nuk është nënë e babë.
“Qeveria nuk është nënë e babë, qeveria ka detyrat e veta dhe nuk i ka të gjitha dhe nuk i bën të gjitha. Jam i lumtur të bëj edhe sekretarin e universitetit në zyrën time, edhe në 2 të natës. Në 2 të natës vjen mesazhi ‘o daku, çfarë do të bëhet me tarifat’. Unë u përgjigjem të gjithëve, por për disa gjëra duhet të japë përgjigje rektori”, shprehet kryeministri Rama.
Rama kujton edhe përballjen më të fortë në Vlorë gjatë protestës studentore me një studente, e cila i kërkoi kryeministrit t'i japë fjalën me “po” ose “jo” për plotësimin e kërkesave. Kryeministri me ironi nuk ka lënë pa e përmendur edhe sot, duke u shprehur se i pëlqejnë më shumë provokacionet dhe jo duartrokitjet dhe se e ka marrë malli për studentet me syze. Po ashtu ka 'thumbuar' sërish grupin e pedagogëve që kundërshtojnë ligjin e arsimit të lartë, mes të cilëve është edhe Mark Marku.
Ndërkohë, Rama do të vijojë edhe nesër qëndrimin në Vlorë, në turin e takimeve “Bashkia që duam”. Nga opozita ky takim i Ramës në Vlorë është parë si një antimiting ndaj lëvizjes së opozitës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë