Politike

Rama në SHBA për vaksinën, por si negociuan krerët e qeverive në botë

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot se është nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u takuar me krerët e kompanive farmaceutike që do të prodhojnë vaksinën kundër koronavirusit.

Edhe pse nuk ka ende një agjendë zyrtare nga zyra e kryeministrit, kreu i qeverisë pritet të ketë takime me përfaqësues të Pfizer dhe Moderna, dy kompanive që kanë prezantuar dy vaksinat e para anti-covid, që ofrojnë secila mbi 90 % mbrojtje nga virusi. Ai do të jetë në fakt lideri i parë në botë që shkon në SHBA për të negociuar me krerët e dy kompanive në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Momenti që Rama ka zgjedhur për takimin më krerët e kompanive është në fakt i duhuri, pasi si Pfizer dhe Moderna kanë gjithçka gati për të nisur prodhimin e dozave të porositura nga super fuqitë botërore, por po presin miratimin nga organet përkatëse në BE dhe SHBA. Pfizer po prodhon për momentin vetëm për Britaninë, e cila është bërë vendi i parë perëndimor që ka miratuar një vaksinë, por as ajo dhe as Moderna nuk mund të nisin prodhimin e miliona dozave të porositura nga SHBA dhe BE pa marrë fillimisht dritën jeshile nga FDA-ja amerikane dhe Agjencia Europiane e Barnave. SHBA pritet të miratojë dy vaksinat pas disa ditësh, ndërsa BE në fund të dhjetorit.

Në këto kushte, ky duket momenti i duhur për t’u hedhur në veprim. Ashtu si Britania, as Shqipëria nuk është e detyruar të presë miratimin e Agjencisë Europiane të Barnave, pasi nuk është pjesë e Bashkimit Europian. Në këto kushte, nëse qeveria shqiptare arrin një marrëveshje dypalëshe me një nga kompanitë farmaceutike, dhe jo si pjesë e nismës së Fondacionit Gates, rruga për shpërndarjen e vaksinave do të ishte e hapur. Një vend anëtar i BE-së, Hungaria ka bërë të njëjtën gjë më vaksinën ruse, ndërsa Turqia ka vendosur të fusë fillimisht vaksinën kineze.

Të gjitha vendet e Bashkimit Europian pritet të marrin njëkohësisht dozat e para të vaksinave në janar, por vendet e treta si Shqipëria, Komisioni Europian ka parashikuar disa javë vonesë, pasi Ballkanit do t’i jepen doza që do të dhurohen nga vendet anëtare. Për të siguruar vaksinën në mes të një konkurrueshmërie të egër globale, Shqipëria dhe të gjitha vendet në zhvillim dhe ato të vafra u bënë pjesë e Covax, një nisme e fondacionit të miliarderit Bill Gates, por ky fondacion nuk ka dhënë ende një afat se kur të nisë shpërndarja e vaksinave.

Kryeministri Rama nuk është i vetmi që po takohet kokë më kokë më krerët e kompanive, pasi një sërë vendesh janë përpjekur t’i blejnë vaksinat në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kompanitë, pa u bërë pjesë e nismave globale.

Në rajon, i fundit që është takuar me drejtorin ekzekutiv të Pfizer është kryeministri Qiriakos Mitsotaqis.

Mitsotaqis dhe CEO i Pfizer Albert Bourla u takuan në gusht në Selanik. Në një mesazh në Twitter, Mitsotakis tha në atë kohë se ai dhe Bourla diskutuan për hapjen e një qendre të inovacionit dixhital të kompanisë globale në Selanik.

Qendra e ardhshme në Selanik, i cili është vendlindja e CEO të Pfizer, planifikon të rekrutojë 200 shkencëtarë deri në fund të vitit, tha Mitsotakis.

Ai dhe kryeministri grek diskutuan gjithashtu progresin e kompanisë në zhvillimin e një vaksine për Covid-19, por në atë kohë kompania ishte ende larg zbulimit të vaksinës.

Pfizer Inc. dhe BioNTech nisën provën e tretë klinike në tetor, e cila rezultoi e suksesshme duke i hapur rrugën kështu prodhimin të vaksinës.

Larg rajonit tonë, një tjetër lider që do të negocionte drejtëpërdrejtë me kreun e Pfizer ishte kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu.

Më 12 nëntor Izraeli nënshkroi një marrëveshje me Pfizer për blerjen e miliona vaksinave të koronavirusit që do të fillojnë të mbërrijnë në vend në janar. Kryeministri Netanyahu pati dhjetëra biseda telefonike me kreun e Pfizer, i cili e kishte njoftuar se vaksina e kompanisë ishin në rrugë e sipër. Pas negociatave disa ditore dy palët nënshkruan marrëveshjen, duke bërë të mundur që Izraeli të marrë vaksinën njëkohësisht me BE-në dhe SHBA-në.

“Fola përsëri natën e kaluar me drejtorin e Pfizer Albert Bourla. Së bashku me këshilltarët ligjorë të të dy palëve, ne hoqëm pengesën e fundit për nënshkrimin e një kontrate me Pfizer” tha kryeministri izraelit më 12 nëntor. “Ne do t'i marrim këto vaksina ashtu si vendet e tjera kryesore në botë. Dozat e para do të vijnë në janar dhe do të rriteten nga muaji në muaj”, tha ai.

Në anën tjetër të kontinentit aziatik, një tjetër i vend i dëshpëruar për të marrë sa më parë vaksinat për shkak të vdekshmërisë së lartë nga koronavirusi është India.

Kryeministri indian Narendra Modi mbajti një takim në Zoom me krerët e tre kompanive që po punojnë për vaksinat anti-covid  më 30 nëntor. Kryeministrit bisedoi me tre ekipet janë nga Gennova Biopharma, Biological E dhe Dr Reddy's.

Nga ana tjetër, administrata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump ka ftuar prodhuesit e vaksinave, javën e ardhshme në Shtëpinë e Bardhë, për të planifikuar shpërdarjen e vaksinave pas marrjes së miratimit nga FDA.

Takimi do të zhvillohet disa ditë përpara shqyrtimeve të kandidatëve për vaksina nga Moderna Inc dhe Pfizer-BioNTech SE Inc nga dy panele të veçanta ekspertësh të jashtëm pranë Administratës së Ushqimit dhe Barnave të SHBA-së (FDA).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë