Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama ka vizituar ish-uzinën e Bakrit në Rubik, e cila do të jetë pika kyçe e industrisë së mbrojtjes në vend.
Sipas një vendimi të mëhershëm, Rama njoftoi se uzina do të kthehet në fabrikë të prodhimit të armëve, në kuadër të nismës së qeverisë për ta bërë Shqipërinë një vend prodhues dhe eksportues të municioneve ushtrake.
“Në kuadër të hapjes së një faqeje të re në fushën e mbrojtjes dhe ekonomisë, ne nisim me investimet e para për krijimin e qendrave të prodhimit të industrisë ushtarake. Këtë kompleks e kemi identifikuar si një nga pikat ku do të investohet dhe do të prodhohet për forcat tona të armatosura, por në masën më të madhe për eksport”, u shpreh kreu i qeverisë.
Ndër të tjera ai tha se fabrika e armëve do të jetë një treg i ri punësimi me ndikim të rëndësishëm në ekonomi.
“Do të thotë një front i ri punësimi, se këtu kërkohen një seri specialitetesh, që nga puna e inxhinierëve dhe teknikëve, punë e cila do të jetë e mirëpaguar dhe e treta shumë e rëndësishme, që duke zhvilluar këtë industri ne nuk rrisim kapacitetet tona mbrojtëse, por rrisim ekonominë tonë vendore dhe kombëtare. E kemi filluar punë qysh pas agresionit rus në Ukrainë dhe kemi krijuar një agjenci të posaçme, kemi krijuar ndërmarrjen shtetërore, drejtorin e kemi këtu të pranishëm dhe filozofia jonë është që investimet në rritje për mbrojtjen. Janë investime që po i bëjnë të gjitha vendet. Sot kemi ushtrinë tonë e kemi më të mirëpaguarën në rajon dhe synojmë të rrisim pagat çdo vit për të arritur në mesataren e NATO. Kjo ka rritur interesin për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura.
Tani filozofia jonë është të investojmë për të fituar. Asetet e ushtrisë janë keqpërdorur në mënyrë skandaloze për shumë vite, Këtu kam parasysh pronat, të cilat do të mbeten në funksion të sektorit të mbrojtjes”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.