Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama prezantoi sot projektin e shndërrimit të ish-uzinës së Autotraktorëve në uzinë të prodhimit të armëve.
Rama e cilësoi si një projekt pozitiv për ekonominë dhe sigurinë e vendit duke theksuar se “synimi ynë është që të ndërtojmë një rrjet të plotë të prodhimit në vend për nevojat e FA, të Policisë, të zjarrfikëses por edhe për eksport.”
Kreu socialist tha se spekulimet për një vatër rreziku në lidhje me municionet ushtarake janë çmenduri dhe garantoi qytetarët se nuk do të ketë asnjë tragjedi.
“Siç ndodh zakonisht në Shqipëri kur mali mbarset për të pjellë një mi, ishte detyrimi t’iu sqarojmë nga afër që të mos zhvillohet më tej gjithë ajo teori konspiracioni që këtu do të krijohet një vatër rreziku për jetën e njerëzve, çmenduri. Nuk iu shkon mendja se do të ketë ndonjë shpërthim. Nuk keni pse shqetësoheni. Do të prodhojmë makina ushtarake për ushtrinë, policinë zjarrfikëse etj dhe do t’i eksportojmë. Nuk është fantazi kjo se kompania që prodhon ndërkohë, ka çuar autoambulanca në Ukrainë, zjarrfikëse në vende të tjera”, theksoi kryeministri.
Për këto akuza të opozitës foli edhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, drejtues politik në këtë njësi. Hoxha tha se opozita po përpiqet që të kthejë komunitetin kundër këtij projekti, ndërsa shtoi se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar pasi do të prodhohen uniforma dhe automjete ushtarake dhe jo bomba e eksplozivë.
“Dua t’iu siguroj se s’ka asnjë gjë për t’u shqetësuar këtu do të prodhohen automjete dhe uniforma dhe jo bomba e eksploziv. Shkoza s’ka asnjë arsye për t’u shqetësuar por çdo arsye për të mirëpritur këtë projekt që do të zbatohet sipas standarteve më të larta të sigurisë teknike dhe mbrojtjes së mjedisit.”, tha Hoxha.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu tha se gjatë kësaj dekade ka pasur një 10 fishim të investimeve në këtë sektor.
“Kjo dekadë ka qenë një dekadë e rritjes së buxhetit ushtarake, dhe rritjes së investimeve me 10 fishim të tyre në 10 vitet e fundit,. Rritja e buxheteve të mbrojtjes ka siguruar rritjen e trajtimit financiar të ushtarake, përfshirë edhe të gjithë komponentit inxhienerik, teknik e mekanik që janë jetësore sa i përket ambicies për të rijetësuar industrisë ushtarake”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.