Politike

Mbërrijnë vaksinat e tjera Pfizer, Rama: Po mbyllim marrëveshjen për 360 mijë doza të AstraZeneca

Shqipëria ka marrë të hënën dërgesën e dytë me vaksina të drejtëpërdrejtë nga kompania Pfizer, të cilat do të bëjnë të mundur nisjen e fushatës të vaksnimit të të moshuarve. Mbrëmjen e së hënës në aeroportin e Rinasit kanë mbërritur 8190 doza të Pfizer. Avioni me dozat e vaksinave u prit nga kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

Gjatë fjalës së tij për gazetarët, kryeministri tha se është çdo ditë në komunikim të vazhdueshëm me shtete mike, për të siguruar sasinë e nevojshme të vaksinave, me qëllimin që e gjithë popullata të vaksinohet brenda pak muajsh.

Shefi i qeverisë Rama nga Rinasi ka deklaruar se së shpejti finalizohet  një marrëveshje e rëndësishme me një shtet mik për një sasi prej 360 mijë dozash të AstraZeneca.

Ndër të tjera ai ka theksuar se pritet që përveç kësaj marrëveshje janë dhe në bisedime me dy vende të tjera që pritet që sërish të mbyllet marrëveshja për sigurimin e disa dozave të vaksinës anti Covid për vendin tonë.

Ai po ashtu i bëri një panoramë të përgjithshme procesit të vaksinimit në vend, por edhe asaj që pritet të ndodhë gjatë ditëve në vijim.

“Brenda marsit do bëhet lëvrimi i të gjithë sasisë. Ndërkohë vazhdojmë çdo ditë përpjekjen për të finalizuar një marrëveshje të rëndësishme me një shtet mik për një sasi prej 360 mijë dozash të AstraZeneca. Po ashtu jemi në komunikim dhe me 2 shtete të tjera që të shtojmë sasinë e vaksinave në mënyrë  që të mos kemi asnjë moment ndalim apo rënie të tempit që të rrisim tempin progresivisht që të vaksinojmë popullatën brenda 14 muajve.

Ne marrim një tjetër sasi vaksinash nga Pfizer, si një mënyrë që të mos kemi asnjë moment të rënies së tempit, por ta rrisim atë me objektivin e shpallur që të vaksinojmë të gjithë popullatën brenda 14 muajve. Ju po e shikoni se çdo ditë lufta për të siguruar doza vaksinash është shumë e fortë në të gjithë anët, por ne nuk hyjmë te ata që dorëzohen dhe unë kam besim se shumë shpejt do të kemi lajme shumë të mira. Ne vijojmë furnizimin me vaksinën Pfizer, vijojmë fushatën e shtrirë për vaksinën e personelit të bluzave të bardha në të gjithë vendin. Sot që flasim 70% e prodhimit të përgjithshëm të vaksinave janë në duart e vetëm 10 shteteve dhe të gjithë vendet e tjera që kanë pasur akses me dozat e mundshme kanë marrë pjesë dhe kanë ndarë vetëm 30% të shifrave. Ka dhe 120 vende mes tyre dhe vendet e rajonit që nuk kanë asnjë dozë deri më tano”, ka thënë Rama

Ai u ndal dhe tek vaksinat ruse e kineze, duke theksuar se nuk janë konsideruar jo për cilësinë dhe sigurinë dhe as për çështje buxheti, por se sasitë dhe për ato vaksina janë të kufizuara.

“E kam ndjekur këtë diskutim dhe dua të bëj një sqarim. Askush mos të mendojë se vaksina kineze apo ruse është në tezga që mjafton vetëm të shkosh, të paraqitesh të paguash dhe t’i marrësh. Nuk është kështu. Dhe një shtet që ka deklaruar në parim marrëveshje, nuk ka marrë akoma gjë. Sasitë dhe për ato vaksina janë të kufizuara. Numri i të vaksinuarve në Rusi nuk është një numër i atillë referuar popullsisë që të bëjë të besosh se sasitë janë aq të mëdha. Është çështje prodhimi. E dyta mbase është keqkuptuar apo interpretuar në një formë që nuk ka qenë adekuate dhe nuk është adekuate ajo çka kam thënë duke theksuar atë që është thënë në krye të herës, ne nuk kemi asnjë arsye në botë, s’kemi mundësi të vëmë në diskutim integritetin dhe profesionalizmin e shkencëtarëve kinezë dhe rusë. Nga pikëpamja e vlerës së këtyre vaksinave nuk kemi asnjë dyshim dhe kontestim por kemi parasysh që nga njëra anë janë vaksina ende të paaprovuara në nivelin e OBSH, kjo nuk do të thotë që po i rrimë larg ngaqë janë të paaprovuara, dhe e dyta nuk mendojmë që duke qenë të linjëzuar me BE kemi ndonjë precedencë, apo prioritet në radhën shumë të gjatë për ato vaksina. Nuk është çështje gjeopolitike në sensin banal të fjalës por është një luftë politike në vetvete, jo për ne. Në gjithë planetin bëhet një luftë politike për vaksinat. Luftë politike në arenën globale dhe brenda për brenda vendeve. Është një luftë ekonomike, tregtare sepse nuk ka sasi. Pas këtyre të dyjave është dhe një luftë që varet në mënyrë të drejtpërdrejt nga niveli i marrëdhënieve të një vendi me një vend dhe nga raportet personale. Nuk i kemi këto vaksina në dispozicion dhe ne po i refuzojmë. Nuk kemi hedhur dhe nuk do të hedhim hapa formalë në drejtim të këtyre dy burimeve sepse jemi të vetëdijshëm që janë hapa që nuk kanë arsye objektive. Nuk ka arsye objektive që të na çojë në rezultat”, deklaroi Rama.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, deklaroi nga ana tjetër se së shpejti do të hapen qendra vaksinimi në Kukës, Korçë dhe Berat. “Nga nesër intensifikojmë vaksinimet. Kemi ambicien për të gjithë stafin mjekësor. Këta javë jemi edhe në Kukës, Korçë dhe Berat, hapim edhe aty procesin e vaksinimit”, tha ministrja.

Ajo theksoi se qeveria nuk dëshiron që të shkojë drejt masave të mëtejshme kufizuese.

Manastirliu theksoi se deri tani, janë vaksinuar 6 mijë mjekë e infermierë, kurse shtoi se do të vaksinohen grup-moshat që janë më të rriskuara.

“Në fundjavë do të kemi vlerësim të masave ndaj Covid-19. Ka trend të qëndrueshëm të incidencës ditore. Masat e fundit shtrënguese të fundit që kemi marrë kanë të bëjnë me uljen e orës policore dhe alternimet e mësimit online. Impakti i masave nuk është i menjëhershëm. Ky impakt shikohet për 14 ditë. Ne nuk duam që të shkojmë në masa të reja kufizuese, sepse në rast se mund të respektojmë rregullat ndaj koronavirusit, mund të mos shkojmë drejt një situate, ku bota dhe shtetet europiane, kanë dy muaj që janë. Janë vaksinuar më shumë se 6 mijë mjekë dhe infermierë. Pas mjekëve dhe infermierëve, do të vaksinohen moshat më të rriskuara. Ka nisur tashmë vaksinimi i moshave mbi 80 vjeç”, u shpreh Manastirliu.

Kryemintri Rama kërkoi nga ana tjetër dialog nga partitë opozitare për të gjetur një mënyrë sesi do tëbëhet fushata në këtë periudhë të vështirë. Ndër të tjera kryeministri tha se partitë politike duhet të merren vesh me njëra-tjetrën dhe të respektohen masat që do të vendosen, duke u konsultuar edhe me ekspertët.

Duke iu referuar situatës aktuale, kreu i qeverisë u bëri thirrje pronarëve të lokaleve që të mos hapin dyert për politikanëve sepse gjoba paguhet nga vetë ata. “Nuk duhet tju hapin dyert se janë ata që paguajnë. Janë ata që rrezikojnë që tu mbyllet biznesi fare. Kur menndon që biznesi, babai i gjithë kësaj familje, rojtari i të gjitha palëve, garanti i shëndetit kushtetues është i pari që jep shembullin katastrofik, kjo është fatkeqësi. Unë dua t;ju kuptoj të gjithë kolegëve të mi që nuk na duhen ato që  humbasin nga kontakti me më shumë se dhjetë vetë përballë shëndetit të njerëzve. Në djall vafshin të gjitha. Prandaj personalisht nuk bëj në asnjë moment kapërcime të kësaj vije”, u shpreh Rama.


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë