Lajme

Rama në Poliçan: Qyteti do të ketë ujë të pijshëm 24 orë

Ndërkohë që qyteti i Tiranës “gumëzhinte” nga festimet e Ditës së Verës, Kryeministri Edi Rama gjendej në kantierin e hapur për ndërtimin e ujësjellësit në Poliçan, i cili do të furnizojë më ujë jo vetëm qytetin por edhe fshatrat përreth. I shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Adriatik Zotkaj dhe zëvendës ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës Hantin Bonati, kryeministri është shprehur se Poliçani do të ketë ujë 24 orë pas 3 dekadash vështirësi, si edhe një shkollë e rindërtuar me themel për fëmijët e mësuesit e qytetit.
Ndërkohë që të shumtë kanë qenë qytetarët që janë mbledhur duke brohoritur ‘Edi Rama’.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/1995693837392259/

Kryetari i Bashkisë Adriatik Zotkaj u shpreh se ujësjellësi ka qenë një prej kërkesave kryesore të banorëve.

“Që nga viti 1966 kur është ndërtuar qyteti, së bashku me ujësjellësin e Poliçanit nuk ka pasur investim. Me një investim prej 80 milionë lekësh të reja ne do të bëjmë të mundur furnizimin e 10 mijë banorëve, duke e zgjidhur përfundimisht këtë problem, duke e furnizuar me ujë 24 orë, duke e përmirësuar cilësinë e shërbimit, por duke nxjerrë edhe ujësjellësat nga humbja,”shtoi Zotkaj.
Ndërsa zëvendës ministri Bonati është shprehur se përveç pjesës që ky investim zgjidh njëherë e mirë çështjen e ujit, është edhe çështja e mirë menaxhimit.
“Ne po ndërtojmë stacionin e pompimit, nga pompa të vjetra të viteve ‘60 po vëmë pompa të reja. Me këtë investim ne pothuajse 1/3 e energjisë elektrike do të mbetet, ndërsa 2/3 do të kursehet. Një tjetër gjë është edhe sistemi i klorifikimit të ujit që rregullon cilësinë e ujit. Nëpërmjet këtij sistemi automatik glorifikimi, do të kemi një cilësi më të mirë uji dhe gjithashtu do të vihen matëse tek pjesa e depove, në mënyrë që menaxhimi të jetë edhe më i thjeshtë,” shton Bonati


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë