Politike

Rama në Paris: Zgjatja e vuajtjeve të civilëve në Gaza ushqen ambiciet e Hamasit dhe agjentëve të tjerë të kaosit

Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Forumin e Paqes në Paris, ka zhvilluar takime me disa liderë të cilët siç tha dhe ai bien dakord se konflikti dhe vuajtjet në Gaza duhet të marrin fund

“Në Forumin e Paqes të Parisit, pata mundësinë të takohesha me një sërë udhëheqësish e zyrtarësh të lartë. Për Gazën, të gjithë ramë dakord se konflikti dhe vuajtja e tmerrshme që ai po shkakton duhet të marrin fund.

Si anëtarë të përkushtuar të NATO-s, shohim një model shqetësues, një këmbëngulje të mbrapshtë për të ndezur konflikte e mbjellë kaos në hemisferën veriore, përfshi Ballkanin Perëndimor. Këta agjentë kaosi duhen ndalur dhe duhen goditur.

Për fat të keq, zgjatja e vuajtjeve të civilëve në Gaza, s’bën tjetër veçse ushqen ambiciet e Hamasit dhe agjentëve të tjerë të kaosit.

Ndihem i inkurajuar nga përkushtimi i mikpritësit tonë këtu në Paris, Presidentit të Francës, Macron, i cili, të shtunën, më 10 nëntor, drejtoi një thirrje të fortë për armëpushim të menjëhershëm. Bie dakord me vlerësimin e Presidentit Macron se armëpushimi është edhe në të mirën e Izraelit. 

Si një vend i paqtë, me shumë besime fetare dhe një rini energjike, fundi i menjëhershëm i vuajtjes së civilëve qoftë të popullit palestinez, ashtu edhe atij izraelit dhe arritja e paqes së qëndrueshme midis këtyre dy kombeve është me interes strategjik për Shqipërinë. Unë do të vazhdoj të punoj për këtë bashkë me udhëheqës e zyrtarë të tjerë”, thotë Rama.

Rama propozon që kontrolli i Gazas të merret përkohësisht nga një forcë ndërkombëtare e udhëhequr nga Lidhja Arabe. Me ndërprerjen e luftimeve, thotë kreu i qeverisë shqiptare komuniteti ndërkombëtar duhet të angazhohet për organizimin e një konference ndërkombëtare donatorësh për të financuar rindërtimin e Gazës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë