Politike

Rama: Opozita po synon të pengojë hapjen e negociatave

Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi në Maliq ku ka prezantuar kandidatin e Partisë Socialiste për këtë bashki, Gëzim Topçiun, u shpreh se në këto zgjedhje punët janë ngatërruar për shkak të kundërshtarëve politikë, duke bërë që më 30 qershor të vendosen jo vetëm kryetarët e bashkive, por edhe fati i Shqipërisë për 30 vitet e ardhshme.
“Plani ishte ndryshe, por ishte kërkesa e shumë prej jush që ta zhvillnim një takim të madh edhe pse kishim planifikuar thjesht një vizitë. E kam thënë edhe herë të tjera se kjo është një fushatë shumë e lehtë, sepse punët flasin më shumë se fjalët. Në këto zgjedhje punët u ngatërruan pak jo për fajin tonë, por për shkak të kundërshtarëve tanë. Këto zgjedhje janë kthyer në zgjedhje politike, qytetare dhe atdhetare. Nuk do vendoset vetëm se kush do drejtojë baskitë, por si do jetë fati i Shqipërisë në 30 vitet e ardhshme”, u shpreh kryeministri Rama.
Sipas tij, drejtuesit e opozitës kanë dalë në rrugë dhe duan të pengojnë zgjedhjet, pasi janë kundër integrimit të Shqipërisë në BE. Kryeministri tha se duan të përçojnë në Europë idenë se Shqipëria është një vend rrëmujë që nuk mund të bëhen as zgjedhje.
“Dy vjet më parë ata bënë pothuajse të njëjtën gjë, ikën dhe thanë se s’do lejonin të bëheshin, por qëllimi ishte të merrnin peng vettingun. Sot ata kanë ikur nga parlamenti për të penguar Shqipërisë, sepse vettingun nuk e bllokuan dot. Vettingu do shkojë para dhe ne do arrijmë që reforma në drejtësi të jetë e paprekshme. Duan të krijojnë idenë se Shqipëria është një vend ku nuk bëhen dot as zgjedhje, jo më të hapë negociatat me BE. Kjo është baza, shtysa, motivi. Që ku kanë ikur nga parlamenti kërkojnë me çdo kusht të djegin zgjedhjet", tha Rama.
Rama tha se Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi synojnë që të pengojnë hapjen e negociatave, pasi sipas tij, menjëherë pas hapjes së tyre janë kapitujt ku kërkohen rezultate konkrete për drejtësinë.
“Arsyeja pse ata janë në rrugë është se ata në qoftë se çelen negociatat dhe bisedimet e drejtësisë, nuk do të kërkojnë më përputhjen e legjislacionit me Kushtetutën, por do fillojnë të kërkojnë prova që ky sistem drejtësie funksionon dhe në Shqipëri ka një drejtësi ku askush nuk mund të shpëtojë pa u përballur me ligjin. BE s’do kërkojë më përputhje kushtetuese, se në letër i kemi të gjitha, nuk do shohë rezultatet e vettingut por do kërkojë prova që sistemi i drejtësisë funksionon, që në Shqipëri ka një drejtësi ku askush nuk mund të shpëtojë në rast se do të përballet me ligjin. Prova që sistemi ynë nuk ka të gjatë e të shkurtër, të shëndoshë e të dobët, po ka qytetarë që para ligjit janë të barabartë, mund të ndëshkohen, presidentë, kryeministra, ish-deputete e ministra , tha Rama.
Ai shtoi se Partia Socialiste duhet ta pranojë këtë sfidë, pasi në të kundërt Shqipëria do të futej në një asfiksi të gjatë.
“Nga ana tjetër jemi ne, që kemi për detyrë të mos lejojmë që Shqipëria të futet në një asfiksi të gjatë. Ne kemi hedhur bazat e shtetit, nuk do lejojmë të shkatërrohen siç janë shkatërruar në të shkuarën. Janë ata që kanë ikur nga zgjedhjet. Pavarësisht faktit se këto zgjedhje nuk janë më të mira të mundshme sepse nuk kemi kundërshtarë, ne do t’i zmbrapsim me këto zgjedhje kundërshtarët e drejtësisë”, u shpreh Rama.
Rama shtoi se opozita do të krijojë me çdo kusht një 97-të të dytë, por sipas tij kushtet janë zero. "Nga kush do të bëhet 97-ta nga ata që kanë lënë mandatin e kanë dalë në rrugë, ndërkohë që kushtet janë zero”, u shpreh kryeministri.
Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama nuk la thumbuar as presidentin Ilir Meta për anulimin e datës të zgjedhjeve, duke thënë se burimi që justifikon aktin e tij është filxhani dhe parashikimet e Monika Kryemadhit.
“Këtu kemi të bëjmë më shumë me njerëz që i besojnë më shumë filxhanit sesa Kushtetutës, që nga Ilir Meta që del në mes të zgjedhjeve dhe i anulon si të anulojë Gëzimi këtu në Korçë ndonjë ndeshje të Skënderbeut se ka informacione nga agjenci të rëndësishme ligjzbatuese se do ketë konflikt. Informacione shumë të rëndësishme d.m.th nga filxhani. I ka thënë fallxhorja të del një gjarpër në formë 8 që është 8 qershori, dita e protestës do hajë ndonjë kokë ky gjarpër dil e shpëto vendin. Del ky e thotë shpëtova popullin nga gjakderdhja. S’ka asnjë gjakderdhje vetëm llumderdhje. Asnjë merak mos kini nga konfliktet”, vijoi Rama.
Rama, ashtu siç deklaroi në seancën e fundit në parlament, theksoi se ideatorët për të penguar zgjedhjet janë Sali Berisha dhe Ilir Meta, ndërsa Basha është thjesht një kukull e tyre.
Ideatorët janë Sali Berisha e Ilir Meta, kurse Luli është llafazan, gjumash dhe s’di ç’bën dhe fallxhorja është ajo që i çmend të tre këta dhe këdo që i del përpara”, tha ndër të tjera kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë