Politike

Rama në Kroaci, kryeministri Plenkoviç: BE të çelë negociatat

Gjatë vizitës së tij në Kroaci, kryeministri Rama ka nënshkruar një marrëveshje për partneritet strategjik, në fushën e sigurisë dhe të shkëmbimeve tregtare.

Në konferencën e përbaashkët për shtyp, kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, tha se Zagrebi mbështet çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në në qershorin e ardhshëm.

Ai theksoi se pas zgjedhjeve europiane, Brukseli duhet t'i çelë dritën jeshile Shqipërisë.
“Sa herë takohem me kryeministrin Rama, kjo pyetje është e para. Sa i përket qëndrimit të Kroacisë e kam theksuar edhe në mbledhjen e Sofjes se, Kroacia është për hapjen e negociatave të Shqipërisë, por edhe për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë në Bashkimin Europian. Prej qershorit të kaluar deri në qershorin e ardhshëm, edhe Shqipëria edhe Maqedonia, kanë bërë një hap të madh. Pas zgjedhjeve europiane shpresoj se edhe Shqipëria do të fillojë negociatat e anëtarësimit”.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama theksoi se Shqipëria meritonte çeljen e negociatave që këtë qershor.

“E thashë dhe më përpara që Kroacia ka qenë në mbështetje e gjithëhershme për Shqipërinë dhe shqiptarët që në ditët e para të pavarësisë së saj. Ajo që presim nga BE qershorin e ardhshëm, është ajo që meritonim që merrnim që këtë qershor, që të hapim negociatat për anëtarësim”.

Sa i takon bashkëpunimit strategjik, Rama tha se bëhet fjalë për një tjetër moment të rëndësishëm, që për Shqipërinë e shqiptarët ka nisur që me krijimin e Kroacisë së re dhe vijoi në hapat e mëtejshëm me njohjen e Kosovës dhe hyrjen e Kroacisë në NATO. Kryeminstri shqiptar theksoi se me Kroacinë do të nisin vitin e ardhshëm edhe shkëmbimet tregtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë